Google ADS

Rreziku nga qentë endacakë

20:50 | 10 Tetor 2024
Q L

Një person ka kërkuar trajtim mjekësor, pasi të mërkurën u sulmua nga qentë endacakë në hapësirat e QKUK-së. Qytetarët kërkojnë zgjidhje, pasi po ndihen të rrezikuar, derisa nga komuna thanë se nga nesër do të nisin kapjen sistematike të qenve endacakë.

Një person u sulmua nga qentë endacakë të mërkurën në hapësirat e QKUK-së, në afërsi të Klinikës Neurologjike.

Personi që u sulmua ka kërkuar ndihmë në klinikën emergjente.

“Diku, rreth orës 06:00 në mbrëmje e kanë sjellë është trajtuar tek ne, i është dhënë tretmani adekuat edhe më tutje është dërguar në Klinikën Infektive. Numri është i madh i qytetarëve që janë sulmuar, vitin e kaluar kanë qenë 86 raste, sivjet, deri në këtë moment, janë rreth 128 rase”, tha Naser Syla, drejtor I klinikës emergjente në QKUK.

Qytetarët po kërkojnë nga institucionet që të gjendet një zgjidhje, pasi po ndihen të rrezikuar.

E rrezikuar po ndihet edhe një infermiere që kalon në këto hapësira vazhdimisht për të ardhur në punë.

“Kur jam në ndërrim të natës, frikësohem të dalë vetëm, sepse më ka ndodhur që më kanë ndjekur qentë endacakë. Ka shumë qenë rrugës dhe frikësohem prej tyre”, tha infermierja.

Në një përgjigje përmes telefonit, drejtori i shërbimeve publike në Prishtinë, Bekim Brestovci, tha se janë pajtuar me kryetarin Përparim Rama që nga e premtja të nisin kapjen sistematike të qenve endacakë në hapësirat e QKUK-së.

Çështjen e qenve endacakë e ngriti edhe kryeministri Kurti në një takim me kryetarë komunash më 8 tetor, ku e konsideroi si temë që është bërë e rëndë me kalimin e kohës, ku tha se duhet që ministritë e linjës dhe komunat t’i përcaktojnë lokacionet për ndërtimin e qendrave të trajtimit të përkohshëm dhe komunat duhet të vazhdojnë fushatën me kastrim, sterilizim dhe vaksinim./rtk/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme