Gratë e agrobiznesit prezantojnë prodhimet e tyre në panairin “EcoKosWomen”,
Ka përfunduar panairi i tretë me radhë, i cili ka për qëllim promovimin e produkteve të grave në agrobiznes.
Kjo fushatë organizohet nga OJQ “EcoKosWoman” dhe ka për qëllim mbështetjen dhe fuqizimin e grave në biznese, raporton Arbresh.info.
Shumë gra nuk kanë mundur ta gjejnë veten në ndonjë punë dhe kjo i kishte penalizuar ato në zhvillimin ekonomik dhe pavarësimin financiar.
Por, organizata “EcoKosWoman” në bashkëpunim me disa organizata të tjera, ua ka mundësuar këtyre grave krijimin e bizneseve të tyre dhe të gjetjen e punës që u pëlqen ta bëjnë.
Valbona Sopa ka 20 vjet që merret me prodhime vendore, duke filluar nga domatet, trangujt e specat.
Nevoja për t’i ndihmuar bashkëshortit të saj, i cili ishte i plagosur në luftë, e kishte shtyrë atë të merret me bujqësi.
Ajo thotë se në fillim ishte shumë vështirë, mirëpo asnjëherë nuk ishte dorëzuar.
“Mirë ia kemi dal edhe pse është punë e vështirë mirë ia kemi dal. Që 20 vite merrem me prodhime vendore. Ka qenë shumë e vështirë sepse bujqësia nuk është shumë për femra. Por, burrin e kam të plagosur në luftë dhe jam detyruar që të merrem me këtë profesion t’i ndihmoj burrit. Çdo fillim ka vështirësi por nuk duhet të dorëzohemi asnjëherë dhe duhet të kemi përkrahje nga familja dhe institucione”, tha Sopa.
Valdete Sahiti, përfaqësuese e komunës së Vitisë, në këtë panair ishte për të promovuar turshitë që i përgatit vetë.
Ajo nuk kishte arritur ta krijojë biznesin e saj, ani pse me profesion është ekonomiste.
Sahiti, na tregon vështirësitë që kishte hasur në fillimet e biznesit të saj.
“Me këtë veprimtari merrem që gjashtë vite, jemi formuar si shoqatë e grave për përpunimin e produkteve, duke e parë që ka përparësi kemi parë të arsyeshme që të bëhemi si biznes. Si ide ka qenë trajtimi nga organizimi “Woman for Woman” dhe kjo ka qenë shtytje për të filluar. Ka qenë një fillim i ri kam parë vetëm nënën dhe gjyshen duke u marr me turshi, kurse tani merrem vet. Është vështirë çdo fillim ka sfidat por me kalimin e kohës ia kemi dal”, tha ajo.
Edhe Shqipe Shala nga komuna e Prizrenit, ishte pjesë e këtij panairi. Por, ndryshe nga Sahiti, ajo këtu prezantoi prodhimin e mjaltës 100 për qind natyrale.
Me këtë biznes ajo thotë se merret më shumë se 10 vjet. Edhe Shala na tregon vështirësitë e saj në fillimet e biznesit me mjaltë.
Ajo thotë se posedon rreth 300 koshere bletësh.
“Kam ardhur për të prezantuar produktet e mia që punoj me bletë dhe punoj me produktet e mjaltit. Mjalta e jonë është 100 për qind natyrale, vetëm ne edhe bletët jemi në atë rajon. Vitet e para ka qenë vit shumë i vështirë, kisha dëshirë të punoj dhe kur u martova kisha nevojë për punë dhe fillova biznesin falë përkrahjes së bashkëshortit. Tani kemi përmbi 250 koshere me bletë është viti i 13 që e kam hapur biznesin”, tha Shala.
Ndërsa organizatorja e kësaj fushate, Daniella Çoçaj, ka thënë se qëllimi i kësaj organizate është mbështetja dhe promovimi i produkteve të bëra nga gratë.
Ndërsa zëvendësministri Ministrisë së Bujqësisë, Imri Demelezi, i cili ishte prezent në hapjen e panairit, ka mbështetur fuqishëm këto gra si moralisht, por edhe ekonomikisht.
Demelezi për Arbresh.info ka bërë të ditur se në këtë fushatë 145 gra kanë fituar grande në vlerë mbi shtatë milionë euro.
Në fund gratë të cilat ishin pjesëmarrëse në këtë panair lanë një mesazh për të gjitha ato gra të cilat nuk janë në punë dhe dëshirojnë të fillojnë të krijojnë diçka të veten.
Ato u bënë thirrje të gjitha grave që të mos dorëzohen dhe të kenë besim që do ’ia dalin edhe vetë ani pse fillimet mund të jenë të vështira. /Arbresh.info/Diellza Gashi/
Rumania – Kosova, Foda zgjedh 11-shen startuese
Kurti u takua me Alam, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me ...
Kreu i IAEA viziton zonat bërthamore nëntokësore të Iranit
Shkodër: Sekuestrohen gati 700 mijë euro të fshehura në dyer...
Aksident në autostradën Veternik-Bresje, lëndohen katër pers...
Rashica shënon gol në miqësoren e Shqipërisë U21 ndaj Moldav...