Google ADS

Riintegrimi, i vështirë i të kthyerve nga Siria

08:50 | 22 Prill 2019
Arbresh.info

Në mbrëmjen e së premtes së kaluar 110 kosovarë u kthyen nga Siria, mes të cilëve 106 gra e fëmijë dhe katër luftëtarë që dyshohet se u ishin bashkëngjitur grupeve terroriste. Përpos këtyre të fundit që po mbahen në paraburgim, gratë dhe fëmijët u dërguan në ish-bazën ushtarake në fshatin Vranidoll të Prishtinës, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Psikologët vlerësojnë se kosovarët e kthyer nga Siria janë në gjendje të rëndë psikologjike, prandaj kanë nevojë për përkrahje institucionale.

“Këta persona vijnë me një bagazh jashtëzakonisht të rënduar fiziko-emocional, socialo-psikologjik. Ata kanë nevojë për përkrahje psikologjike, sepse potencialisht mund të kenë qenë dëshmitarë të gjërave të tmerrshme që di t’i prodhojë lufta dhe si rezultat i kësaj për të reduktuar nivelin e stresit, të ankthit do të ishte e pëlqyeshme të trajtohen në aspektin psikologjik”, ka thënë për “Zërin” psikologu Besnik Peci.

Duke folur për mundësinë e risocializimit në Kosovë, sipas tij, shoqëria jonë nuk duhet ta thellojë stigmën (turpërimin) ndaj këtyre personave.

“Vetë shoqëria jonë ka predispozita t’i stigmatizojë këta persona, për faktin se i konsideron jo të qëndrueshëm dhe konsideron se mendja e tyre është shpëlarë para se të shkonin atje. Tani ata duhen të shihen si viktimë e sistemit dhe e ideologjisë, e cila është imponuar te ata dhe duhet të shihen si persona të cilët kanë nevojë për mbështetje permanente për t’u riintegruar në shoqërinë kosovare. Mbështetja nuk duhet të vijë vetëm në aspektin material, por duhet të bëhet edhe mbështetja sociale, duke punuar me komunitetin te këto familje”, ka thënë ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme