Kosova radhitet në mesin e vendeve me përqindje të lartë të vaksinimit. Sipas statistikave zyrtare, rreth 95 për qind e fëmijëve, thuhet se janë të vaksinuar, çka sipas autoriteteve vendore, ka treguar sukses në parandalimin, rrallimin apo edhe zhdukjen e shumë sëmundjeve.
Fruthi, ishte një nga sëmundjet, që falë vaksinimit, nuk kishte shënuar raste të reja në Kosovë që nga viti 2001. Por, këtë vit, megjithatë janë shënuar raste të papara.
Në rajonin e Suharekës, janë evidentuar tetë raste me fruth, kurse në rajonin e Mitrovicës tri raste. Kështu thotë për Radion Evropa e Lirë, infektologu Hamdi Ramadani, njëherësh drejtor i Klinikës infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
“Ka disa vite që nuk kemi pasur raste të paraqitura me fruth. Por në Klinikën infektive këto ditë jemi përballur me një grup të sëmurëve me sëmundjen e fruthit, e cila është shfaqur në rajonin e Suharekës. Bëhet fjalë për 8 raste që ne i kemi pranuar dhe ata janë në trajtim e sipër. Përveç kësaj, me datën 24 dhe 25 gusht është paraqitur edhe një grup i të sëmurëve me fruth nga rajoni i Mitrovicës”, bën të ditur Ramadani.
Bazuar në një studim të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe institucioneve tjera, viteve të fundit, sëmundja e fruthit ka “rilindur” në Evropë, ku numri i njerëzve të infektuar që nga viti 2007, është trefishuar.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), thotë se vaksinat kundër fruthit duhet menjëherë të shtohen në të gjithë Evropën dhe Azinë Qendrore.
Në Ministrinë e Shëndetësisë në Qeverinë në largim të Kosovës, këshilltari i ministrit në detyrë, Valbon Krasniqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se imunizimi mund të njihet si pikë e ndritshme e shëndetësisë kosovare.
Sipas tij, vaksinimi përpos që ka ulur numrin e shumë sëmundjeve, ka sëmundje që shumë vjet nuk janë paraqitur fare, apo janë zhdukur, duke përmendur fruthin dhe paralizën e fëmijëve.
“Sa i përket imunizimit në Kosovë, si dhe sëmundjes së fruthit, populli i Kosovës ka një traditë të mirë dhe mbulueshmëria (vaksinimi) arrin mbi 95 për qind. Mbetet të mbulohet edhe vaksinimi i komuniteteve, rom, ashkali e egjiptas”.
“Ka një kohë të gjatë që fruthi nuk është paraqitur në Kosovë, por sëmundjet virale nuk janë sëmundje të një vendi dhe mund të përhapen kudo dhe kurdo. Në një vend mund të mos ketë me vite të tëra fruth , por mund të paraqitet ndonjë rast sporadik”, thotë Krasniqi.
Edhe paraliza e fëmijëve, vijon Krasniqi, ka shumë vite që nuk është paraqitur në Kosovë, falë vaksinimit.
Sidoqoftë, autoritetet shëndetësore në Kosovë thonë se po realizojnë programe të përfshirjes në fushatën e vaksinimit të fëmijëve të komuniteteve serbe, rome, ashkali e egjiptas, ku edhe hyn 5 përqindëshi i pa vaksinuar.
Ky vaksinim planifikohet të kryhet nëpërmjet programeve të veçanta, duke përmbushur synimin “për të gjithë fëmijët e vaksinuar”.
E akuzoi se ka pëlqim ndaj tij, Gresa shpërthen në lot nga X...
Grupi “Shkodra Elektronike” me një falënderim të veçantë për...
Haziri në 35-vjetorin e LDK-së: Kjo familje e Rugovës ia dha...
Isak, objektiv i gjigantit francez
Eskalon situata mes Xuxit dhe Gresës, e lagin njëri-tjetrin ...
Policia në kërkim të dy të dyshuarve për vjedhje në Graçanic...