Munib Kazagiq nga qyteti Gorazhde në lindje të Bosnje e Hercegovinës punon si hidraulik. Këtë profesion e ka ushtruar edhe para fillimit të luftës në këtë vend, më 1992.
Gjatë luftës, Munibi i ka kaluar tre vjet e gjysmë si anëtar i Ushtrisë së Bosnjës – njërës prej tri ushtrive të asaj kohe. Dhe, tri dekada më vonë, ai nuk beson se do të ketë luftë të re.
“Mendojnë se njerëzit janë naivë dhe se dikush do të luftojë për ta dhe vjedhjet e tyre. Ky është vetëm mashtrim, sepse milionat dhe miliardat që kanë vjedhur duhet të ruhen”, thotë Munibi për Radion Evropa e Lirë.
Spekulimet për mundësinë e konfliktit të ri të armatosur në Bosnje janë aktualizuar muajve të fundit, pasi Republika Sërpska – entitet me shumicë serbe – ka paralajmëruar kthimin jokushtetues të kompetencave shtetërore.
Millorad Dodik, anëtar i Presidencës së Bosnjës dhe udhëheqës i Aleancës së Social-Demokratëve të Pavarur, ka thënë se planifikon tërheqjen nga ushtria e përbashkët e vendit, anulimin e ligjeve për Gjykatën dhe Prokurorinë e Bosnjës, për Autoritetin e Taksave Indirekte, për Agjencinë Shtetërore të Hetimit dhe Mbrojtjes dhe për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë.
Përfaqësuesit e Republikës Sërpska janë duke e bojkotuar punën e institucioneve qendrore të Bosnjës që nga fundi i korrikut, kur ish-përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar, Valentin Inzko, ka vendosur një ligj që ndalon mohimin e gjenocidit dhe krimeve të tjera të luftës në Bosnje.
Bashkëvendasi i Munibit, Mirsad Kadriq, kujton vitet e 90-ta dhe thotë se lufta nuk i ka sjellë askujt ndonjë të mirë.
“Ajo nuk i duhet askujt prej nesh, në kohën kur duhet të mendojmë për jetë më të mirë dhe stabilitet ekonomik të familjeve. Kemi rritje të çmimeve dhe gjithë kjo histori…”, thotë Mirsadi.
Banorët e Srebrenicës – qytetit në lindje të Bosnjës, ku në vitin 1995 ka ndodhur gjenocid – pajtohen se askush nuk ka nevojë për luftë.
Millani beson se, së bashku me liderët e partive kombëtare, rolin kryesor e kanë fuqitë e mëdha botërore dhe se gjithçka do të varet nga interesi i tyre.
“Varet se kush ka interes për luftë. Nëse është në interes të të mëdhenjve do të ketë; nëse nuk është, nuk do të ketë. Shpresoj se populli është i mençur dhe se kemi mësuar pak”, thotë Millani.
Mustafa, po ashtu nga Srebrenica, thotë se “çdo njeri i zgjuar duhet të ketë pak frikë” dhe se ky është reagim normal ndaj retorikës së politikanëve dhe raporteve të mediave.
“Nuk kam frikë, por nuk është situatë e mirë. Të gjithë e shohin këtë, askush nuk është budalla”, thotë ai.
Irnesi nga Sarajeva ka lindur pas përfundimit të luftës në Bosnje e Hercegovinë.
Ai është 25 vjeç dhe thotë se retorika nxitëse e politikanëve dhe mediave po i dëbon bashkëmoshatarët e tij nga Bosnje e Hercegovina.
“Komentoj çdo ditë për këtë… në çdo titull, në qendër të vëmendjes së publikut janë Millorad Dodik, Bakir Izetbegoviq [udhëheqës i Partisë së Veprimit Demokratik] dhe Dragan Çoviq [kryetar i Bashkimit Demokratik Kroat]. Nuk ka tema pozitive, e të tilla ka shumë. Ja, së voni, të rinjtë kanë fituar shtatë medalje në olimpiadën e matematikës dhe këtë askush nuk e ka publikuar. Jam 25 vjeç dhe qëkur di për veten time dëgjoj temat e njëjta. Njerëzit janë bërë imunë tashmë”, thotë Irnes për Radion Evropa e Lirë.
Ilma Shahinoviq ka dëgjuar për luftën e kaluar nga tregimet e prindërve të saj. Ajo thotë se temat e shpeshta të luftës, muajve të fundit, e kanë bërë të ndihet e pasigurt.
“Përsëri kam shpresa se gjithçka do të jetë në rregull. Por, ikja e trurit nga Bosnja tregon se këtu nuk ka punë dhe nuk ekziston arsimi që duam, kështu që shumica prej nesh duan të largohen”, thotë Ilma.
Hajrudin Bilak ka kaluar tre vjet e gjysmë në Sarajevën e rrethuar.
Rrethimi i Sarajevës ka qenë një nga rrethimet më të gjata në historinë e luftës moderne dhe rrethimi më i gjatë i një kryeqyteti që ka ndodhur ndonjëherë.
Hajrudin thotë se nuk bëhet fjalë për një konflikt të ri.
“Ata bëjnë punën e tyre, plaçkitin popullin dhe tani duan t’i ruajnë pronat. Këtu kam luftuar i pari, nga dita e parë deri në ditën e fundit, por nuk ka asgjë prej kësaj pune. Ne, si popull, nuk e pengojmë njëri-tjetrin, ne kemi mësuar të jetojmë pranë njëri-tjetrit, ata thjesht luajnë lojë”, thotë Hajrudini.
Në Banjallukë të Republika Sërpskës, qytetarët thonë se rrëfimet për luftën janë ekskluzivisht politike dhe se ato përdoren për qëllime parazgjedhore.
“Budallallëk, marrëzi, Çfarë lufte, kujt i intereson lufta sot? Zgjon emocione, por nuk mund të përsëritet. Ka ndodhur, ka kaluar dhe mos ndodhtë më kurrë, këtë e themi të gjithë. Janë disa njerëz që shohin njëfarë interesi në të gjithë këtë. Por, këta janë njerëz të paarritshëm për ne, nuk ia vlen të luftojmë kundër disa prej sundimtarëve të botës”, thotë pensionisti Jovo.
Pensionisti Momir thotë se prapavija e kësaj ka të bëjë me zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen vitin e ardhshëm në Bosnje e Hercegovinë.
“Vetëm budallenjtë flasin për këtë. Kujt i ka sjellë lufta diçka të mirë? Askujt. Të gjithë kanë humbur. Zgjedhjet janë në pyetje, asgjë tjetër. Vetëm luftë për pushtet, asgjë tjetër”, thotë Momir.
Se Bosnja është në rrezik të afërt të shpërbërjes dhe se ka gjasa “shumë reale” për kthimin e konfliktit ka paralajmëruar edhe përfaqësuesi i komunitetit ndërkombëtar në këtë vend, Christian Schmidt.
Në një raport për Kombet e Bashkuara, të parë nga gazeta britanike Guardian më 2 nëntor, Schmidt ka thënë se nëse “separatistët serbë zbatojnë kërcënimet e tyre për rikrijimin e ushtrisë së tyre, duke i ndarë forcat e armatosura kombëtare në dysh”, atëherë në Bosnje do të duhet të dërgohen më shumë paqeruajtës ndërkombëtarë, për ta ndaluar rrëshqitjen e vendit drejt një lufte të re.
Në raportin e tij të parë që nga marrja e postit në muajin gusht, Schmidt ka thënë se Bosnja po përballet me “kërcënimin më të madh ekzistencial të periudhës së pasluftës”.
“Mungesa e përgjigjes ndaj situatës aktuale do të rrezikojë [Marrëveshjen e Dejtonit], ndërsa paqëndrueshmëria në Bosnje do të kishte implikime më të gjera rajonale. Perspektivat për ndarje të mëtejshme dhe konflikt janë shumë reale”, ka cituar Guardian përfaqësuesin ndërkombëtar, Schmidt.
Drejtori ekzekutiv i Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Branko Todoroviq, thotë për Radion Evropa e Lirë se liderët politikë në Bosnje, para syve të komunitetit ndërkombëtar, krijojnë atmosferë frike, urrejtjeje dhe mosbesimi.
“Është një luftë e fshehtë e heshtur, që thjesht nuk u lejon qytetarëve të bëjnë një jetë normale, të denjë për një njeri, një jetë pa frikë. Këtë e bëjnë për interesa personale, për të mbuluar paaftësinë e tyre për të zgjidhur ndonjë çështje të rëndësishme, siç është ekonomia, paqja e qëndrueshme apo infrastruktura”, thotë Todoroviq.
“Shumë njerëz kanë filluar të kenë frikë, edhe pse realisht lufta është e pamundur, para së gjithash, për shkak të pranisë së bashkësisë ndërkombëtare dhe forcave ushtarake ndërkombëtare. Dhe, një numër i madh i qytetarëve, të mësuar nga e kaluara, do të refuzonin të merrnin pjesë në luftë”, shton ai.
Edhe Bashkimi Evropian ka thënë se situata në Bosnje dhe Hercegovinë paraqet “burim të madh shqetësimi”.
Duke folur të mërkurën para gazetarëve në Bruksel, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se udhëheqësit politikë të këtij vendi duhet të gjejnë zgjidhje.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...