Dhuna ndaj të moshuarës në shtëpinë e pleqve në Pejë ka nxitur reagime dhe shqetësime, jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë saj.
Ndonëse vite më parë për moshën e tretë në vendin tonë është treguar respekt, tani dalin pamje që shfaqet dhunë e përqeshje ndaj një të moshuare që ishte strehuar në shtëpinë e të moshuarve “Orenda” në Pejë.
Sociologët dhe psikologët tregojnë se pse po ndodhë kjo.
Sipas sociologut Labinot Kunushevci dhuna gjithmonë ka target të dobëtin, të nevojshmin, të pamundshmin, të paaftin dhe të varurin.
Kjo sipas tij, tregon një identitet të ri; shoqëri pa kulturë.
“Kategoria më kontributdhënëse në shoqëri, e cila ka tejkalu çdo sfidë dhe furtunë në ish- sistemin e brishtë dhe brutal, që ka dhënë shumë resurse njerëzore, humane, morale, familjare, komunitare fisnike, e cila nuk është thyer e dorëzuar asnjëherë. Pleqtë shqiptarë, me plot urtësi, shpresë e kujtesë, të shndërrohen sot në objekt bullizmi fizik dhe virtual, tregon një identitet të ri: shoqëri pa kulturë”, ka thënë Kunushevci.
Sipas tij, kjo është një përmbysje e vlerave, një dehumanizim i karakterit social, kulturor e psikologjik, i futur dhunshëm në uniformën dhe detyrën e shenjtë të infermieres, që në vend se të ofrojë ngrohtësi, ajo tregon sadizëm të pafalshëm makabër.
Kunushevci nuk beson se denoncimi i një krimi të tillë do ta vetëdisojë shoqërinë impulsive, e cila reagon ashpër sa për konsum publik dhe e harron problemin pas tri ditësh.
“Ky është problem dhe dështim i sistemit të edukimit, sistemit të sigurisë, sistemit të shërbimeve publike dhe nuk është problemi pse një person ushtron dhunë në uniformë të detyrës publike, por pse janë krijuar kushtet dhe rrethanat komode për ushtrimin e dhunës edhe në ato institucione, edhe ndaj kësaj kategorie, mbase ka plot raste të pa denoncuara në mungesë dëshmie, por që fshehtas ndodhin rëndom”, shtoi më tej Kunushevci.
Gallopeni: Këto ndodhin kur anti-vlerat vendosen në shoqëri dhe institucionalizohen si vlera bashkëkohore
Ndërsa sociologu Besim Gallopeni thotë se këto raste ndodhin kur në institucione punësohen njerëz jo meritor dhe përmes lidhjeve.
“Këto raste dhune ndodhin kur shoqëria dhe institucionet reagojnë aty për aty, pa plane dhe strategji, merren me rastin 3 ditë dhe më pas harrojnë se çfarë ka ndodhur, kur në institucione punësohen njerëz jo meritor dhe përmes lidhjeve. Institucionet e thirrura për të ofruar kujdes profesional nuk monitorohen në mënyrë sistematike nga institucionet përgjegjëse dhe në ato shoqëri ku ata që edukohen për qytetarinë dhe moralin karakterizohen si primitivë dhe atje ku anti-vlerat vendosen në shoqëri dhe institucionalizohen si vlera bashkëkohore, prandaj në këto situata, dhunuesit marrin guximin për të shfaqur sjellje të dhunshme ndaj të pambrojturve dhe atyre që kërkojnë mbështetje institucionale” ka thënë Gallopeni.
Sipas Gallopenit sot, sikur asnjëherë më parë, nuk është koha të edukohemi dhe jetojmë me faktin se “drejtësia vonon por nuk harron” por të edukohemi dhe të mësohemi me jetuar me faktin se “drejtësia vepron menjëherë në zgjidhjen e problemeve sociale”.
Kastrati: Të rinjtë të reduktojnë përdorimin e telefonit dhe rrjeteve sociale
Psikologu Rron Kastrati, theksoi se në aspektin psikologjik kjo ngjarje ka shkaktuar trauma psiko-emocionale në gjithë shoqërinë kosovare e veçanërisht për të moshuarit.
“Rekomandoj që të gjitha qendrat e të moshuarve që ofrojnë përkujdesje për të moshuar duhet të funksionojnë përmes një standardi të ri të stafit të punës me inkuadrimin e psikologëve profesional që janë domosdoshmëria e një institucioni qoftë shëndetësorë, qoftë psikologjikë, social e më gjerë, kjo duhet të merret në konsideratë”, është shprehur Kastrati.
Sipas tij, të rinjtë duhet të kursejnë nga dita të paktën një ose dy orë në ditë. Të reduktojnë përdorimin e telefonit dhe rrjeteve sociale e të ju kushtojnë ngrohtësi dhe afërsi të moshuarve.
“Të kuptojnë se çfarë do të thotë të jesh një i moshuar dhe në çfarë përvojash jete kanë kaluar gjyshërit tanë dhe do të mundë të modelojnë shumë sjellje të mira dhe mundë të shijojnë ndjenjën e asaj kënaqësie kur përvojat e transmetuara nga gjyshërit për të cilët ne e dimë që kanë qenë të përfshirë në shumë situata transemocionale ose në shumë situata revolucionare progresive për gjatë gjithë shoqërisë”, shtoi më tutje Kastrati.
Kastrati potencoi se gjyshërit duhet të respektohen në të gjitha nivelet e veçanërisht kur bëhet fjalë për nivelin emocional, duhet të ju ofrohet një dashuri pa rezerva, e pa kushtëzime.
Të rinjtë duhet të qëndrojnë afër dhe të ofrojnë përkrahjen shpirtërore ndaj të moshuarve.
Ndryshe, të mërkurën gjithë Kosova u trondit pas publikimit të video ku shihet se si një infermiere sulmonte pa mëshirë një të moshuar në qendrën e të moshuarve, “Orenda” në Pejë. Disa orë pas publikimit të videos dhe reagimeve të shumta, Policia e Kosovës arrestoi të mërkurën tri punonjëse të një shtëpie kujdesi ndaj të moshuarve në qytetin e Pejës rreth 80 kilometra në perëndim të Prishtinës, nën dyshimet për dhunë fizike ndaj një gruaje të moshuar.
Një ditë më pas, të enjten Gjykata Themelore në Pejë caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj tri infermiereve të dyshuara.
Ndërsa të premten Qeveria e Kosovës, konkretisht, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka marrë vendim për të ia hequr licencën e punës, Qendrës së të Moshuarve “Orenda” në Pejë./arbresh.info/Vjollca Gajraku/
Presidentja në Kanada: Kosova nga një shtet i shkrumbuar, u ...
Eman Rrahmani tregon si qëndrojnë punët e “Familjes”, ia kth...
Gresa: Moderimi më pëlqen, ama në televizion nuk ma kanë dhë...
Mbyllet pjesa e parë në Gjilan, Llapi në epërsi ndaj Dritës
Begaj mbyll takimet për datën e zgjedhjeve: Opinionet udhëhi...
Ukraina thotë se goditi një depo nafte dhe objektiva të tjer...