Google ADS

Rreth 11 mijë mërgimtarë do të votojnë për zgjedhjet e 22 tetorit

09:31 | 12 Tetor 2017
Arbresh.info

Mërgimtarët e Kosovës, të cilët jetojnë në vende të ndryshme të botës kanë mundur ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për votë e cila ju garantohet me Ligj, për zgjedhjet komunale të 22 tetorit të këtij viti.

Valmir Elezi nga KQZ ka bërë të ditur për arbresh.info se deri më 23 gusht, për tu regjistruar si votues jashtë Kosovës janë pranuar 11 mijë e 813 aplikacione.

“Gjatë periudhës së aplikimit për tu regjistruar si votues jashtë Kosovës, e cila është përmbyllur më 23 gusht, janë pranuar 11 mijë e 813 aplikacione për regjistrim. Shumica prej këtyre aplikimeve kanë ardhur përmes ndonjërës nga e-mail adresat e Shërbimit Votues të KQZ-së. Prej këtij numri, janë aprovuar 10 mijë e 476 aplikacione, kurse janë refuzuar 1 mijë e 337 të tjera”, ka thënë ai.

Elezi ka treguar se votimi më postë ka disa ditë që ka filluar.

“Prej disa ditësh ka filluar periudha e votimit përmes postës. Kjo periudhë është duke vazhduar dhe vlen vetëm për votuesit të cilët janë regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës”, ka treguar Elezi.

Ai ka thënë se KQZ qytetarëve të cilët jetojnë jashtë vendit u ka dërguar me postë zarfe të cilat përmbajnë fletëvotimin në Zgjedhjet për Kryetar dhe fletëvotimin në Zgjedhjet për Kuvend Komunal.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes postës u ka dërguar zarfe (që përmbajnë fletëvotimin në Zgjedhjet për Kryetar dhe fletëvotimin në Zgjedhjet për Kuvend Komunal) dhe udhëzimet se si të plotësohen fletëvotimet”, ka thënë ai, shkruan arbresh.info.

Periudha e votimit do të përfundojë më 20 tetor.

“Periudha e votimit përmes postës përfundon më 20 tetor. Pra, deri në këtë datë fletëvotimet duhet të vijnë në fahun postar të KQZ-së. Në përmbyllje të kësaj faze të procesit zgjedhor do të kemi një raport me të dhëna të detajuara”, u shpreh Elezi.

Sipas KQZ-së vendet nga të cilat më së shumti ka pasur aplikantë për tu regjistruar si votues janë: Serbia me 3244 aplikues, Zvicra me 2226 dhe Gjermania 1400 aplikues.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 22 tetor ndërkohë që në garë për këto zgjedhje janë futur 911 subjekte politike./R.Rexhepi/arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme