Dhjetë janari i vitit 2018 do të jetë dita e fundit kur të gjithë anëtarët e interesuar të Lëvizjes Vetëvendosje do të kenë mundësi që të mund të kandidojnë për pozicionin e kryetarit, shkruan arbresh.info.
Deri më tani i vetmi që ka paraqitur kandidaturën për kreun e partisë është ish-lideri, Albin Kurti.
Analisti politik në vend, Donik Sallova thotë për arbresh.info se rizgjedhja e Albin Kurtit në krye të Vetëvendosjes, do ta dërgonte këtë subjekt drejt fitores në zgjedhjet e ardhshme.
“Albin Kurti ka avantazhe të mëdha, prandaj VV-ja duhet t’i shfrytëzojë këto avantazhe të Kurtit që do ta qojnë atë si subjekt drejt fitores së zgjedhjeve të ardhshme”, ka thënë ai.
Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje, si subjekt relativisht i ri parlamentar nuk është në krizë të lidershipit, sikurse ka qenë LDK-ja, pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, apo PDK-ja, pas largimit të Hashim Thaçit nga partia.
Sallova, ka pohuar se promotor i Lëvizjes Vetëvendosje ka qenë dhe mbetet Albin Kurti.
“Dihet mirëfilli që promotor i Lëvizjes Vetëvendosje ka qenë dhe mbetet Albin Kurti dhe kjo jo për faktin se VV nuk ka kandidatë të tjerë potencial për lidership. Albin Kurti nuk është lider i konsumuar i VV-së, siç mund të pretendojë dikush”, ka deklaruar Sallova.
Derisa thotë se Albin Kurti, është dhe mbetet promotor i zhvillimit të Vetëvendosjes, Sallova beson se ky i fundit nuk është lider i konsumuar.
“Albin Kurti nuk është lider i konsumuar i VV-së, siç mund të pretendojë dikush. Ai është personi me mbështetjen më të madhe të strukturave të VV, deputeti më i votuar i zgjedhjeve të kaluara, ku VV me platformën e udhëhequr prej tij fitoi 32 deputetë, si dhe është personi më simbolizues i qëllimësisë politike të VV-së. Prandaj, rizgjedhja e tij në krye të VV-së është edhe e natyrshme edhe e domosdoshme, jo vetëm brenda VV-së, por edhe në raport me liderët e partive tjera”, ka pohuar ai.
Të njëjtën gjë pothuajse e thotë edhe analisti tjetër Bajrush Morina. Sipas tij, pas përcarjeve të fundit që kanë ndodhur në këtë subjekt politik, mund të ketë fraksione ose ndarje në dy grupe.
Morina, thotë se pavarësisht kësaj, Albin Kurti do të jetë përsëri edhe de jure edhe de fakto lider i Vetëvendosjes.
“Gjithçka po shkon drejt rikthimit të Albin Kurtit në krye të VV-së. Visar Ymeri ishte vetëm një eksperiment i dështuar. Albin Kurti do të jetë përsëri edhe de jure edhe de fackto lider i VV-së”, ka thënë ai.
Lëvizja Vetëvendosje ka shpallur zgjedhjet e brendshme më 17 dhjetor të këtij viti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, ndërsa dhjetë janarin e vitit 2018 e ka vendosur si datë të fundit për mundësi kandidimi.
Këshilli i Përgjithshëm i partisë u mblodh pas përplasjeve që shpërthyen brenda kësaj lëvizjeje e cila po përballet me krizën më të rëndë që nga formimi i saj.
Përplasjet nisën me publikimin e bisedave private të disa deputetëve të Vetëvendosjes të cilat përmbanin shprehje fyese për themeluesin e lëvizjes, Albin Kurti./J.Zhuniqi/arbresh.info/
Liverpooli synon ta transferojë senzacionin e Brightonin kët...
MMPHI: Të gjitha rrugët që mirëmbahen nga ne janë të kaluesh...
Kurti: Prokuroria ka intervistuar kryeministra edhe më herët...
Kurti: Radoiçiq ka caktuar dy persona për të realizuar sulme...
Edmond Lajqi pranon fajësinë për vrasjen e gruas: I kërkoj f...
Plagoset me thikë 50-vjeçari shqiptar në Athinë, 4 autorët l...