Rohde ia ‘ngreh veshin’ opozitës: Kurti e ka trashëguar Asociacionin nga qeveritë e kaluara

12:02 | 7 Mars 2023
Emir Abduramani

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka kritikuar qasjen e opozitës në raport me planin evropian, të pranuar nga kryeministri Kurti.

Rohde vuri theksin te Asociacioni, për të cilin tha se Kurti e ka “trashëgimi” nga qeveritë e kaluara, gjegjësisht, nga opozita e sotme.

“E di, të enjten kishte një debat parlamentar, që ka zgjatur deri pas mesnatës. I ndjek deklaratat e tyre dhe ajo që mund të them është se nuk ia vlen, pra është kot të flasë për të kaluarën, e kam fjalën për temën e diskutimit lidhur me Asociacionin e komunave serbe. Ekziston një obligim që është bartur nga qeveritë e kaluara tek kjo qeveri, pra nga qeveri të kaluara, që ishte përbërë nga opozita e sotme. Ajo qeveri e përbërë atëherë nga opozita e sotme, kishte marrë obligime që nuk i kishte zbatuar dhe tani qeveri e sotme duhet të ballafaqohet me atë trashëgimi”, ka deklaruar Rohde.

Ai i kërkoi opozitës që ta mbështesë planin franko-gjerman dhe të mos e përdorë atë për “lojëra të brendshme politike”.

“Personalisht, nga opozita pres përgjegjësi politike shtetërore dhe me këtë rast dua të potencoj edhe një herë se e gjithë bashkësia ndërkombëtare, në mënyrë të veçantë partnerët më të ngushtë të Kosovës, qëndrojnë fuqishëm prapa këtij propozimi. Prandaj, dua të shpresoj se opozita do të ketë sjellje konstruktive dhe këtë temë super politike të mos e shfrytëzojë për lojëra të brendshme politike ashtu siç kishte ndodhur në të kaluarën. Tani bëhet fjalë për të siguruar të ardhmen dhe këtu gjithkush ka përgjegjësinë e vetë politike, në mënyrë të veçantë opozita”, ka deklaruar Rohde për Radio Kosovën.

Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shprehur dje të shqetësuara lidhur me deklaratat e bëra nga opozita për kundërshtimin e propozimit evropian.

Reagimi i tyre ka të bëjë veçmas me PDK-në dhe LDK-në, të cilat kanë qenë të zëshme kundër pranimit të propozimit evropian nga kryeministri Kurti në takimin e 27 shkurtit në Bruksel.

“Jemi të shqetësuar me deklaratat e bëra nga drejtues dhe zyrtarë të partive opozitare që shprehin kundërshtimin e tyre ndaj propozimit të BE-së. Këto pikëpamje nuk përputhen me mbështetjen e ShBA-së për propozimin”, ka thënë dje zëdhënësi i Ambasadës amerikane.

Takimi i radhës Kurti – – Vuciq do të zhvillohet më 18 mars në Ohër./arbresh.info

Të ngjashme