Pezullimi i Rregullores për caktimin e Avokatëve sipas Detyrës Zyrtare dhe Ofrimin e Ndihmës Juridike Falas, nga Qeveria e Kosovës, ka nxitur reagim të Odës së Avokatëve të Kosovës, e cila e ka quajtur ndërhyrje të ekzekutivit në punët e institucioneve të drejtësisë.
Kjo rregullore e aprovuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial dhe Policia e Kosovës, përcakton se avokatët që nuk kanë tri vjet përvojë pune nuk mund të angazhohen në rastet e krimeve të rënda.
Kjo ishte nxjerrë si ekuivalencë me prokurorët dhe gjyqtarët të cilët pa i pasur tri vjet përvojë pune nuk mund të jenë pjesë e departamenteve të krimeve të rënda.
Oda e Avokatëve të Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës tërheqjen e menjëhershme të këtij vendimi.
Kryetar i Odës së Avokatëve të Kosovës, Osman Havolli, ka thënë se për rreth 40 vjet që ekziston OAK nuk ka pasur ndërhyrje në këtë çështje, dhe një gjë e tillë nuk do të lejohet as tash.
Havolli paralajmëroj se nëse qeveria nuk e tërheq këtë vendim, OAK do të ndjek rrugën ligjore .
“Në presim që Qeveria e Kosovës ta shqyrtoj këtë vendim dhe ta rishqyrtoj, duke i paraqitur edhe ne argumentet se pse kërkojmë dhe ta tërheq. Në rast eventual nëse qeveria nuk e tërheq këtë vendim, ne do të vazhdojmë me procedurat ligjore dhe do ta sfidojmë. Edhe në Kuvend do ta sfidojmë këtë dispozitë ligjore, sepse kjo dispozitë ligjore i jep autoritet Qeverisë së Kosovës në pikëpamje juridiko-teknike të ndërhy, gjë që bie ndesh me sistemin e drejtësisë në vend”, është shprehur Havolli.
Në anën tjetër, Naim Rudari, njëri nga avokatët, të cilët kanë bërë padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës ndaj Odës së Avokatëve të Kosovës, e cilëson si diskriminuese këtë rregullore.
“Profesioni i avokatit është i lirë, nuk ka kurrfarë kufizimi me nda cilat punë ka me i kry avokati që ka përvojë deri në tri vite, e cilat punë ka me i kry avokati me më shumë përvojë se tri vite. Nuk ka as në ligj e as në Kushtetutë, as me ligj të avokatisë, as me status e as me një konventë një kufizim të tillë”, është shprehur avokati Rudari.
Në këtë rregullore sipas tij, OAK ka caktuar një lloj tatimi në fitim prej dy për qind të realizimit të fitimit sipas detyrës zyrtare t’i paguhet Odës, e kjo sipas tij s’ka kurrfarë baze ligjore.
Ai thotë se për avokatët e ri kjo rregullore ka kufizuar që të shkojnë në veprat e Departamentit të Përgjithshëm, mirëpo sipas tij, me Kodin e Procedurës Penale, parashihet që edhe praktikantët që janë te avokatët kanë të drejt me zëvendësu avokatin dhe me përfaqësu në lëndët që janë të dënueshme deri në 5 vite.
“Nëse gjykata nuk e anulon këtë vendim, ne do ta dërgojmë deri në Gjykatën Kushtetuese, se me këtë rregullore nuk shkelen drejtpërdrejtë vetëm të drejtat e avokatëve, por edhe të qytetarëve, sepse ata kanë të drejt me zgjedh kush i mbron, sepse oda e ka bërë që organi që e zhvillon procedurën mos me mund me caktuar avokatin, por Oda”, shprehet Rudari për Arbresh.info.
Ndërkohë pas reagimit të OAK-ut, ka sqaruar Ministria e Drejtësisë, e cila thotë se ky vendim është i bazuar në nenin 44 paragrafi 1 i Ligjit nr. 04/L-193 për avokatinë, i cili përcakton se ”
Qeveria e Kosovës mbikëqyr ligjshmërinë e akteve të përgjithshme të Odës së Avokatëve dhe ka të drejtë që gjer në vendimin e gjykatës kompetente, të ndaloj ekzekutimin e aktit i cili është në kundërshtim me ligjin.
