Pezullimi i Rregullores së Odës së Avokatëve të Kosovës për angazhimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare tash e sa muaj nga Qeveria e Kosovës , ka ulur kualitetin e përfaqësimeve sipas detyrës zyrtare, dhe ka rritur nxitjen e korrupsionit në mes akterëve të sistemit të drejtësisë.
Menjëherë pas marrjes së vendimit të qeverisë më 19 prill për pezullimin e kësaj rregulloreje, OAK pati organizuar një konferencë urgjente ku kishte kundërshtuar këtë vendim, duke e cilësuar si ndërhyrje të ekzekutivit në drejtësi dhe kishte kërkuar tërheqjen e menjëhershme të këtij vendimi.
Mirëpo, edhe pesë muaj nga pezullimi i rregullores, Qeveria e Kosovës nuk ka ndërmarrë asnjë hap në ndryshimin e vendimit.
Madje, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës as nuk duan të flasin për këtë çështje.
Zëdhënësi i qeverisë, Faton Abdullahu i ka thënë portalit “Arbresh.info” se për këtë çështje duhet të pyetet Ministria e Drejtësisë.
Faton Abdullahu-Qeveria e Kosovës
“Rreth kësaj çështje ju lutem kontaktoni Ministrinë e Drejtësisë. Shpresoj shumë që atje të gjeni informata më të përditshme”, është shprehur Abdullahu.
Ndërkohë në një deklaratë më herët, zyrtarë të MD-së patën thënë se ky vendim nuk paragjykon vendimin e gjykatës, duke shtuar se Ministria e Drejtësisë nuk shfuqizon vendimet e qeverisë.
Por, zyrtarë të Odës së Avokatëve të Kosovës thonë se pezullimi i Rregullores së OAK për angazhimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare, është ndërhyrja e parë e qeverisë në OAK dhe që automatikisht është cilësuar si ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.
Drejtori Ekzekutiv i Odës së Avokatëve të Kosovës, Florim Shefqeti, thotë se kësaj rregulloreje i kishte paraprirë memorandumi i bashkëpunimit i sponsorizuar nga OSCE dhe i nënshkruar nga KGJK-KPK-OAK dhe Policia e Kosovës.
Shefqeti i ka thënë “Arbresh.info” se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk është përgjigjur asnjëherë lidhur me kërkesën e OAK-ut për tërheqjen e këtij vendimi.
Ai thotë se pezullimi i kësaj rregulloreje po u hap rrugë shumë keqpërdorimeve në sistemin e drejtësisë.
Sipas tij, OAK konsideron që përmes vendimit të Qeverisë është bërë ndërhyrje në sistemin gjyqësor, duke ndikuar në uljen e kualitetit të përfaqësimeve sipas detyrës zyrtare, menaxhimin e parasë publike nga e cila është bërë kompensimi për angazhimin sipas detyrës zyrtare, nxitjen e korrupsionit në mes akterëve të sistemit të drejtësisë, pezullimin e radhës së angazhimit të avokatëve sipas detyrës zyrtare i cili ishte vendosur sipas kësaj rregulloreje, në efikasitetin në procedura, etj.
Ai ta se të gjitha vendimet e gjykatave ishin në favor të rregullores.
“Pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë Departamenti për Çështje Administrative është duke u zhvilluar procedura sipas padisë së paditësve për anulimin e kësaj rregulloreje nën shenjën A.nr. 1759/16 dhe A.nr. 1714/16). OAK ka dërguar përgjigjen në padi dhe ka konsideruar që Gjykata, në Konfliktin Administrativ nuk ka kompetencë për të bërë vlerësimin e ligjshmërisë së RREGULLOREVE, por vetëm të vendimeve administrative (Ligji për konfliktet Administrative neni 13, 15)”, shprehet Shefqeti.
