Google ADS

Rrëfimi i dy pjesëtarëve të FSK-së, që përfunduan akademinë ushtarake më të njohur në SHBA

21:04 | 10 Tetor 2020
Arbresh.info

Në akademinë ushtarake më prestigjioze në botë West Point, për herë të parë u thirr edhe emri i Kosovës.

Madje, kjo ndodhi dy herë!

Kjo falë dy pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Yll Dalladaku e Arelena Shala, që u bënë të parët nga Kosova që përfunduan akademinë në West Point.

Diplomimin e tyre, Ylli e Arelena e bënë para presidentit amerikan, Donald Trump.

Tash e tre muaj, Ylli është kthyer dhe po shërben në Ushtrinë e Kosovës.

Përvoja që e ka marrë në West Point, po del të jetë tejet e nevojshme për shërbimin e tij në FSK.

“Bashkëpunimi i FSK me ushtrinë amerikane ka qenë edhe më herët, prandaj kjo është vazhdimësi e bashkëpunimit. Patjetër që njohuritë që i kam marrë në West Point, do të më ndihmojnë shumë në FSK”, thotë Ylli për RTK.

Sfidat ishin të shumta. Por, kishte diçka që Yll Dalladakun nuk e kishte lënë asnjëherë të dorëzohet, ashtu siç ndodhi me 300 kadetë tjerë.

“Kur e kam ditur cilin shtet e përfaqësoj, të kaluarën tonë, motivi ka qenë shumë më i madh”, shprehet ai.

Në gjithë këtë histori, pati edhe momente interesante të cilat i rrëfen Ylli.

“Shoku i dhomës, ushtar amerikan, para du vitesh ka ardhur në Kosovë. Jam i lumtur që ai tash ka mendim të mirë për ne, dhe i kanë dalur të sakta fjalët që ia kam thënë për Kosovën”, shprehet Ylli.

Bashkë me Yllin ishte edhe Arelena Shala. Ajo tashmë po vazhdon studimet master në Amerikë. Por, në një rrëfim që kishte dhënë për West Point, kishte treguar shumëçka, duke nisur nga historia e Kosovës, FSK-së, arritja në akademi dhe planet e së ardhmes.

“Kur kam qenë 4 ose 5 vjeçe, lufta filloi në Kosovë, dhe ne u detyruam të ikim nga shtëpia dhe shkuam si refugjatë në Shqipëri. Në rrugë shihja zjarre të ndezura, tanke. Por jo shumë kohë më pas, gjithçka u rregullua, dhe për motrën time që ka lindur pas luftës, ajo çfarë ka ndodhur është diçcka e paimagjinueshme”, rrëfen Arelena.

“Në të ardhmen jam e interesuar të punojë për sigurinë ndërkombëtare, dhe kjo është arsyeja pse jam këtu. Sidomos në Ballkan, ku ka ende tentime për konflikt, dhe situata e sigurisë është e paqëndrueshme. Të gjitha shtetet kanë luftuar për pavarësi, kur tash po mundohen ta fuqizojnë këtë pavarësi, dhe ta rrisin sigurinë. Ky është synimi, të punojë për rritjen e sigurisë në Ballkan”, shprehet ajo.

Ylli dhe Arelena ishin të parët që shkruan këtë histori, por ata shpresojnë se këtë rrugë do ta vazhdojnë edhe shumë kadetë të FSK-së.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme