Rreth 20 mijë ton barna dhe materiale tjera medicinale pa afat llogaritet të jenë nëpër depo në Kosovë që nga viti 2000. Këto mbeturina mjekësore rrezikojnë të shndërrohen në kërcënim për shëndetin e qytetarëve duke i infektuar nëpërmjet ajrit, ujit apo tokës, thotë kryeinspektori farmaceutik Dr. Shaban Osmanaj
Në mungesë të ligjit dhe infrastrukturës në vendin tonë ruhen barna pa afat që nga viti 2000. Në të gjitha depotë publike dhe private llogaritet të jenë rreth 20 mijë ton barna dhe materiale tjera medicinale që iu ka skaduar afati dhe janë të papërdorshme. Për asgjësimin e tyre nevojiten procedura të veçanta ligjore dhe infrastrukturore.
Kryeinspektori i Inspektoratit Farmaceutik të Ministrisë së Shëndetësisë, Dr. Shaban Osmanaj, thotë se asgjësimin e këtyre barnave e ka paraqitur disa herë. Ai alarmon se zinxhiri i ruajtjes së këtyre barnave pa afat nëpër depo mund të prishet dhe kësisoj të rrezikojnë shëndetin publik e prandaj nevojitet asgjësimi i tyre sa më parë, shkruan Gazeta Shneta.
“Është momenti i fundit për të marr masa sepse mbeturinat mjekësore paraqesin rrezik tokësor, ajror dhe ujor. Nëse produktet ruhen në një ambient të pakontrolluar dhe nën to kalojnë ujëra nëntokësore, atëherë sigurisht se ato janë burim i infeksioneve dhe rrezikut për shëndetin e qytetarëve, ose lirim i gazrave nga djegia në temperatura të larta”, deklaron Osmanaj.
Madje edhe vet asgjësimi i tyre tanimë është shndërruar në problem pasi Osmanaj thotë se duhet të bëhet regjistrimi i tyre. Por ky proces po del të jetë i rrezikshëm edhe për vet inspektorët.
“Së pari duhet të bëhet regjistrimi i barnave sepse mund të ketë barna nga viti 2000. Ne nuk mund t’i themi askujt që të hyjë dhe ta bëj regjistrimin sepse ambienti është i kontaminuar”.
Ai bën të ditur se asgjësimi i tyre është i ndaluar në terrene të hapura. “Vitin e kaluar në Novobërd kemi gjetur rastin kur asgjësimi i produkteve mjekësore është bërë në terren të hapur dhe tanimë me këtë rast po merret Policia e Krimeve Ekonomike të Gjilanit”.
Osmanaj thotë se ky problem tashmë ka shkuar në Qeveri nëpërmjet ministrit të Shëndetësisë ku është krijuar një grup punues për trajtimin e mbeturinave, ku hyjnë edhe ato mjekësore.
Këto mbeturina mjekësore përbëhen nga barna që iu ka skaduar afati nëpër depo private, barna të konfiskuara nga Dogana e Kosovës apo nga Inspektorati Farmaceutik.
Osmani bashkë me Hovenierin dhe ushtarët në kampin Bondsteel...
Çiftet e rrethit të parë të Kupës së Kosovës, lehtë për favo...
Trafiku Urban thotë se janë eliminuar paqartësitë rreth proc...
Kurti vendos edhe gurthemelin e fundit në Podujevë, kësaj ra...
Kumbaro nderon kontributin e gjithë krahinës së Gjirokastrës...
Aprovohet struktura e tarifave të energjisë termike për sezo...