Florim Shefqeti-OAK
Sipas tij, për këtë çështje OAK ka pranuar aktvendimin A.nr. 1714/16 dt 24.11.2016 nga ana e Gjykatës Themelore, përmes së cilit një propozim për pezullimin e rregullores ishte REFUZUAR (vendosje meritore) , kjo sipas tij para kohës së ndërhyrjes së Qeverisë .
Po ashtu, sipas tij, nga ana e Gjykatës së Apelit ishte refuzuar ankesa kundër këtij aktvendimi dhe ishte vërtetuar AKTVENDIMI I PËRMENDUR. (në këto dy raste ishte bërë vendosje meritore lidhur me këtë çështje aktvendimi A.A.nr. 2/2017 i dt 12.01.2016).
Shefqeti thotë se aktualisht OAK-u është në pritje të vendosjes nga ana e gjykatës lidhur me padinë e ushtruar nga paditësit për anulimin e rregullores, duke bërë dërgimin e urgjencave për trajtimin e kësaj çështjeje.
Në anën tjetër zyrtarë të Institutit të Kosovës për Drejtësi, të cilët monitorojnë seancat gjyqësore, thonë se pezullimi i kësaj rregulloreje e ka kthyer sistemin e drejtësisë në vitin 2016 në kohën kur caktimi i përfaqësimit sipas detyrës zyrtare ishte kritikuar në vazhdimësi nga akterë vendore dhe ndërkombëtar.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se ky institut gjatë monitorimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë, respektivisht seancave gjyqësore ka monitoruar edhe zbatimin e obligimit ligjor lidhur me caktimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare nga ana e prokurorisë dhe gjykatave.
Ai thotë se një bashkëpunim institucional mes Odës së Avokatëve, Këshillit Prokurorial, Këshillit Gjyqësor dhe Policisë që ishte funksionalizuar përmes një Rregullore të miratuar nga Oda e Avokatëve të Kosovës, kishte arritur që më në fund të vendosej rregull dhe ngritje të kualitetit të përfaqësimit gjyqësor në rastet e përfaqësimit sipas detyrës zyrtare.
“ Fatkeqësisht, si rezultat i vendimi të qeverisë, rregulli dhe praktika e mirë e ndërtuar në mes të institucioneve ishte anuluar dhe kishte kthyer gjendjen e para vitit 2016. Sigurisht se në çdo fushë ku nuk ka rregull, krijohet mundësia e abuzimit, dhe në këtë rast më së shumti dëmtohen qytetarët e Kosovës, respektivisht mund të shkelen të drejtat dhe liritë themelore të personave që janë subjekt të procedurave penale në mungesë të përfaqësimit adekuat gjyqësor”, thotë Miftaraj.
Ehat Miftaraj-IKD
Ndryshe, kjo rregullore e pezulluar nga Qeveria ishte miratuar më datë 30.06.2016 nga Oda e Avokatëve të Kosovës si rezultat i marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të OAK-ut, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Policisë së Kosovës , për themelimin e mekanizmit koordinues për mbrojtje gjyqësore me shpenzime publike në çështjen penale të lidhur me datë, 26 Prill 2016”.
Me këtë rregullore ndalohej angazhimi i avokatëve pa përvojë prej tri vjetësh vetëm në rastet kur paguhen nga buxheti i shtetit.
Në rastet e angazhimeve nga të pandehurit, atyre nuk u ndalohej që të mbrojnë edhe në rastet e krimeve më të rënda, ani pse mund të mos i kenë tri vjet përvojë pune./Arbresh.info/ Gita Lushi
20 vjet nga cunami që solli vdekjen e 230 mijë personave, fa...
“Mos gënje”, “mashtruese”, plas debati mes Xhenetës dhe Sarë...
Guardiola tregon se ku dështoi City ndaj Evertonit
Çmimet 2 herë më shtrenjtë se në 2013, Berisha: Shqipëria e ...
Kurti mori pjesë në ceremoninë e fundvitit të organizuar nga...
Juventus po planifikon ta transferojë yllin e Dortmundit