Google ADS

Rizvanolli pret 6 kompani të mëdha amerikane të interesuara të investojnë në Kosovë

16:51 | 3 Mars 2023
K.B

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka pritur në takim përfaqësues të Departamentit të Shtetit Amerikan, të Korporatës Financiare për Zhvillim Ndërkombëtar (DFC), të Bankës Amerikane për Eksport-Import, të Shoqatës së Biznesit Amerikë – Evropë Qendrore, si dhe përfaqësues të gjashtë kompanive të mëdha amerikane të sektorit të energjisë.

Gjatë takimit, Përfaqësuesja Speciale për Partneritete Botërore në Departamentin e Shtetit Amerikan, Dorothy McAuliffe është shprehur se siguria e energjisë si dhe siguria kombëtare në Ballkanin Perëndimor, dhe në Kosovë, do të thotë siguri e energjisë dhe siguri kombëtare edhe për Shtetet e Bashkuara. Ajo ka shtuar që ky partneritet tash është më i rëndësishëm se kurrë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ministrja Rizvanolli u ka prezantuar të pranishmëve projektet që Qeveria është duke i zhvilluar, si dhe mundësitë për investim në sektor të energjisë në Kosovë, dhe i ka siguruar të ftuarit që Kosova është e gatshme të luajë rol udhëheqës në rajon drejt sigurisë dhe tranzicionit energjetik. Kjo për të mundësuar diversifikimin dhe pavarësimin e sektorit në rajon nga burimet fosile të Rusisë, si dhe për të shtruar rrugën drejt energjisë së pastër.

Kompanitë amerikane, përfshirë Honeywell, GE Power, Siemens Energy, Advent Technologies, Emerson Automation Solutions, si dhe Wethington International kanë shprehur interesin e tyre për të investuar në Kosovë dhe për të kontribuar në planet e Kosovës për zhvillim të sektorit të energjisë. Përfaqësuesit e kompanive kanë prezantuar punën e tyre dhe teknologjitë të cilat ofrojnë, të cilat janë në linjë me Strategjinë e Energjisë, si dhe projektet kryesore të Qeverisë për këtë sektor.

Në takim kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Kosovë, të USAID-it, si dhe të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit. ​/arbresh.info/


Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme