Google ADS

Ristuccia takohet me Stoltenbergun në Bruksel: Bashkëpunimi NATO – BE kyç për sigurinë në Kosovë

21:38 | 6 Shtator 2023
E.H

Gjatë një vizite në Bruksel, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia ka zhvilluar disa takime të nivelit të lartë në selinë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Ristuccia ka informuar Komitetin Ushtarak të NATO-s dhe Këshillin e Atlantikut të Veriut për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe për prioritetet e KFOR-it.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se komandanti i KFOR-it ka zhvilluar një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg,

“Bashkëpunimi NATO-BE është kyç për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin në të gjithë Ballkanin Perëndimor”, deklaroi gjeneralmajor Rusticcia

“Komandanti i KFOR-it nënvizoi situatën e brishtë të sigurisë dhe rëndësinë e fokusimit të përpjekjeve kolektive në tejkalimin e mënyrës së menaxhimit të krizave”, thuhet në komunikatë.

“Ishte një punë e vështirë, në baza ditore, për të siguruar që KFOR-i do të vazhdojë të zbatojë mandatin e tij të OKB-së në mënyrë të paanshme dhe në komplementaritet me përpjekjet e bëra nga Komuniteti Ndërkombëtar. U bënë shumë përpjekje dhe u hasen shumë sfida për shkak të situatës komplekse”, citohet të ketë thënë Ristuccia.

Në komunikatë thuhet se ai ka përsëritur përkushtimin e palëkundur të KFOR-it për të vazhduar “rolin e tij në krijimin e kushteve të nevojshme të sigurisë që dialogu i lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të ecë përpara; si dhe nevojën që të dyja palët të de-përshkallëzojnë plotësisht situatën dhe të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim”.

Komandanti i KFOR-it është takuar në Bruksel edhe me ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Operacione, Thomas Goffus dhe me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Nën komandën e gjeneralmajor Ristuccia, u kryen më shumë se 11,000 patrulla, 3,400 orë operacione ajrore, 500 misione me dronë, më shumë se 50 projekte dhe 200 aktivitete të bashkëpunimit civilo-ushtarak dhe 170 aktivitete të asgjësimit të sigurt të mjeteve shpërthyese./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme