Rinia e LDK-së mohon se duan shkarkimin e Isa Mustafës nga posti i kryetarit

00:26 | 31 Maj 2020
Trina Galanxhi

Kryetari i Forumit Rinor të LDK-së, Fidan Rekaliu, ka mohuar se kjo strukturë ka organizuar një peticion përmes së cilit kërkohet shkarkimi i Isa Mustafës nga posti i kryetarit të partisë.

Ai tha se informata të tilla që po qarkullojnë po bëhen me qëllim të keq ndaj partisë, njofton Klan Kosova.

“Në portale të ndryshme po qarkullon një peticion kinëse në emër të rinisë së Lidhjes Demokratike për shkarkimin e kryetarit të LDK’së, Akademik Isa Mustafa. Si Kryetar i Forumit të Rinisë së LDK’së dhe në emër të kësaj strukture, distancohemi nga ky peticion dashakeq që synon të shkaktojë perçarje dhe konfuzion”, thotë Rekaliu.

Për më tepër ai tha se çmojnë guximin dhe vizionin e Mustafës.

“Lidershipi i guximshem dhe vizionar i Kryetarit Mustafa, në një skenë shumë të egër politike dhe dashakeqe ndaj LDK-së dhe vendit, ka ruajtur qenësinë e LDK’se gjithë këto vite. Nga komunikimi im i rregullt me strukturat e FR/LDK më është konfirmuar qëndrimi që të rinjtë e LDK’së mbështesin lidershipin e kryetarit Mustafa dhe kryesisë në këto kohë sfiduese”.

“Jemi të bindur që qeverisja e re, e udhëhequr nga Prof. Dr Avdullah Hoti do të dëshmojë rëndësinë e vendimeve të ndërmarra për të shpëtuar aleancat strategjike, rikthimin e plotë të demokracisë në vend dhe rimekëmbjen e ekonomisë nga pasojat e shkaktuara nga Pandemia Covid-19. LDK, edhe këtë herë, si gjithmonë mbetet unike dhe qëndron fort në mbrojtje të vlerave tona themeltare”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme