Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar trupin gjykues, i cili do ta rigjykoj Enver Sekiraqën për veprën nxitje në vrasjen e policit të Policisë së Kosovës, Triumf Riza.
Rasti i cili në muajin nëntor u kthye në rigjykim nga Gjykata e Apelit, pritet të nis pas dy muajsh.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, i ka thënë “arbresh.info” se trupi gjykues për këtë rast tashmë është formuar, dhe pritet caktimi i procesit gjyqësor nga kryetari i trupit gjykues Shashivar Hoti.
Gashi bëri të ditur edhe emrat e anëtarëve të trupit gjykues që do të rigjykojnë Sekiraqën.
“Lidhur me kërkesën tuaj ju njoftojmë se për lëndën në fjalë është formuar trupi gjykues dhe kryetar i trupit gjykues është gjyqtari Shashivar Hoti, ndërsa anëtarë të trupit gjykues janë Shadije Gërguri dhe Beqir Kalludra”, është shprehur Gashi.
Lajmin për fillimin e procesit gjyqësor ndaj Enver Sekiraqës në fillim të muajit shkurt të vitit të ardhëm e ka bërë të ditur për “Arbresh.info”, kryetari i trupit gjykues i këtij rasti, Shashivar Hoti.
Gjyqtari Hoti tha se kjo lëndë ka shumë material dhe duhet të lexohet ngadalë. Sipas tij, për këtë arsye ky rigjykim nuk mund të nis gjatë këtij viti.
“Jam duke u përgatitur për gjykim ngadalë, ka shumë material dhe agjendën për dhjetor e kam shumë të nxënë, s’besoj që mund t’ a caktoj brenda këtij viti, por është lëndë që ka ardhur prej EULEX-it dhe ka shumë dosje duhet m’i lexu ngadalë”, u shpreh gjyqtari Hoti.
Gjasat më të mëdha sipas kryetarit të trupit gjykues, Shashivar Hoti janë që ky gjykim të nis në shkurt
“Do të shohë mundësinë që në janar ose fillim të shkurtit do të fillojmë me seanca”, tha gjyqtari Hoti.
Ndryshe, rasti i Enver Sekiraqës i akuzuar për nxitje në vrasjen e policit të Policisë së Kosovës, Triumf Riza, është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit në muajin nëntor të këtij viti.
Pas vendimit të Apelit për kthim të rastit në rigjykim, gjykata kishte marr vendimin për lirimin e Sekiraqës nga paraburgimi. Ai ishte liruar pasi Gjykata e Apelit kishte vendosur që masa e sigurisë nga paraburgimi t’i shndërrohet në arrest shtëpiak.
Mirëpo, Sekiraqa kishte thyer masën e arrestit shtëpiak duke u takuar me persona jashtë familjes, gjë të cilën e kishte të ndaluar nga gjykata dhe pas kësaj shkelje, masa e arrestit shtëpiak iu kthye sërish në paraburgim.
Ndryshe, Enver Sekiraqa ishte shpallur fajtor dhe ishte i dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës në maj të vitit 2016 më 37 vjet burgim për nxitje të vrasjes së policit të Kosovës, Triumf Riza më 30 gusht 2007 .
Ai është akuzuar për tri vepra penale, derisa akuza kryesore ishte për kryerje të vrasjes së rëndë të pjesëtarit të Policisë së Kosovës.
Prokurori Andrew Carney e ka akuzuar Enver Sekiraqën për shtytje në vrasjen e policit Triumf Riza në gusht të 2007-s në Prishtinë.
Sekiraqa akuzohej se kishte nxitur Arben Berishën për të kryer vrasjen e policit të Policisë së Kosovës, Triumf Riza dhe për vepra të tjera.
Për vrasjen e Rizës është i dënuar Arben Berisha me 30 vjet burgim, si dhe dy persona tjerë.
Pas një kohe të gjatë në arrati, Sekiraqa ishte dorëzuar në vitin 2012. Pas dorëzimit ai kishte vuajtur një dënim për një incident me policët të cilët tashmë janë në burg dhe të akuzuar për shpërthimin në lokalin e tij në Prishtinë. /Arbresh.info/Gita Lushi
Moti i keq në Shqipëri/ Bllokohen disa akse rrugore, disa zo...
Kauza e bashkimit kombëtar nuk ishte një qëllim, por një mje...
Konjufca pret në takim një delegacion nga Azia Jugore, disku...
Regjimenti i Mjekësisë së FSK-së, merr pjesë në një ushtrim ...
Agim Ademi dhe Franco Foda optimistë për ndeshjen me Islandë...
Parlamenti ukrainas anulon seancën nga rreziku i sulmeve ajr...