Rreth 175 lëndë me vepra të ndryshme penale, përveç korrupsionit, kanë kaluar në duart e gjykatësve serbë të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.
Këto lëndë do të trajtohen nga gjithsej 4 gjykatës serbë, ku të akuzuarit ngarkohen me vepra të ndryshme penale si, “keqpërdorim i të drejtës së votimit”, “lëndim i lehtë trupor”, ”blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, e të tjera.
Kalimi i këtyre lëndëve tek këta gjykatës, është bërë pas zhvendosjes së Gjykatës Themelore të Mitrovicës në pjesën veriore të vendit.
Që nga 6 nëntori i vitit 2017, deri në mars të vitit 2018, lëndët e pranuara në këtë gjykatë, nuk u ishin ndarë gjykatësve shqiptarë dhe atyre serbë, përveç lëndëve me përparësi, të cilat duhej të shqyrtoheshin me procedurë të përshpejtuar.
Në kolegjiumin e mbajtur më 31 janar 2018, në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, ishte vendosur për ndarjen e pjesshme të lëndëve të vjetra të pranuara para vitit 2008, si dhe lëndëve të reja të pranuara pas vendosjes së kësaj gjykate në objektin në veri.
Pasi që me kalimin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës në veri, është bërë edhe dekretimi i gjykatësve serbë, të cilët do të punonin në këtë gjykatë, atyre tashmë kanë filluar që tu caktohen seancat e para për rastet gjyqësore që do t’i trajtojnë.
Në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”, nga shefi për menaxhimin e lëndëve në këtë gjykatë, Mirko Tomoviq, thuhet se lëndët e pranuara në Gjykatë nga shtatori 2017, e deri në janar 2018, u janë ndarë gjykatësve serbë.
“Në Departamentin e Përgjithshëm, rastet e reja të pranuara gjatë periudhës shtator 2017 – janar 2018, si dhe rastet e kthyera nga gjyqtarët që kanë vepruar në objektin e Gjykatës në Vushtrri dhe Skenderaj u janë shpërndanë gjyqtarëve të nacionalitetit serb (4 gjyqtarëve, rreth 175 raste)”, thuhet në përgjigjen zyrtare.
Ai ka thënë se rreth 80 raste të lëndëve të vjetra në Departamentin e Krimeve të Rënda, të pranuara para vitit 2008, më 1 deri më 7 mars 2018, u janë shpërndarë pjësërisht tre gjykatësve serbë, kurse më 12 shkurt 2018, rreth 15 raste të lëndëve të reja të këtij departamenti, gjithashtu u janë shpërndarë tre gjykatësve serbë.
“Rastet e vjetra të pranuara në Departamentin për Krime të Rënda, para vitit 2008, u janë shpërndanë pjesërisht gjykatësve të nacionalitetit serb (3 tre gjyqtarë, rreth 80 raste) më 01.03.2018 dhe 07.03.2018, ndërsa rastet e mbetura të vjetra janë të listuara dhe dosjet e lëndëve shpërndahen për shpërndarje të mëtejshme. Rastet e reja në Departamentin e Krimeve të Rënda, të pranuara në periudhën shtator 2017 – janar 2018, u janë shpërndarë gjyqtarëve të nacionalitetit serb (tre gjyqtarë, rreth 15 raste) më 12.02.2018”, thuhet në përgjigjen e shefit për menaxhimin e lëndëve në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, Mirko Tomoviq.
Sipas tij, rastet penale të korrupsionit, ende nuk u janë ndarë gjykatësve të kësaj gjykate, me ç’rast pritet që së shpejti të bëhet edhe ndarja e tyre.
Gjykatësi Tomisllav Petroviq, për “Betimi për Drejtësi”, ka thënë se deri tani ka qenë pjesë në trupe gjykuese, në raste të ndryshme gjyqësore, me ç’rast sipas tij, më 19 prill 2018, pritet të gjykojë rastin e parë që nga koha e emërimit të tij.
Petroviq ka thënë se nga zyra për menaxhimin e lëndëve, në mars të këtij viti, i janë caktuar 87 lëndë.
Ai më pas ka theksuar se lëndët të cilat i janë ndarë atij, përfishijnë raste të ndryshme të veprave penale, ku të akuzuarit janë serbë dhe shqiptarë.
Gjykata Themelore në Mitrovicë, deri në nëntor të vitit 2017 në mungesë të objektit punën e saj e kishte zhvilluar në objektin e ish-Gjykatës për Kundërvajtje në Vushtrri.
Ndryshe, marrëveshja për drejtësi në mes të Kosovës dhe Serbisë, e arritur më 10 shkurt të vitit 2015 në Bruksel, parashikonte shuarjen e gjykatave dhe prokurorive të kontrolluara nga Beogradi dhe integrimin e gjykatësve dhe prokurorëve serbë në sistemin e drejtësisë së Kosovës./betimi për drejtësin/
Serbët pro pjesëmarrjes në zgjedhjet e 9 shkurtit
Rashiq nuk pret asgjë nga takimi i radhës në Bruksel
Ish-legjenda e Liverpoolit e sulmon Salah: Egoist, dihet që ...
Gjenerallejtënant Jashari, uron “Ditën e Forcës- Ditën e Ush...
Formacionet/ Slovan Bratislava – Milan, Leao në bankë
Osmani në Senatin e Kolumbisë, diskuton për bashkëpunimin nd...