“ Me qellim të mbrojtjes së ligjshmërisë së punës së Odës së Avokatëve, Qeveria e Republikës së Kosovës me datë 19.04.2017 ka marrë vendim nr. 05/142, me të cilin ndalohet përkohësisht zbatimi i Rregullores për caktimin e avokateve sipas detyrës zyrtare dhe ofrimin e ndihmës juridike falas deri në vendimin përfundimtarë të gjykatës. Vendimi është i përkohshëm dhe si i tillë nuk paragjykon përfundimin e procesit në lidhje me këtë çështje”, thuhet në reagimin e MD-së.
Kjo mbikëqyrje, sipas MD-së kufizohet në përfilljen e ligjit dhe të së drejtës, duke mos e cenuar autonominë administrative të Odës së Avokatëve.”
Kjo Rregullore, sipas kësaj ministrie është kontestuar nga një grup i avokatëve, të cilët vlerësimin e ligjshmërisë së kësaj rregullore e kanë dërguar në gjykatën kompetente, të cilët po ashtu kanë kërkuar nga Ministria e Drejtësisë që të inicioj procedurën për pezullimin e zbatimit të kësaj rregullore deri në vendosjen nga ana e gjykatës lidhur me këtë rast.
Ministria e Drejtësisë vendimin për pezullimin e kësaj rregulloreje e arsyeton në atë se në dispozitat e Ligjit për Avokatinë nuk parashihet nxjerrje e një akti të tillë nga ana e OAK.
Kjo rregullores sipas kësaj ministrie është derivat i një marrëveshje bashkëpunimi, ku në dispozitat e saj parasheh kufizime të caktuara për avokatë, e të cilat kufizime janë në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për avokatinë, dhe veçmas në kundërshtim me nenin 54 paragrafi1 të Kodit të Procedurës penale.
“Për mbrojtës mund të angazhohet vetëm avokati i cili është anëtar i Odës së Avokatëve të Kosovës, për të cilin mund ta zëvendësojë praktikanti i avokatisë. Kur procedura zbatohet për vepër penale të dënueshme me së paku pesë vjet burgim, praktikanti i avokatisë mund ta zëvendësojë avokatin vetëm nëse e ka kaluar provimin e judikaturës. Pranë Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme të Kosovës, të pandehurit mund ta përfaqësojnë vetëm avokati i cili është anëtar i Odës së Avokatëve së Kosovës”, thuhet në nenin 54 të Kodit Penal, në të cili është bazuar MD.
Megjithatë kjo ministri thotë se është konsultuar me përfaqësues të OAK-ut me qëllim të gjetjes së një zgjidhje për këtë çështjeje.
Ndryshe, kjo rregullore e pezulluar nga Qeveria është miratuar me datë 30.06.2016 nga Oda e Avokatëve të Kosovës dhe është rezultat i marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të Odës se Avokatëve të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurial të Kosovës dhe Policisë së Kosovës , për themelimin e mekanizmit koordinues për mbrojtje gjyqësore me shpenzime publike në çështjen penale të lidhur me datë,26 Prill 2016”, thuhet në komunikatën e MD-së.
Kjo rregullore ua ndalon angazhimin avokatëve pa përvojë prej tri vjetësh vetëm në rastet kur paguhen nga buxheti i shtetit.
Në rastet e angazhimeve nga të pandehurit, atyre nuk u ndalohet që të mbrojnë edhe në rastet e krimeve më të rënda, ani se mund të mos i kenë tri vjet përvojë pune./Arbresh.info/ Gita Lushi
Llapi ndahet me stafin e trajnerëve
Kurti: Pasaporta e Kosovës në top 10 pasaportat e botës që k...
Ligje të rëndësishme rrezikojnë të kthehen në pikën zero
“U dje kish nis”, videoja që nxjerr produksionin zbuluar – b...
Në një fesitval golash, Liverpooli triumfon derbin në udhëti...
Deri në dy orë pritjet në Jarinje për të hyrë në Kosovë