Deri në muajin maj të vitit të ardhshëm, Qeveria e Kosovës dhe kompania amerikane, “Contour Global”, parashihet se duhet t’i përfundojnë procedurat ligjore dhe të fillojë ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re”.
Në rast të mospërfundimit të këtyre procedurave, nga Qeveria aktuale në largim e Kosovës, tërhiqet vërejtja se do të ketë ndëshkime financiare për palën, e cila nuk i përmbushë obligimet.
Aktualisht, Kosova është pa Kuvend dhe me Qeveri në largim. Ndërkaq, vendimi për zbatimin e kontratës me kompaninë amerikane u mbetet institucioneve të reja që pritet të formohet mbi bazën e rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik në Qeverinë në largim, Valdrin Lluka, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka afat deri në maj të vitit 2020 që të përmbushet kontrata.
“Deri në atë kohë nuk paraqet ndonjë rrezikshmëri pasi që maji është afati i fundit. Mosformimi i Qeverisë mund të vonojë procesin, por nuk do të thotë se mund të rrezikojë projektin. Unë po flas duke supozuar që shumë shpejt në dhjetor apo në janar do ta kemi qeverinë, e nëse zgjatet me muaj, atëherë jemi në një pozitë të pafavorshme pasi që nuk do të ketë mundësi për vendimmarrje”, thekson Lluka.
Ministri në detyrë, Lluka, rikujton se nëse zvarritjet shkaktohen nga Kosova duke mos i përmbushur obligimet, atëherë do të krijohet situata, sipas së cilës Qeveria e Kosovës do të ketë si përgjegjësi financiare ndaj kompanisë ‘Contour Global’ një vlerë prej 19.7 milionë eurosh.
Ndërsa, nëse Kosova i përfundon obligimet, por ‘Contour Global’ nuk arrin të sigurojë pakon financiare, atëherë kjo kompani do t’i detyrohet Kosovës me një vlerë prej 17.5 milionë eurosh.
Qeveria e Kosovës ka nënshkruar në fund të vitit 2017 marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane “Contour Global”, për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” me kapacitet 500 megavat, i cili do të kushtojë 1.3 miliard euro. Ky projekt përfaqëson investimin më të madh të huaj në Kosovë.
Garancia shtetërore për pakon financiare për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, kërkon 2/3 e votave të deputetëve të Kosovës.
Ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re” është kundërshtuar në vazhdimësi nga përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët e konsiderojnë si një projekt të dëmshëm për mjedisin dhe qytetarët.
Dardan Abazi, hulumtues i lartë në Institutin për Politika Zhvillimore (INDP) thotë për Radion Evropa e Lirë, se kontrata për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e re” duhet të ndërpritet edhe nëse Kosova obligohet të paguajë detyrime financiare.
“Për ne është e qartë që Termocentralit “Kosova e Re” duhet të ndërpritet dhe ne kemi avokuar vazhdimisht që ky termocentral të mos ndërtohet dhe kjo kontratë që është nënshkruar nga Qeveria në largim, është kontratë e dëmshme për qytetarët. Realizmi i kësaj kontrate do të shkaktonte humbje miliardësh për qytetarët dhe është e papërballueshme për të gjithë ne dhe për buxhetin e Kosovës”.
“Ne jemi që me çdo kusht, qoftë edhe duke paguar 19 milionë euro, të bëjmë ndërprerjen e kësaj kontrate. Por, duhet të shihen mënyrat pasi që edhe ‘Contour Global’ ka vështirësi për të gjetur financim dhe në këtë kuptim duhet të gjenden modalitete më të mira që ndoshta edhe duke mos pagur fare penalizimet, ne të tërhiqemi nga ky projekt dhe të lirohemi nga kjo kontratë shkatërruese për tregun e energjisë”, vlerëson Abazi.
Ai thotë se vetëm duke u tërhequr nga kjo kontratë, do të arrihet që tregu i energjisë të hapet dhe po ashtu, sipas tij, në Kosovë duhet të hapet një debat për të ardhmen e sistemit energjetik të Kosovës në lidhje me atë se sa na duhen investime në burimet e ripërtërishme të energjisë dhe sa duhet të projektohet tregu i energjisë për gjeneratat e ardhshme.
“Detyra e parë e Qeverisë së ardhshme të Kosovës duhet të jetë ndërprerja e kësaj kontrate të dëmshme”, thotë Abazi.
Qeveria e ardhshme e Kosovës pritet të formohet mbi bazën e koalicionit ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, si partia e dytë. Të dy këto subjekte politike nuk pajtohen me marrëveshjen e nënshkruar nga Qeveria në largim me kompaninë amerikane, “Contour Global”.
Lëvizja Vetëvendosje është shprehur kundër marrëveshjes me “Contour Global” dhe sipas saj, ky projekt, si i tillë, nuk do të realizohet pasi, kompania në fjalë mund të rrisë çmimin e faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike.
Derisa Lidhja Demokratike të Kosovës është shprehur se do të ndërtojë kapacitete të reja energjetike, por do të refuzojë secilën alternativë investuese që shtrenjton çmimin përfundimtar të energjisë elektrike prej 100 për qind.
Por, për ministrin në detyrë, Valdrin Lluka, mosndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re”, nuk i shkon në favor Kosovës pasi që, siç thotë ai, Kosova do të vazhdojë të importojë energji elektrike, kryesisht nga Serbia, diku rreth 60 milionë euro në vit.
“Kosova është me rëndësi që të ketë kapacitete të reja gjeneruese për energjinë elektrike bazë. Ndërprerjet e energjisë elektrike të paplanifikuara janë humbje për bizneset, qytetarët dhe imazhi jonë karshi investitorëve të huaj nuk janë pozitive pasi që investitorët e huaj gjënë e parë që dëshirojnë ta kenë, është energjia elektrike stabile”, thotë Lluka.
Termocentrali “Kosova e Re”, ishte paraparë të fillojë së ndërtuari këtë vit, ndërsa të vihet në punë në vitin 2023. Jetëgjatësia e Termocentralit “Kosova e Re” është llogaritur të jetë 40 vjet.
Kosova ka më shumë se 10 miliardë tonë linjit dhe si i tillë, është vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij resursi, por me gjithë pasurinë e linjitit, Kosova vazhdon të përballet me mungesë të energjisë elektrike.
Edi – Gjestit: S’ki nevojë me u tut se dola unë tash!
Krasniqi: Që të rinjtë të qëndrojnë në Kosovë, atyre u duhet...
Pamje nga veriu, pas shpërthimit në kanalin e ujit në Zubin ...
Rusia thotë se ka bombarduar forcat antiqeveritare në Siri
Vota e emigrantëve, kreu i KQZ: 30 ditë nuk mjaftojnë për po...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, KEK shpreson në sanimin e shpejtë...