Rrëfimi i gazetares ukrainase e cila po qëndron si refugjate në Kosovë

00:52 | 21 Qershor 2022
Trina Galanxhi

Kosovarët që dikur ishin refugjatë, tani po pranojnë e ndihmojnë të tillë.

Strehë këtu tash e disa ditë kanë gjetur disa ukrainas, të cilët njëjtë si shqiptarët dikur, u detyruan të ikin nga vendi për shkak të luftës që e nisi Rusia.

Njëra nga to është edhe Daria Meshcheriakova, e cila është njëra nga gazetaret e cila aktualisht është strehuar në Prishtinë.

Në një intervistë në Edicionin Special në Klan Kosova, Meshcheriakova tha që ka qenë gjithmonë e interesuar për historinë e Kosovës.

“Unë përfundova në Kosovë sepse mua më ka pëlqyer gjithmonë ky rajon dhe unë kam qenë çdoherë e interesuar në historinë e Kosovës dhe veçanërisht për luftën që është zhvilluar këtu. Kështu që kur pashë se Qeveria e Kosovës bëri një program për gazetarët nga Ukraina, unë aplikova menjëherë sepse unë kam qenë këtu gjithmonë vetëm si turiste, duke mbledhur rrëfime për luftën”.

“Por, tani e kam kuptuar që mund të kaloj më shumë kohë këtu dhe mund të rri në Kosovë e jo diku tjetër sepse unë vërtetë besoj që njerëzit këtu na kuptojnë më së miri nga e gjithë Evropa dhe kur unë erdha këtu para tre javësh e kuptova se kisha të drejtë sepse sa herë që flas me ndonjë individ nga Kosova, unë nuk kam pse shpjegoj çfarë po ndodh”.

Tutje ajo ka thënë që Qeveria e Kosovës e ka ndihmuar shumë.

“Secili më ka pritur këtu me gjithë zemër dhe unë qëndroj këtu në banesën time nëse mund të thuhet sepse Qeveria e Kosovës më ndihmon shumë në këtë aspekt. Unë kam mbërritur me macen time, kështu që e ndajmë këtë banesë bashkë dhe çdo ditë ndjej mbështetje nga njerëzit e Kosovës.
Unë kam vetëm prindërit dhe ata janë nën okupim, qyteti im ka qenë i okupuar që nga 2014-ta dhe prindërit e mi nuk po mund të ikin nga aty për momentin”, tha ajo.

“Askush s’është i sigurt në Ukrainë në këto momente që flasim. Unë nuk mund të them që ata janë të sigurt por po ia dalin disi. Ne flasim çdo ditë edhe pse nuk ka internet në Ukrainë, e kanë shkëputur. Por, fatmirësisht prindërit e mi kanë akoma internet dhe ne flasim çdo mbrëmje për situatën. Nuk mund të ju tregoj çdo gjë që ata më thonë sepse brengosem shumë për sigurinë e tyre, por Rusia nuk po ndalon së dërguari trupat e tyre dhe armët e tyre në Ukrainë”.

“Nuk ndihem e pasigurit këtu, Kosova është një vend shumë i mirë, një vend shumë mikpritës, por unë nuk dua ta quaj veten refugjate, jam një e zhvendosur përkohësisht. Unë do të kthehem në Ukrainë”.

Meshcheriakova tha që çdo ditë shpreson që luftës t’i vijë fundi dhe të kthehet në shtëpi.

“Do të vazhdoj të punoj në Ukrainë dhe po, unë vetëm dua që kjo luftë të mbaroj dhe pastaj unë do ta kujtojë Kosovën si një vend të mrekullueshëm që më ka mirëpritur. Absolutisht, si mund të mos më mungoj vendlindja ima. Unë e humba qytetin tim tetë vjet më parë dhe vendi ku kam jetuar për 17 vjet dhe lashë gjithçka prapë në Kiev dhe mora vetëm macen time, disa gjëra të çmueshme dhe ika në muajin mars”.

“Çdo ditë ëndërroj që kësaj lufte t’i vije fundi dhe unë të kthehem në shtëpi. Lufta është e njëjtë për shkak të propagandës serbe dhe asaj ruse. Ata e bënë këtë lufte të duket ndryshe për qytetarët e vet. Të afërmit e mi në Rusi më urrejnë, më quajnë naziste dhe ne kemi këputur çdo marrëdhënie me ta sepse është e pamundur pasi ata tërë kohën më kërcënojnë. Të afërmit e mi rus, njëjtë me njerëzit nga Serbia, ata kanë këtë lidhje të fortë me Rusinë dhe po, më kanë kërcënuar në Facebook, më kanë fyer shumë vetëm se jam nga Ukraina”.

“Këtë e bënë pasi e kuptuan se do të jem në Kosovë, kur unë e ndava rrëfimin tim dhe nuk dhashë ndonjë deklaratë politike, kështu që serbët më kërcënuan vetëm sepse jam nga Ukrainë. Unë këtu punoj çdo ditë. Unë bëj çdo gjë për ta ndihmuar Ukrainën dhe froni i informacionit është shumë i rëndësishëm, gjithashtu sepse ju e shihni çfarë po bën Rusia me propagandë, kështu që ne po provojmë t’i tregojmë Evropës çfarë në të vërtetë po ndodh atje. Kështu që, po, jam shumë e lumtur që jam në gjendje të punoj këtu dhe i kam të gjitha kushtet për ta bërë këtë”, tha ajo.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme