Google ADS

Rreth 95 përqind e pozitave të nivelit të lartë dominohen nga burrat

13:55 | 4 Maj 2017
Arbresh.info

Vetëm një në pesë gra në moshë të punës është aktive në tregun e punës dhe 94.6 përqind e pozitave të nivelit të lartë drejtues në Qeveri, Kuvend dhe Presidencë dominohen nga burrat.

Kështu u tha sot në tryezën e rrumbullakët të Institutit GAP ku u prezantua analiza  “Diskriminimi në Tregun e Punës – Ndikimi i Konkurseve në Pabarazinë Gjinore”.

Nora Latifi – Jashari, drejtoreshë ekzekutive në Institutin GAP, theksoi se gratë janë më të shumta në numër që përfundojnë studimet universitare dhe se gratë janë pothuajse njëjtë punëkërkuese sa burrat, por se prapë burrat punësohen më shumë në numër se gratë.

“Arsyet kryesore pse ato nuk marrin pjesë në fuqinë punëtorë janë obligimet familjare. Gjithashtu, barrierat tjera kanë të bëjnë me ndarjen tradicionale të profesioneve ku në mënyrë specifike kërkohen burra për ‘profesionet e burrave’ dhe gra për ‘profesionet e grave’ si dhe barriera tjetër është tek gjuha diskriminuese e shpalljeve për vende të punës”, tha Latifi-Jashari, transmeton arbresh.info.

Jeton Mehmeti, Drejtor i hulumtimeve në Institutin GAP, prezantoi të gjeturat e analizës ku ndër të tjera tregoi se si gjuha e përdorur në konkurse si në sektorin publik dhe në privat ndikon në pabarazinë gjinore.

“Përkundër se Ligji për barazi gjinore i obligon punëdhënësit që me rastin e shpalljes së vendit të lirë të punës të shmangin elementet diskriminuese në bazë të gjinisë, në sektorin privat Ligji pothuajse nuk aplikohet, ku në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkohen gra ose burra për pozita të caktuara”, tha Mehmeti.

Nga 562 konkurse që Instituti GAP i ka analizuar, vërehet se në konkurset e bizneseve private për pozitat si asistente, shitëse, recepsioniste, pastruese kërkohen kryesisht gra, kurse në pozitat si menaxher, drejtor, inxhinier kërkohen kryesisht burra.

Në anën tjetër, në sektorin publik gratë mbesin më pak të përfaqësuara në pozita të larta drejtuese, kjo për shkak se konkurset për këto  pozita përmbajnë gjuhë të kodifikuar mashkullore e cila i dekurajon gratë për të aplikuar. Kjo argumentohet edhe me faktin se 94. 6 % e pozitave të nivelit të lartë drejtues në Qeveri, Kuvend dhe Presidencë dominohen nga burrat./Arbresh.info.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme