Është njëri nga pacientët më të vjetër në Qendrën Integruese e Rehabilituese të Sëmurave Kronik Psikiatrik në Shtimë dhe vuan nga sëmundja e Skizofrenisë, sëmundje kjo që konsiderohet të jetë njëra nga më të rëndat e sëmundjeve psikike.
A.D teksa flet për kushtet e kësaj qendre, në të cilën ka vite që është shtruar, thotë se është harruar nga familja e tij.
Ai, tregon se nuk është vizituar prej kohësh nga djali i tij i vetëm.
Dashuria dhe malli për djalin e tij shihet në sytë e tij, derisa thotë se ka vite që nuk ia ka parë fytyrën.
“Unë e kam një djalë, ai është shumë i bukur edhe i mirë. Por nuk po më dëgjon mua. Nuk po vjen me më pa hiq, Nuk e kam pa që sa vite. Kushtet këtu i kemi të mira”, shprehet A.D .
Edhe A.B, i cili ka 10 vjet që është vendosur në këtë qendër, thotë se këtu ndjehet më mirë se në shtëpinë e tij.
Nga familja e tij, ai përmend vetëm motrën, e cila nuk e ka vizituar asnjëherë që nga momenti kur ai është vendosur në këtë qendër.
“Kushtet janë shumë të mira. Besnikun e kemi, na kontrollon dhe jam më mirë se në shtëpinë time. Jam këtu që 10 vite dhe s’kam ku shkoj. Këtu po më pëlqen edhe buka. E kam një motër, por ajo nuk po vjen me më vizitu”, thotë A.B.
Zenelaj: Momentalisht kemi 63 pacientë, qëllimi ynë është rikthimi i pacientëve në familje dhe në jetën e tyre të përditshme
Qendra Integruese Rehabilituese e të Sëmurave Kronik Psikiatrik në Shtime ofron kujdes të shërbimit profesional të shëndetit mendor, ajo ndahet në disa reparte dhe ka gjithsej 48 dhoma, shkruan arbresh.info
Drejtori i kësaj qendre, Miftar Zenelaj tregon se në Qendrën Integruese e Rehabilituese të Sëmurave Kronik Psikiatrik në Shtimë, aktualisht po trajtohen 63 pacientë, të cilët sipas tij, u takojnë komuniteteve të ndryshme.
Zenelaj pohon se ky institucion është i tipit të hapur dhe qëllimi i tij është t’i përgatit pacientët të rikthehen në familje dhe jetën e tyre të përditshme.
“Momentalisht i kemi 63 pacientë të cilët marrin trajtimin adekuat në bazë të nevojave shëndetësorë të cilat i kanë.
Në këtë institucion pranohen ata pacientë të cilat kanë nevojë për trajtim më afatgjatë ndërsa procedurave të pranimit të pacientëve këtu, ekziston një komision 5 anëtarësh, i cili bënë vlerësimin e tyre. Zakonisht pranohen pacientët që nuk kanë përkujdesje familjare dhe ata të cilët nuk mund ta trajtojnë vetveten. “, tha ai.
Zenelaj, ndërkohë njoftoi edhe për stafin që e posedon ky institucion.
“Kemi një ekip multi-disiplinore e cila bënë vlerësimin paraprak të gjendjes së pacientit, dhe fillon trajtimi me psikoterapi dhe farmako-terapi (trajtim me barna). Kemi Psikiatër, psikologë, punëtorë social, infermierë.”
Ai, më tutje tha se në këtë qendër kryesisht trajtohen pacientët me skizofreni e cila është sëmundje e shkallës më të rëndë prej të gjitha çrregullimeve mendore.
“Prej më të shpeshtave të cilët trajtohen, edhe kryesisht janë pacientët me skizofreni e cila është sëmundje e shkallës më të rëndë prej të gjitha çrregullimeve mendore dhe kërkon trajtim profesional. Ne aktualisht trajtojmë pacientë nga regjione të ndryshme të Kosovës, por kemi edhe pacientë të cilët janë edhe jashtë Kosovës siç janë Serbia, Maqedonia, Kroacia dhe Bosnja”, tregon Zenelaj
Zenelaj: Ka raste kur familjet kanë hequr dorë prej tyre, kjo ndikon keq në gjendjen emocionale të pacientëve
Drejtori i kësaj qendre, tregon se ka familje të cilat kanë hequr dorë prej disa pacientëve.
Dhe kjo gjë sipas tij, ndikon negativisht në trajtimin e tyre.
“Bashkëpunimi familjar me pacientët tonë është i kënaqshëm deri diku, pra nuk është në nivel të duhur ashtu siç duhet. Një pjesë e familjeve nuk janë shkëputur nga familjari i tyre që është këtu, por ka edhe nga ata që as nuk kanë dëshirë të dëgjojnë për anëtarin e tyre që trajtohet këtu. Bashkëpunimi familjar në fakt ndihmon shumë ne gjendjen shpirtërore në gjendjen e pacientëve, sepse këta nuk i kanë të shkëputura lidhjet emocionale me familjet e tyre”, shprehet Zenelaj.
Ai, madje shton se disa nga pacientët këtu vazhdimisht kërkojnë që të vizitohen nga familjarët e tyre.
“Këta gjatë gjithë kohës kërkojnë që të vizitohen nga familjaret, apo t’i vizitojnë familjet ku janë lindur dhe rritur. Kemi praj atyre që gjatë vikendit i vizitojnë familjet e tyre. Ne anët tjetër ne organizojmë edhe shëtitje jashtë të cilët mendojmë që i ndihmon”, pohon ai.
Zenelaj, tha se shumica e pacientëve që trajtohen tërësisht, nuk kanë vend ku të shkojnë ngase i është hequr Zotësia e Veprimit, dhe familjarët e tyre kanë hequr dorë nga ta.
“Një pjesë e konsiderueshme e këtyre pacientëve i është hequr Zotësia e Veprimit. Që nënkupton se këtyre pacientë iu është marrë prona e cila është e pa drejtë. Nëse këta pacientë kanë një përmirësim të gjendjes së tyre psikikë, këta njerëz nuk kanë pronë, nuk kanë ku të kthehen dhe është problem i madh që ne ballafaqohemi si institucion. Kemi apeluar disa herë deri tek gjykatat dhe nuk kemi marrë përgjigje konkrete për heqjen e [praktikës së marrjes së zotësisë së veprimit. Kemi pasur raste që shumë pacientë janë shëruar por nuk kanë ku të shkojnë dhe për këtë arsyeje shteti e ka për obligim që këta persona t’i mbajë në institucione rezidenciale.”, u shpreh Zenelaj.
Qendra e të Sëmurëve Kronik Psikiatrik , sipas tij, tashmë po i plotëson të gjitha nevojat e pacientëve, pasi që këtu janë bërë investime të dukshme.
“Këtë institucion e mbështesin Ministria e Shëndetësisë dhe SHSKUK-ja me donacione dhe shumë organizata të huaja. Në tre vitet e fundit kemi pas investime të jashtëzakonshme. Momentalisht kemi një projekt për ndërtimin e njësisë rehabilituese, ku do të trajtohen pacientët me aktivitete ditore, terapi të punës, terapi mbështetëse etj. Kemi bërë kërkesë në SHSKUK për letë por nuk kanë pasur fonde. Kemi kërkuar edhe nga organizatat tjera të huaja por ende nuk kemi përgjigje. Vlera e saj është di kund rreth 200 mijë euro”, deklaroi drejtori Miftar Zenelaj.
Psikologu: Pacientët shprehin botën emocionale të tyre përmes pikturës
Përveç aktiviteteve të ndryshme, pacientët mund të argëtohen duke pikturuar, përmes së cilës shprehin botën emocionale të tyre.
Besnik Sadiku – Psikolog i kësaj qendre, tregon mënyrën se si trajtohen pacientët e kësaj qendre
“Unë jam psikolog klinik, ku bëjë këshille psikologjike dhe terapi të ndryshme. Momentalisht jemi duke e bërë aktivitetin Art Terapi, ku pacientët me anë të këtyre vizatimeve e tregojnë botëkuptimin e tyre. Kështu qe një vizatim i tyre na ndihmon shumë për rikthimin e kujtimit t tyre. Aktualisht nuk kemi probleme. Kemi formuar edhe një ekip multi-disiplinore që i ka munguar kësaj qendre.”, tha Sadiku.
Kuzhina e kësaj qendre ofron një meny të gjerë dhe të llojllojshme për pacientët.
Shërbime të mira nuk mungojnë as në lavaneteri, e po ashtu edhe tek berberi i qendrës
Dhoma e televizionit, është njëra nga vendet më të preferuarat të pacientëve, pasi këtu ata mblidhen dhe së bashku shikojnë kanale të ndryshme televizive, duke u dhënë atyre ngrohtësinë e një familje që u mungon./A.Begolli/arbresh.info/
Çmimet e barnave të unifikuara nga 1 janari, Kurti: Edhe një...
Sali Berisha i bashkohet protestës së opozitës në Tiranë: Nu...
Shkëlqeu ndaj ish-skuadrës së tij, Hot “MVP” i javës
Vëllaznimi rikthen Myreon Jones
Ushtarët e KFOR-it kryejnë stërvitje të përbashkët evakuimi
Nis protesta e opozitës në Shqipëri, bllokohen disa rrugë në...