Ish-sekretari permanent i Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Rrecaj, ishte dëshmitar i radhës në gjykimin për transplantimet e organeve që pretendohet se u bënë në klinikën “Medicus”.
Rrecaj gjatë dëshmisë së tij kryesisht u pyet në lidhje me kërkesën të cilën Lutfi Dervishi në emër të klinikës “Medicus” e kishte bërë në Ministrinë e Shëndetësisë me qëllim të licencimit për të kryer shërbime urologjike të transplantimit të organeve.
Rrecaj, i cili tha se në pozitën e ushtruesit të detyrës së sekretarit permanent kishte qëndruar që nga marsi i vitit 2007 dhe se në të njëjtën kohë kishte qenë edhe kryesues i bordit për licencim të institucioneve shëndetësore, tregoi se gjatë asaj kohe kishte pranuar një kërkesë nga klinika ”Medicus” për t’u licencuar për të kryer shërbime urologjike por që nuk kishte qenë aplikim.
“Ka pasur kërkesë. Unë atëherë e kam bërë shpjegimin me letër se çfarë do të thotë kërkesa e çfarë aplikimi. Kërkesa mund të bëhet më shkrim, nga zyrtar, qytetar, profesionist shëndetësor etj.
Ndërsa aplikimi dhe format e aplikimit janë në zyrën e aplikimit me procedurat e aplikimit sipas ligjit” tha Rrecaj kur u pyet nga prokurorja nëse gjatë kohës sa ai kishte qenë kryesues i bordit për licencim të institucioneve private shëndetësore të kishte pranuar ndonjë aplikacion nga klinika “Medicus” për licencimin e transplantimit të organeve.
“Sipas kujtesës suaj deri sa keni qenë në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, asnjë licencë klinikës “Medicus” nuk i është dhënë për shërbime urologjike a është kjo e saktë?”, e pyeti prokuroja dëshmitarin.
Gjë për të cilën dëshmitari tha se ashtu është.
I pyetur nga prokurorja se kur është kontaktuar për herë të parë nga klinika “Medicus” dëshmitari tha se ai nuk e mban mend saktë me datë por tha që kjo mund të vërtetohej në letrat që ata kishin këmbyer.
“Me datë nuk më kujtohet por janë letërkëmbimet kur këta e kanë bërë kërkesën dhe më kanë dhënë idenë e tyre se janë duke menduar/planifikuar që të bëjnë trasplante të veshkave për pacientet që kishin nevojë”, tha Rrecaj.
Në lidhje me këtë dëshmitari tha se Ministria e Shëndetësisë kishte qenë e informuar edhe më parë, para se të jepej kjo ide, mirëpo legjislacioni në atë kohë nuk ka qenë i arrirë kurse pas kërkesës nga “Medicusi” nga ana e kabinetit dhe ministrit ishin iniciuar përpjekjet për draftimin e ligjit për transplantim të organeve.
“Janë bërë përpjekjeje të draftohet, është bërë një draft dhe i është dërguar ministrit edhe klinikës “Medicus” që ka kërkuar në mënyrë që të iniciohet ligji por edhe nga vetë ministri/kabineti është iniciuar shkuarja e një zyrtari ligjor dhe zyrtari për licencimin e institucioneve private në Bruksel të marrë pjesë në kursin i cili ofrohet për përpilimin e ligjeve për transplantim të bazuara në standardet e Bashkimit Europian”, deklaroi dëshmitari.
“Përpilimi i legjislacionit për transplantim të cilit po i referoheni a është miratuar ndonjëherë?”, e pyeti më pas prokurorja Valeria Bolici.
Por dëshmitari tha se një draft i tillë nuk është miratuar asnjëherë përkundër dëshirës dhe nevojave të pacientëve.
Më pas ajo i prezantoi dëshmitarit një dokument të Majit të vitit 2018 dhe kërkoi nga ai që ta shpjegonte përmbajtjen e atij dokumenti.
Dëshmitari u përgjigj se ai dokument është një memo të cilën e kishte përpiluar si përgjigje në lidhje me kërkesën e cila i ishte drejtuar nga klinika “Medicus”, në të cilën përgjigje thuhej se në parim ekziston mundësia në qoftë se legjislacioni i caktuar aprovohet, “në parim mundësia për një gjë të tillë në të ardhmen” shpjegoi dëshmitari në lidhje me përgjigjën që i kishte dhënë klinikës “Medicus” pas kërkesës për licencimin e kësaj klinike për të kryer ndërhyrje të transplantimit të organeve.
Rrecaj pranoi se ishte takuar dhe kishte biseduar me dr. Dervishin edhe përmes telefonit në lidhje me licencimin e klinikës, por tha se nuk i kujtohen detajet për shkak se në atë kohë kishte qenë shumë i zënë me punë të tjera, por të gjitha kërkesave të cilat i ishin bërë me shkrim tha se i ishte përgjigjur.
Madje dëshmitari pranoi se në lidhje me këtë kërkesë kishte biseduar edhe me ministrin e atëhershëm të Shëndetësisë Alush Gashin si dhe me këshilltarin e kryeministrit në atë kohë, Shaip Mujën.
“A i ke sugjeruar ndonjëherë dr. Dervishit se ai mundet të bëjë transplantim të veshkave në klinikën “Medicus”, e pyeti prokurorja Bolici dëshmitarin por ai tha se as nuk e ka sugjeruar e as ndaluar.
“As nuk e kam sugjeruar as nuk e kam ndaluar mirëpo kam menduar për vete se janë plane që po planifikojmë për të ardhmen”, u përgjigj dëshmitari.
Ndërsa avokati Valon Hasani gjatë marrjes në pyetje, ndër të tjera kërkoi sqarime nga dëshmitari rreth përgjigjes në kërkesën të cilën klinika “Medicus” i kishte bërë bordit për licencimin e institucioneve shëndetësore.
“A mund të na shpjegoni vetëm këtë titull se çka keni menduar në momentin kur e keni shkruar: “konfirmimi i aprovimit për licencimin e shërbimeve urologjike”. Çka do të thotë kjo fjali si e keni kuptuar në kohën kur kjo është shkruar”, kërkoi të dinte avokati Hasani.
“Kjo është lëshuar si temë për diskutim. Është aprovuar në parim mundësia e spitalit, d.m.th mundësia flet për të ardhmen në parim”, u shpreh Rrecaj.
Lutfi Dervishi që ishte pronar i Klinikës “Medicus” në të cilën nga prokuroria po pretendohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.
Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.
Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet.
Gjykata e Apelit më pas ia kishte vërtetuar dënimin Dervishit, ndërsa Hajdinit ia kishte shtuar vitet e dënimit me burg nga 3 në 5 vjet, raporton Kallxo.com.
E papritur! Gili dhe Redoni i japin fund aventurës në “BBVA”
Vullneti hedh ujë në krevatin e Gjestit, Leos dhe Drilonit –...
Kurti vizitoi hapësirat e investimeve të efiçiencës së energ...
Zbulohet gjiganti evropian që Brahim Diaz e ka refuzuar në v...
Veliaj përfundon dëshminë në SPAK pas rreth 5 orësh: Do jap ...
Krimet ekonomike në Komunën e Graçanicës, dy persona shoqëro...