Google ADS

Rrëfimi i gruas nga Gjakova që “u martua” me Zotin

08:48 | 31 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Ishte vetëm pesëmbëdhjetëvjeçare kur vendosi të privohej nga dashuria e liria. Age Çeta, nga fshati Meqë e Gjakovës, i ndau në gjysmë ëndrrat e fëmijërisë për t’ia kushtuar një jetë të tërë misionit prej një motre nderi.

Tashmë janë bërë 35 vjet qëkur ajo vishet në petkun e bardhë, e ndarë nga kënaqësitë e botës, dhe për ne rrëfen me nostalgji kohën kur mendonte të krijonte një familje sikurse njerëzit e zakonshëm.
Age Çeta, rreth të pesëdhjetave, ka tri dekada të tëra që bën jetë ndryshe nga njerëzit e zakonshëm. Petku i bardhë, që ia ka mbuluar trupin për 35 vjet radhazi, vazhdon të jetë veshja e saj e preferuar.

Të tillë e konsideron atë petk që ia vodhi përjetimin e momenteve më të mira në familje.
Këmbëngulësia e saj në besëlidhjen e këtij misioni nuk arrin t’ia fshehë dot dhimbjen në fytyrë kur kujton momentin e vdekjes së të ëmës, në të cilën ceremoni nuk arriti të jetë e pranishme.

“Kam humbur nënën dhe kam qenë në aktivitete të kopshtit. Kanë lajmëruar që nëna nuk është mirë dhe kisha shpresën se nëna ka qenë disa herë e sëmurë e i kalon. Kishim ditëlindjen e një fëmije në kopsht, thashë ta kaloj edhe këtë ditëlindje, pastaj do të shkoj ta vizitoj. Jo duke pritur vdekjen, por kjo ka ndodhur si çdokund në botë, vdekja është e papritur”, rrëfen Çeta me buzët që i dridhen tek kujton atë kohë.

Dëshira e Çetës për t’u ndarë nga kënaqësitë e botës nuk u mirëprit njësoj nga familjarët. Ajo tregon vështirësitë me t’ua kumtuar lajmin familjarëve se kishte vendosur të bëhej motër nderi.

“Unë kam edhe dy motra tjera më të rritura që kanë vendosur të bëhen motra nderi dhe kam pasur të vështirë që familja ta pranojë këtë dëshirë timen. Prindërit e mi nuk kishin dëshirë aspak që unë të bëhem motër nderi. Sepse dy motra ishin larguar nga familja dhe dëshira për të mos na larguar nga familja shumë larg, kuptohet malli. Ne jemi lindur dhe jemi rritur në një familje të madhe dhe kanë menduar që në të ardhmen ta kemi një familje, gjërat që unë i kam menduar krejt ndryshe, ata kanë menduar për mua”, shton me gjysmë zëri 50 vjeçarja.

Të privuar nga jeta nuk dëshironte ta shihte as i vëllai, që e kishte regjistruar në shkollë të mesme, për t’ia pamundësuar misionin prej një motre nderi.

“Një vëlla m’i ka marrë të gjitha dokumentet dhe më ka regjistruar në shkollë të mesme pa dijeninë time. Kam vazhduar, por e kam parë që dëshira ime më tepër ishte hulumtimi sepse më vonë e kuptova që të jesh motër do të thotë t’i shërbesh Zotit e ajo më tërhiqte më tepër duke qenë që edhe nga zemra ndieja se kam diçka për të dhënë më shumë dhe kam mundësi për të dhënë më shumë. Nga shëndeti isha mirë dhe kjo dëshirë vazhdimisht rritej. Asnjëherë s’kam menduar për gjëra tjera që mund të jenë ndryshe”, shprehet me këmbëngulësi motra e nderit.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme