Është mbajtur sot në Prishtinë takimi i Komisionit të Përgjithshëm për Ekonomi, Infrastrukturë dhe Energji i Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), me temën “Sfidat ekonomike dhe mundësitë në vendet e EJL-së pas COVID-19”.
Takimi u mbajt në platformën virtuale (online), dhe u drejtua nga deputetja e Kuvendit të Kosovës, Jeta Statovci, njëherësh anëtare dhe kryesuese e Komisionit të Përgjithshëm për Ekonomi, Infrastrukturë dhe Energji të AP të SEECP-së.
Në hapje të takimit, Statovci ka folur për rëndësinë e kësaj teme, duke theksuar se SEECP është platformë e ndërtuar mbi shtyllat e bashkëpunimit për stabilitet dhe prosperitet të qëndrueshëm në rajon.
“Pas përballjes me pandeminë COVID-19, ne duhet të fillojmë duke trajtuar shqetësimet tona të përbashkëta dhe duke adresuar ndikimet shumëdimensionale të COVID-19”, ka thënë Statovci.
Më pas, Statovci fjalën ia ka kaluar ministres së Ekonomisë, Artane Rizavanolli, e cila ka thënë se pandemia COVID‐19 është definuar si krizë globale e shëndetit dhe sfida më e madhe me të cilën po përballet bota që nga Lufta e Dytë Botërore.
“Ajo nuk rrezikon vetëm shëndetin tonë, por ka goditur fuqishëm edhe ekonomitë e çdo vendi, duke sjellë me vete tronditjen e tretë dhe më të madhe ekonomike e financiare të shekullit 21”, ka thënë ajo.
Rizavanolli ka thënë se prioritet i Qeverisë së Kosovës është finalizimi i Strategjisë Kombëtare të Energjisë dhe i Planit Kombëtar për Energji dhe Klimë, rritja e zhvillimit ekonomik, bashkëpunimi me vendet e rajonit etj.
“Konsideroj që bashkëpunimi regjional do të ketë rol shumë të rëndësishëm drejt rimëkëmbjes ekonomike e këtij tranzicioni si në vendin tonë, dhe përtej”, ka thënë Rizavanolli.
Në këtë takim, drejtoresha menaxhuese e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Nora Hasani, prezantoi rezultatet e anketës vjetore të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë Gjermane mbi “Sfidat dhe mundësitë ekonomike në vendet e Evropës Juglindore (EJL) pas Covid-19”, duke krahasuar kështu ekonomitë e 16 shteteve pjesëmarrëse të EJL.
Poashtu, edhe Umut Ergezer, prezentoi strategjinë “Zhvillimi i Qëndrueshëm ekonomik rajonal dhe roli i parlamenteve”, në kontekstin të Strategjisë 2030 për Evropën Juglindore (EJL).
Në vazhdim, anëtarja dhe kryesuesja e Komisionit të Përgjithshëm për Ekonomi, Infrastrukturë dhe Energji të AP të SEECP-së, Jeta Statovci, ka prezantuar draft-raportin në lidhje me temën e takimit, për të cilëm më pas kanë diskutuar edhe përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse.
Draft-raporti dhe draft-rezoluta u mirëpritën nga delegacionet pjesëmarrëse, por, në mungesë të kuorumit, nuk u arrit të miratohen.
Të njëjtat do të procedohen në takimet tjera të Asamblesë, në kuadër të Sesionit Plenar, që do të mbahet nga 21-23 qershor në Antalia, Turqi.
Përveç Kosovës, në këtë konferencë kanë marrë pjesë edhe delagacionet nga: Turqia, Sllovenia, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Shqipëria dhe Kroacia./arbresh.info/
Aksion i Antidrogës në Prizren, dy të arrestuar
Vullneti dhe Rovena shkëmbejnë puthje në distancë, reagimi i...
Kryetari i radhës i OSBE-së, Ian Borg do të vizitojë Shqipër...
Fitorja e Trumpit, Limaj: Ishte madhështore – Populli amerik...
Maqedonci: Shërbime të huaja dashakeqe “ushqyen” lajmet për ...
Vajza e Elon Musk nuk është e vetmja: Një numër yjesh të Hol...