Google ADS

Rrëfimi i Bashkim Osmanit për mediet kroate, ishte i pasur ende pa shkuar në Gjermani

11:24 | 18 Shkurt 2022
arbresh.info

Bashkim Osmani posedon një pasaportë kroate. Në vitin 2007 ai bleu një hotel në qendër të Poreçit, një qendre turistike në Kroaci. Kësisoj, në atë kohë, ai realizoi një intervistë për gazetën Nacional.

Në atë kohë, Osmani tha për të përjavshmen politike kroate se ishte pasuruar duke investuar në prona të paluajtshme, fillimisht në Hamburg dhe më pas në Spanjë.

Familja Osmani konsiderohej një nga familjet më të pasura shqiptare në Gjermani, transmeton paparaci.

Bashkim Osmani krijoi shumë njohje dhe zgjeroi ndikimin e tij në politikë dhe shërbeu si këshilltar i Ministrit të Kulturës dhe Sportit të Kosovës, shkruan Nacional.

Familja Osmani është nga rrethi i Gjakovës, prej nga u shpërngulën në Hamburg në mesin e viteve 1980.

“Gjithçka filloi në fillim të viteve tetëdhjetë kur vëllai i parë Qazimi u largua nga Gjakova për në Gjermani, dhe ne shkuam pas tij. Në atë kohë në Jugosllavi, si shqiptarë, nuk kishim perspektivë, sidomos nëse ishe ambicioz”, tha ai.

“Familja jonë ka qenë gjithmonë e famshme. Në Kosovë edhe para luftës së dytë botërore dhe pas lufte babai ka qenë politikan prandaj as në Gjermani nuk kemi shkuar me kruese dhëmbësh në gojë. Ne kishim një nga restorantet më të mëdha në Prishtinë, ishim pronarë të parcelave të mëdha tokash në Kosovë, kishim aksione pronësie në argjendari, nuk mund të ankoheshim”, rrëfeu ai.

Osmani, asokohe thoshte se ai dhe vëllezërit e tij nuk janë si shqiptarët e tjerë.

“Por cilësia e jetës në Kosovë ishte e ulët. Udhëtuam, pamë botën, nuk ishim si shqiptarët e tjerë që mendonin se duhej të bënim dhjetë fëmijë dhe kaq. Jeta nuk është kështu, ne donim lirinë tonë, dhe ju e dini se si dukej Kosova viteve 1980”, ka thënë ai në një intervistë të vitit 2007.

“Ishin vite të mira, unë isha 30 vjeç, isha i ri, kisha para dhe kisha njerëz që më këshillonin mirë. Një mik hebre atëherë më tha ‘bli dhe lësho me qira, por kurrë mos shit pasuri të paluajtshme dhe kështu nuk do të jesh kurrë i varfër’. Bleva të gjithë rrugën në qendër të Hamburgut, më shumë se 200 apartamente të vjetra që i rimodelova dhe i lëshova me qira. Kjo blerje më kushtoi 20 milionë marka gjermane. Isha me fat që çmimet e pasurive të paluajtshme u rritën me 15 deri në 20 për qind brenda dy viteve”, rrëfeu Bashkim Osmani. “Atëherë pashë se sa fitimprurës ishte ai biznes.”

Bashkim Osmani, bashkë me tre vëllezërit e tij, Bekimin, Qazimin dhe Burimin, u kapën në Kroaci, raportoi të mërkurën gazeta kroate Jutarnji List.

Mediat belge ishin të parat që raportuan për operacionin ku morën pjesë 600 policë dhe që u shtri në 7 vende evropiane, të organizuar nga Europol. Në shënjestër ishte një organizatë e trafikut të kokainës, në të cilën dyshohet se ishin të përfshirë edhe shqiptarët./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme