Google ADS

Rikthehen shërbimet në ambulancën specialistike me program të reduktuar

19:07 | 8 Janar 2021
Arbresh.info

Nga data 5 janar janë rikthyer shërbimet në ambulancë specialistike, derisa rastet selektive po vazhdojnë të punohen me program të reduktuar. Kjo është bërë e ditur nga zyrtarë të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, se gjatë kohës së pandemisë ka ofruar shërbime të reduktuara shëndetësore.

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, ende nuk i ka rikthyer në tërësi shërbimet e plota shëndetësore për pacientët.

Ndonëse nga data pesë janar është vendosur që të rikthehet puna në ambulanca specialistike dhe të bëhet program i rregullt mujor nëpër klinika për operacione jo emergjente, puna ende po vazhdon me program të reduktuar. Kështu tha zëdhënësi i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Shpend Fazliu.

‘’Edhe në ambulanca specialistike por edhe në programin selektiv do të punohet me program të reduktuar duke respektuar masat anti covid. Prioritet do të kenë raste që kërkohen intervenime më të shpejta dhe besojmë që gradualisht do të fillohet me kompletimin e shërbimeve shëndetësore në tërë Qendrën Klinike Universitare të Kosovës por edhe në spitalet e përgjithshme dhe njësit e tjera të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar’’, tha ai.

Ndërkaq Instituti Onkologjik, klinikë kjo që trajton pacientët e prekur me sëmundje malinje, gjatë gjithë pandemisë me Covid- 19 ka ofruar shërbime të plota shëndetësore. Këtë e thotë udhëheqësi i kësaj klinike, Ilir Kurtishi.

‘’Është e vetmja klinikë në Kosovë që gjatë gjithë kohës së pandemisë ka dhënë shërbime shëndetësore dhe nuk i kemi ndërprerë asnjëherë shërbimet’’, tha Kurtishi.

Klinika Emergjente e QKUK-së ka qenë Klinika me fluksin më të madh të pacientëve, pasi ajo ka qenë institucioni i parë që pacientët i janë drejtuar, thanë nga ky institucion./Rtk/

Të ngjashme