Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla ka pranuar ftesën e Greqisë, që zyrtarisht ta vizitojë këtë shtet, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga MPJD-ja. Nga kjo ministri thanë se Gërvalla, me kënaqësi do t’i përgjigjet kësaj ftese, por nuk treguan se kur mund të ndodhë kjo vizitë.
Greqia është një prej pesë shteteve të Bashkimit Evropian që ende nuk e ka njohur Kosovën, por ky shtet ka Zyrën e saj ndërlidhëse në Prishtinë. Përveç Greqisë, pavarësinë e Kosovës nuk e kanë njohur as anëtaret e BE-së: Sllovakia, Qipro, Rumania dhe Spanja.
Ftesa për vizën e Gërvallës në Athinën zyrtare, u bë përmes udhëheqëses së Zyrës ndërlidhëse greke në Kosovë, Chryssoula Aliferi, gjatë një takimi që ajo pati më 15 prill, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.
Në këtë takim, Kurti ka kërkuar nga Aliferi, që Greqia t’i bashkohet shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, por sipas qëndrimit të Athinës zyrtare, që është publikuar edhe në faqen e Zyrës ndërlidhëse në Prishtinë, çështja e njohjes varet nga rezultati i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kosova, optimiste për njohjen nga Greqia
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës deklaron se Prishtina dhe Athina zyrtare tashmë kanë marrëdhënie të mira dypalëshe dhe shton se “Kosova është shumë e interesuar në thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional me Greqinë”.
“Kosova është e angazhuar për të forcuar bashkëpunimin në të ardhmen dhe në mënyrë që ky bashkëpunim të rezultojë me njohje nga Greqia, si një shtet i rëndësishëm për ne në BE dhe në rajon”, tha MPJD-ja në një përgjigje për REL.
MPJD-ja po ashtu tha se Kosova është optimiste për këtë çështje, duke pasur parasysh fuqizimin e marrëdhënieve dypalëshe midis dy vendeve.
“Për më tepër, ne jemi duke punuar në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe në fushën e ekonomisë, kulturës, por edhe në fusha të tjera, që janë të rëndësishme për të dyja vendet”, tha ministria.
Radio Evropa e Lirë ka pyetur Zyrën ndërlidhëse greke në Prishtinë, nëse Athina zyrtare ka ndryshuar pozicionin e saj karshi statusit të Kosovës.
Por, deri në publikimin e këtij teksti, nga kjo zyre nuk janë përgjigjur.
Në faqen në internet të Zyrës ndërlidhëse greke në Kosovë, thuhet se “politika greke frymëzohet nga një vullnet i sinqertë për të ndërtuar një mjedis paqeje dhe prosperiteti për të gjithë popujt në rajon, duke respektuar të drejtat e njeriut dhe liritë themelore”.
Ndërkaq, sa i përket qëndrimit politik të Greqisë ndaj Kosovës, thuhet se “ne mbështesim plotësisht dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, nën ndërmjetësimin e BE-së, proces ky që i ka dhënë një shtysë të konsiderueshme kursit evropian të të dyja vendeve”, duke përfunduar se këtë kurs, Greqia e promovon për Ballkanin Perëndimor në tërësi.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu nuk ka treguar saktë nëse autoritetet e Kosovës do të ndërmarrin ndonjë hap konkret për të bindur pesë shtetet anëtare të BE-së, që nuk e njohin Kosovën, ta bëjnë një gjë të tillë.
Sa i përket marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Athinës zyrtare, Kryeziu theksoi se Greqia ka mbështetur Kosovën në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare si dhe mbështetë vendimin për liberalizimin e vizave dhe integrimin evropian të Kosovës.
“Ne besojmë se kjo qasje miqësore duhet të rezultojë në bashkëngjitjen Greqisë me shtetet e tjera të BE-së që e kanë njohur Kosovën”, tha Kryeziu.
Hoti: Nga pesë shtetet, Greqia e para do ta njohë Kosovën
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti beson se ekziston një mundësi e madhe që Greqia së shpejti ta njohë Kosovën dhe ai vlerëson se ky shtet nuk e ka bërë deri më tani një gjë të tillë, për shkak të problemeve që ka me Qipron.
Hoti thekson se është shumë me rëndësi për Kosovën që në këtë kohë të sigurojë njohje nga njëra prej pesë shteteve të BE-së, që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
“Nga këto pesë shtete, unë mendoj se Greqia do të jetë e para që do ta njohë Kosovën”, tha Hoti.
Ai tha se Kosova dhe Greqia tashmë kanë marrëdhënie të mira, duke shtuar se “më problematikja” është Spanja, e cila gjithashtu nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
“Do të duhej të bëhej më shumë lidhur me këtë çështje, veçanërisht kur bëhet fjalë për Spanjën”, tha ai.
Peci: Politika e vendeve mosnjohëse varet nga dialogu
Në anën tjetër, Lulzim Peci, ish-diplomat dhe njëherësh drejtor i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave – KIPRED, beson se Kosova nuk mund të bëjë asgjë që të ndikojë në vendimin e Greqisë, Rumanisë, Sllovakisë, Qipros dhe Spanjës për ta njohur Kosovën.
Politikat e këtyre shteteve, thotë Peci, varen nga rezultati i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili po zhvillohet në Bruksel që nga viti 2011, nën ndërmjetësimin e BE-së.
“Nga këto shtete, më së afërmi për ta njohur Kosovën janë Greqia, Rumania dhe Sllovakia, ndërkaq Spanja dhe Qiproja janë mjaft larg. Ky pozicion varet nga rezultati i dialogut (ndërmjet Kosovës dhe Serbisë). Nëse do të ketë një njohje eksplicite të Kosovës ose një marrëveshje gjithëpërfshirëse midis Prishtinës dhe Beogradit, e cila do të përfshinte njohje, por jo në formë eksplicite, atëherë pozicioni i këtyre shteteve do të ndryshojë”, thekson Peci.
Ai thotë se rruga e anëtarësimit të Kosovës në BE dhe NATO është bllokuar, pikërisht për faktin se pesë shtetet e bllokut evropian ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
“Kosova deri më tani, do të mund të ishte mjaft afër anëtarësimit në NATO dhe kjo do të nënkuptonte fundin e ndikimit të Rusisë në Ballkan. Integrimi euro-atlantik nuk është i mundur dhe asnjë hap i rëndësishëm nuk mund të bëhet në atë kuptim”, thotë Peci, duke shtuar se statusi i Kosovës është një problem evropian dhe kjo është arsyeja pse Kosova ka problem që të integrohet plotësisht në komunitetin evropian.
Deri më tani, Kosovën e kanë njohur 117 shtete dhe njohja e fundit erdhi nga Izraeli në shkurt të vitit 2021. Vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit erdhi si rezultat i Marrëveshjes së Uashingtonit për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Prishtinës dhe Beogradit, që u nënshkrua më 4 shtator, 2020 në Shtëpinë e Bardhë, në prezencë të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.
Para kësaj, Kosova ishte njohur nga Barbadosi më 2018, por në atë periudhë, Beogradi zyrtar udhëhoqi një fushatë aktive për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës. Serbia pretendon se Gana, Lesoto, Liberia, Guinea-Bissau kanë tërhequr njohjen e Kosovës. Por, në listën e shteteve njohëse, të publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, këto shtete ende figurojnë si vende që e kanë njohur Kosovën.
Sipas Marrëveshjes së Uashingtonit, Serbia është zotuar që ta pezullojë për një vit fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovë, ndërkaq Kosova është zotuar se nuk do të kërkojë anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, po ashtu për një periudhë njëvjeçare./rel/
Anisa: Xheneta nuk ka pasë pëlqim të vërtetë ndaj Gjestit, p...
S’ka gola në Ferizaj
Hamza: Bashkatdhetarët në Köln u bashkuan me ne për ta bërë ...
Rama: Fitorja jonë në 2025 duhet të jetë përfundimtare, shpë...
Nga çdo kontinent, Kosova paguan qindra miliona për import t...
Edhe 17 ditë afat për certifikim të partive, ende asnjë apli...