Rreth 7 mijë vajza të moshës 12 vjeçe janë vaksinuar me vaksinën kundër Human Papilloma Virusit.
Kështu bëjnë të ditur nga Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për Arbresh.info
Nga MSH thonë se numri ndryshon vazhdimisht.
“Numri ndryshon vazhdimisht, pasi që procesi po vazhdon nëpër shkolla dhe në njësi të vaksinimit dhe raportimi nga komunat bëhet çdo muaj. Deri më tani rreth 7 mijë vajza të moshës 12 vjeçe janë vaksinuar me vaksinën kundër Human Papilloma Virusit”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.
Sipas tyre ky proces i vaksinimit është duke vazhduar dhe pritet të përfundojë në dhjetor të këtij viti.
Ndërsa sa i përket asaj se a do të vazhdojë edhe në të ardhmen ky proces, MSH bën të ditur se kjo vaksinë do të jepet çdo vjet.
“Duke qenë se HPV vaksina është e përfshirë në Kalendar të rregullt të vaksinimit, kjo vaksinë do të jepet në mënyrë permanente sipas Kalendarit çdo vjet”, bëjnë të ditur nga MSH-ja për Arbresh.info
Më 21 shkurt të këtij viti, për herë të parë në Kosovës nisi vaksinim i vajzave kundër kancerit të qafës së mitrës.
Në fillim të muajit shkurt Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), kishte bërë të ditur për Arbresh.info se mbi 15 mijë vaksina janë siguruar kundër kancerit të qafës së mitrës.
Kurse në vitin 2022 në Kosovë janë evidentuar 60 raste të kësaj lloj sëmundje.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vaksinat HPV funksionojnë më mirë nëse administrohen përpara ekspozimit ndaj papilloma virusit.
Andaj, për të parandaluar kancerin e qafës së mitrës, OBSH-ja rekomandon vaksinimin e vajzave të moshës 9 deri në 14 vjeçe, kur, siç thuhet, shumica nuk e kanë filluar ende aktivitetin seksual.
Kanceri i qafës së mitrës, sipas OBSH-së, është lloji i katërt më i zakonshëm i kancerit te gratë, dhe më shumë se 95 për qind e rasteve shkaktohen nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme.
Nga vendet fqinje të Kosovës, Shqipëria ka paralajmëruar futjen e vaksinës HPV në kalendarin e detyrueshëm të vaksinimit.
Në Maqedoninë e Veriut, kjo vaksinë është në kalendar, ndërsa nga viti 2013 është obligative për grup-moshën 12 deri në 26 vjeçe dhe jepet në tri doza.
Në kalendarin e vaksinimit të Serbisë është po ashtu HPV, por vaksina nuk është e obligueshme, është e rekomanduar.
Në vitin 2020, Mali i Zi ka ndarë buxhet për vaksinën HPV, por ato mjete janë përdorur për nevojat e trajtimit të pandemisë COVID-19, e cila ka shpërthyer në atë vit.
Sipas autoriteteve në këtë vend, vaksinimi me HPV do të bëhet prioritet kur të ketë një situatë më të favorshme epidemiologjike me COVID-19.
Vaksina HPV jepet edhe në Bosnje e Hercegovinë, ndonëse nuk është e obligueshme./Arbresh.info/Kujtesë Berisha/
Haaland totalisht jashtë forme, Guardiola i del në mbrojtje ...
Krasniqi uron Krishtlindjet: Uroj që shtëpitë tuaja të mbush...
Hoti uron Krishtlindjet: Le të sjellë kjo festë dashuri në j...
Nesër luhet takimi i mbetur mes Borës dhe Sigal Prishtinës
Arrestohet një person i dyshuar për posedim të substancave n...
Komandanti i FSK-së uron Krishtlindjen: Të vazhdojmë të puno...