Në kuadër të procesit të privatizimit, i cili ka filluar rreth 16 vjet më parë nga ish-Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM), e pasuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), janë nënshkruar 1800 kontrata të privatizimit, por sfidë në këtë proces mbetet privatizimi i aseteve të ndërmarrjeve shoqërore që gjenden jashtë territorit të Kosovës.
Rreth 180 prona të ndërmarrjeve shoqërore, sipas AKP-së, gjenden jashtë territorit të Kosovës, konkretisht në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Sipas një dokumenti të publikuar vite më parë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, figuron se vetëm në territorin e Serbisë gjenden 110 prona të ndërmarrjeve shoqërore, në Mal të Zi janë 36, në Bosnje e Hercegovinë 18, kurse prona të tjera të Kosovës ndodhen edhe në Kroaci, Maqedoni të Veriut dhe në Slloveni.
Në bazë të dokumentit të kësaj agjencie, shumica e pronave janë lokale dhe zyra.
Sipas AKP-së, 17 prona të ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës nga 110 sa gjenden në Serbi, i takojnë kombinatit metalurgjik “Trepça”.
Avni Ajdini, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), njëherësh anëtar i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se zyrtarët juridikë të agjencisë janë duke u marrë me këtë çështje, por që deri më tani nuk ka asgjë konkrete. Ai thotë se këto asete i takojnë Republikës së Kosovës.
“Janë juristët e AKP-së që po punojnë në këtë drejtim. Kanë bërë padi në arbritazh dhe besojmë se astet që gjenden jashtë territorit të Kosovës do të kthehen. Ato aktualisht janë duke mos u shfrytëzuar nga dikush tjetër”, tha Ajdini.
Zyrtarë të AKP-së disa herë kanë pohuar se në bashkëpunim me institucionet kompetente në Kosovë dhe në vendet ku gjenden asetet, janë duke u bërë përpjekje për zgjidhjen e problemit të këtyre aseteve.
Në bazë të Ligjit për AKP-në, këto prona duhet të administrohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP). I njëjti ligj, sipas deklaratave të zyrtarëve të qeverisë në Prishtinë, parasheh që shtetet në të cilat ndodhet pronat përkatëse, nuk kanë të drejtë t’i përvetësojë ato.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë për Radion Evropa e Lirë, se autoritetet kompetente në Kosovë kanë dështuar në realizimin e të drejtës mbi pronën e Republikës së Kosovës në vendet e rajonit.
Ai vlerëson se rreth 800 milionë euro është vlera e 180 aseteve të ndërmarrjeve shoqërore që gjenden jashtë territorit të Kosovës. Pronësia e këtyre ndërmarrjeve, thotë ai, duhet të zgjidhet, duke shtuar se ato më pas duhet të futën në procesin e privatizimit.
“Përderisa të gjitha shtetet e reja, pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, kanë përfituar nga trashëgimia dhe pasuria e vetë që kanë lënë, Kosova mbetet një nga shtet që nuk ka përfituar nga ndarja e pasurisë. Përkundrazi nuk i ka dalë zot as pasurisë së vetë që është në evidenca të administratës shtetërore të Kosovës”, tha Shahini.
Ai thotë se gjatë vizitave me afaristë të shteteve të rajonit, është kuptuar se shumica e këtyre aseteve shfrytëzohen në mënyrë ilegale me destinim krejt tjetër.
“Shumicës se këtyre aseteve u është ndërruar destinomi. Mendoj se Kosova në këtë kuadër duhet të bëjë një hap konkret dhe të ngrehë edhe në nivel të bisedimeve në mes Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian”, tha Shahini.
Vetëm ndërmarrja shoqërore “Jatex” nga Peja, sipas të dhënave të AKP-së, ka 34 objekte afariste në republikat e ish-Jugosllavisë. Pas kësaj, vjen “Trepça” me 17 prona, pastaj “Eximkos”, ndërmarrja “Marketing-Export” e të tjera./REL
Sekuestrohen 12 armë zjarri në rajonin e Prishtinës
Ngritet aktakuzë ndaj një ish-pjesëtari të forcave serbe për...
Xheneta- Gjestit: A të kujtohet puthja jonë e parë?
Salah i lumtur që futet në historinë e Liverpoolit
Sot nënshkruhen marrëveshjet për certifikim të produkteve
Putin takohet me kryeministrin sllovak në Moskë, bisedojnë p...