Rikthehet UÇK-ja , kërcënon Shkupin zyrtarë për grupin e Kumanovës

11:07 | 18 Shkurt 2019
L G

Rreth katër vjet pas konfliktit të armatosur në lagjen e Trimave në Kumanovë, ku mbetën të vdekur dhe të plagosur dhjetëra persona si dhe mbi 30 të tjerë u arrestuan, riaktivizohet sërish Ushtria Çlirimtare Kombëtare (UÇK), raporton Arbresh.info.

UÇK-ja këtë herë kërkon lirimin e menjëhershëm ose një rigjykim nga gjyqtarë ndërkombëtar për grupin e Kumanovës. Kjo organizatë kërcënon se nëse kërkesat e saj nuk merren seriozisht nga Shkupi zyrtarë, shteti i Maqedonisë nuk do të ketë rehati kurrë.

Në një intervistë ekskluzive të dhënë për “Arbresh.info” njëri nga pjesëtarët e këtij grupi jep detaje të konfliktit të Kumanovës në vitin 2015, dhe riaktivizimin e këtij grupi të organizuar.

Ai pohon se është ish-pjesëtarë i tri luftërave çlirimtare, asaj të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovciv (UÇPMB) si dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK).

Duke mos dashur të identifikohet, ai thotë se ishte shok me dy udhëheqësit e grupit të Kumanovës; Begë Rizajn dhe Mirsad Ndrecajn.

“Për rastin e Kumanovës kam informacione të sakta nga burimet tona të informacionit nga tereni. Unë i kam pasur shokë dy udhëheqësit e grupit të Kumanovës, është fjala për Begë Rizajn dhe Mirsad Ndrecaj, si dhe pjesëtarë të tjerë që kanë rënë në fushëbetejën e Kumanovës më 9 dhe 10 maj 2015 në lagjen e Trimave në Kumanovë”, nis rrëfimin ai.

UÇK-ja, sipas tij është rikthyer sërish dhe kërkon lirimin e menjëhershëm dhe të pakusht nga burgjet maqedonase të prijetarëve të grupit të Kumanovës, apo rigjykimin e tyre nga drejtësia ndërkombëtare.

“Ata janë të pafajshëm, sepse kanë qenë në kurthë. Tash e presim edhe pak dhe ua dërgojmë një mesazh atyre në Shkup. Jo kushte, jo luftë dhe gjakderdhje, por mi liru, sepse janë të pafajshëm”, u shpreh ai.

Megjithatë edhe pse thotë se qëllimi i këtij grupi nuk është gjakderdhja, ai shprehet se nëse nuk bëhet lirimi i grupit të Kumanovës, Shkupi zyrtarë nuk do të fle rehat. Përveç qeverisë maqedoanse, ky grup kërcënon edhe politikanët shqiptarët që janë të afërt me kryeministrin maqedonas Zoran Zaev.

“Nëse nuk lirohen këta djem apo nëse nuk do të ketë rigjykim ndërkombëtar, shteti maqedon nuk do të jetë i qetë, as gjumin rehat s’do ta bëjnë. E kam fjalën edhe për shqiptarët atje që janë të lidhur me kryeministri maqedonas Zoran Zaev dhe me të tjerët”, thotë ai.

Drejtësia për grupin e Kumanovës sipas tij po kërkohet nga qindra ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Grupi i Kumanovës kishte 45 pjesëtarë aktivë
Grupi i Kumanovës siç thotë ai kishte katër qëllime kryesore. Rreth 50 persona aktiv sipas tij kanë qenë pjesë e këtij grupi.

“Katër pika kryesore i ka pasur Grupi i Kumanovës: Amnistia për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtarë Kombëtare, të drejtat e gjuhës shqipe, që gjuha jonë me qenë gjuhë e dytë zyrtare në Maqedoni, e drejta në flamur dhe të drejtat tjera kombëtare dhe njerëzore çka i takojnë popullit shqiptar në Maqedoni. Grupi i Kumanovës ka qenë diku rreth 45 pjesëtarë aktiv me uniforma të zeza, me emblema, me armë e me krejt”, tregon ai.

Përveç këtyre 45 pjesëtarëve, ai thotë se ka qenë edhe një grup tjetër duke u përgatitur, mirëpo ndodhi ajo që ndodhi dhe është pamundësuar hyrja andej.
Ai pretendon se grupi i Kumanovës nuk ka pasur të bëj me ekstremizëm, por ka qenë luftë e pastër çlirimtare për një qëllim për më shumë të drejta për popullin shqiptar në Maqedoni.

Ndërkaq, kundër grupit të Kumanovës sipas tij ishin rreth 2000 forca ushtarake, përfshirë edhe pjesëtarë të elitës serbe nga Beogradi dhe Sofja.

Ky ish-pjesëtarë i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), pohon se qëllimi i shkuarjes së këtij grupi në Kumanovë nuk ka qenë paraja, as ndonjë interes tjetër, përveç të drejtave të shqiptarëve atje.

Kushtet në të cilat po mbahet Grupi i Kumanovës në burg sipas tij janë shumë të rënda, përfshirë ushqimin, trajtimi çnjerëzor i tyre, duke mos anashkaluar edhe fyerjet në baza racore e fetare ndaj tyre.

Armët të cilat i ka poseduar grupi i Kumanovës, sipas tij kanë qenë të grupit, nuk kanë qenë të financuara nga dikush tjetër. Këto armë kanë qenë të ruajtura nga gjatë koha e luftës në Kosovë.

Në këtë organizatë, e cila sipas tij është riaktivizuar, ka pjesëtarë nga Kosova, Presheva, Bujanovci dhe Medvegja si dhe nga Maqedonia.

Ndryshe, në maj të këtij viti bëhen katër vjet që nga konflikti i armatosur në Lagje të Trimave në Kumanovë.

Në luftimet e zhvilluara për dy ditë(më 9 dhe 10 maj 2015) kishin humbur jetën 18 persona, 10 nga grupi i armatosur i shqiptarëve të cilët ishin kryesisht ish-pjesëtar të UÇK-së dhe 8 policë, në mesin e të cilëve ishte edhe një shqiptar.

Gjatë këtij aksioni janë arrestuar 37 persona, shumica shtetas të Kosovës, të cilët po mbahen në burg nën akuzat për terrorizëm./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme