Ish ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi sot ka dal me një letër publike për sfidat dhe të arriturat sa ka qenë në krye të kësaj ministrie.
Latifi përmes letrës thotë se dorëheqja e tij ishte rezultat i një reflektimi në muajt e fundit.
Ai tha se në këtë ministri kur ka ardhur në krye të saj ka gjetur keq menaxhim, buxhet të vogël si dhe mungesë tëekipeve profesionale të menaxhimit dhe zbatimit të projekteve kapitale që kanë filluar në të kaluarën.
Lexoni më poshtë letrën e plotë të ish ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi:
Siç është bërë e njohur tashmë, me datë 6 tetor 2022, me zhgënjim të thellë dhe keqardhje pas shumë reflektimesh për disa muajt e fundit, dhashë dorëheqje nga Ministria e Shëndetësisë, ku shërbeva për 10 muaj e gjysmë si Ministër. Ky ka qenë vendimi më i vështirë që kam marrë ndonjëherë në jetën time.
Ju falënderojë shumë për përkrahjen tuaj të vazhdueshme, besimin tuaj, se ne mund ta rindërtojmë, zhvillojmë, dhe transformojmë shëndetësinë e Kosovës.
Për çdo minutë të kësaj kohe, unë kam pasur nderin dhe përgjegjësinë më të madhe që dikush mund ta ketë. Për më tepër, gjatë kësaj kohe unë nuk kam bërë vetëm punën e Ministrit, ngase këtë kurrë nuk e kam marrë si punë, por si pasionin dhe përgjegjësinë më të madhe që kam pasur ndonjëherë.
Por, dua të ju siguroj të gjithë qytetarët e Kosovës dhe gjithë diasporën shqiptare kudo që jetojnë në botë, se ndonëse nuk do të jem më Ministër i Shëndetësisë së Kosovës, do të mbetem ambasadori i saj më këmbëngulës për avancimin e shëndetësisë së Kosovës, dhe kurrë nuk do të ndalem së punuari për Kosovën dhe për shëndetësinë e Kosovës dhe për rimëkëmbjen dhe modernizimin e këtij sektori shumë të injoruar dhe vulnerabël. Kështu, ka qenë qysh nga viti 1985 kur jam shpërngulur në SHBA, e kështu do të jetë derisa nuk e marrë frymën e fundit në këtë botë.
Të dashur Qytetarë,
Ju me të drejtë, pyesni po çfarë bëmë ne për këta muaj? Përgjigja është e thjeshtë: Filluam rindërtimin dhe transformimin e të gjithë sistemit shëndetësor në një kohë shumë të vështirë, me rrethana shumë komplekse, në një ambient të polarizuar dhe të politizuar, duke krijuar bazamentin e një shëndetësie moderne, me spitale moderne dhe me staf të përgatitur për t’u marrë me çdo sëmundje dhe gjendje shëndetësore.
Më lejoni të përpiqem të shpjegoj përgjigjen për këtë pyetje madhore, duke përdorur analogjinë e kirurgut të traumës. Ne shpëtojmë jetën e një të lënduari rëndë duke ndaluar gjakderdhjen me intervenime kirurgjike (shpesh dramatike), duke siguruar rrugët e frymëmarrjes dhe oksigjenin, dhe duke dhëne shumë gjak dhe produkte gjaku.
Në rindërtimin dhe transformimin e sistemit të kujdesit shëndetësor filluam të përdorim të njëjtën qasje dhe metaforë: ndalimi i gjakderdhjes, që në këtë kontest është ndalimi i fluksit të pacientëve jashtë vendit duke krijuar ekspertizën tonë, që është oksigjeni, pa të cilin nuk mundemi t’i mbijetojmë konkurrencës, dhe më në fund modernizimi i infrastrukturës spitalore (rritje të buxhetit), pa të cilën as nuk mund ta ndalim gjakun e as të jepet oksigjeni.
Për ta arritur këtë filluam ndërtimin e kapaciteteve njerëzore mjekësore dhe manaxheriale me standarde të larta ndërkombëtare dhe të infrastrukturës përmes diplomacisë mjekësore, që do të siguronte mirëqenie të stafit shëndetësor jo vetëm me paga dinjitoze, por edhe me platformë që i gjithë kuadri shëndetësor të arrijë gjithë potencialin e vet, dhe të ketë, si thashë më lart infrastrukturë spitalore moderne.
Kësaj duhet shtuar përgjegjësinë e secilit punëtor shëndetësor për punën dhe performancën individuale dhe shumë më tepër dashuri për popullin dhe për vendin tonë të vogël e të bukur, Kosovën. Pra, ekspertiza e lartë dhe infrastruktura e duhur ngrit cilësinë e shërbimeve, e shton përgjegjësinë, por edhe kënaqësinë profesionale të secilit. Pa përgjegjësi dhe kënaqësi profesionale nuk arrihet i gjithë potenciali njerëzor nga asnjeri nga ne. Është aq e thjeshtë sa kaq!
Në faqet në vijim të këtij dokumenti mund të gjeni një përmbledhje të shkurtër të gjeturave, sfidave të ballafaquara si dhe të arriturat në këta 10 muaj të mi si Ministër i Shëndetësisë, të cilat mendoj se janë një fondacion i mirë, për të ndërtuar edhe kapacitetet e edhe infrastrukturën e edhe mirëqenien e punëtorëve shëndetësorë.
Më lejoni të falënderoj të gjithë qytetarët e Kosovës dhe diasporën shqiptare kudo në botë për besimin e tyre, Kryeministrin Kurti për mundësinë jetike që më dha ta ndihmojë shëndetësinë e Kosovës, kabinetin tim që bënë edhe të pamundurën për të arritur pikësynimet dhe realizuar planet tona, miqtë e kolegët që më ndihmuan dhe përkrahen në këtë mision të shenjtë, të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, të gjitha partive politike, që me pyetjet e tyre parlamentare në komisione ose në parlament më bënë Ministër më të mirë dhe më ndihmuan në punën time. Dhe, në fund falënderoj familjen time veçmas Dritën për sakrificën e tyre që bënë, dhe përkrahjen e 100% të vendimit tim të vijë në Kosovë.
Të Gjeturat
Me ardhjen time në krye të Ministrisë së Shëndetësisë më 16 Nëntor 2021 e deri më sot unë kam arritur të konstatoj:
1. Mungesën e strategjisë themelore për zhvillim afatshkurtër, afatmesëm e afatgjatë si dhe mungesën e projekteve kapitale dhe infrastrukturës spitalore;
2. Humbje e besimit të donatorëve;
3. Shkatërrim të Sistemit të Edukimit Post-diplomatik;
4. Mungesën e infrastrukturës spitalore dhe ekspertizës klinike lokale që si pasojë ka numrin e madh të pacientëve që trajtohen jashtë vendit;
5. Mosbesim të thellë të publikut në sistemin publik shëndetësor të Kosovës, për shkak të mungesës së ekspertizës, profesionalizmit, keq menaxhimit dhe korrupsionit të madh prezent në çdo hallkë të këtij sistemi;
6. Mungesën e sistemit informativ shëndetësor dhe
7. Mungesën e sistemit të sigurimeve shëndetësore,
8. Keq-menaxhim i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore;
9. Mangësi të mëdha në hartimin e akteve ligjore për sektorin për gati gjashtë vitet e fundit (Strategjia sektoriale, Strategjia e burimeve njerëzore, Plani i sëmundjeve ngjitëse dhe ligjet bazike të shëndetësisë);
10. Mungesë totale të aftësive menaxheriale e lidershipit të SHSKUK, që e pamundëson ta zhvillojë këtë institucion;
11. Mungesa e profesionalizmit administrativ në Ministrinë e Shëndetësisë, të shtresuar ndër vite, që për rezultat ka sjellë keq menaxhime të mëdha dhe procedura arkaike të dizajnuara për të penguar zhvillimin e shëndetësisë së Kosovës dhe menaxhim diktatorial i administratës, që ka krijuar një atmosferë toksike në raport me kabinetin tim.
12. Buxheti i vogël dhe mungesa totale e projekteve kapitale për vitin 2022 ishte shembull i neglizhencës zhvillimore të shëndetësisë.
13. Mungesë totale të ekipeve profesionale të menaxhimit dhe zbatimit të projekteve kapitale që kanë filluar në të kaluarën
Të arriturat gjatë këtyre 10 muajve
Përkundër të gjitha këtyre, për dhjetë muaj kemi arritur të:
1. Të sigurojmë fonde të reja të Lux-Dev-it prej afro 15 milionë eurosh (ishin tërësisht të humbura) për të mbështetur spitalet në Gjilan dhe Prizren si dhe shumë qendra të tjera klinike dhe programe të ekselencës;
2. Afër 800,000 euro nga Italia për pajisjet e kirurgjisë pediatrike të kardiokirurgjisë,
3. 1,000,000 euro për zgjerimin e programit të telemjekësisë, dhe
4. Kemi siguruar mundësinë e edukimit të stafit tonë klinik në Austri, Zvicër, Greqi, Izrael dhe shumë vende të tjera me të cilat jam duke punuar aktualisht.
5. Për më tepër kemi kthyer besimin edhe të donatorëve të tjerë se tash Ministria e Shëndetësisë është në duar të sigurta dhe me vizion të qartë afatgjatë. Me këtë qëllim kemi realizuar në Prill 2022 Konferencën me donatorët ndërkombëtar në Kosovë, ndërsa të dytën e realizojmë më 15 Nëntor 2022.
6. Vazhdimin e menaxhimin te shkëlqyeshëm të pandemisë COVID-19, me gjithë kompleksitetin e saj,
7. Kemi punuar në 26 projekt-ligje, udhëzime administrative dhe koncept-dokumente.
8. Divizioni Farmaceutik i MSH-së lidhur me furnizimin nga Lista Esenciale e Barnave, ku Msh përmes programit farmaceutik bën furnizim të rregullt dhe të pandërprerë të mbi 16,500 qytetarëve me sëmundje kronike dhe atë për këto kategori:
• Me tri lloje të insulinave trajtohen 15,231 qytetarë me diabet
• Numri i pacientëve që trajtohen për Sklerozë të Shumëfishtë është 427
• Numri i pacientëve që trajtohen për fibrozë cistike është 120
• Numri i pacientëve që trajtohen për Sindromën Gaucher është 10
• Numri i pacientëve që trajtohen me barna antiTB është 410
• Numri i pacientë në terapi Antiretrovirale është 51
• Numri i pacientëve në terapi mbajtëse me Metadon është 264
Sa i përket furnizimit të QKMF-ve me barna nga LE dhe material shpenzues, niveli i furnizimit është afër 70% me barna ndërsa mbi 90% me material shpenzues.
Specifikisht, llojet e barnave me të cilat furnizohen QKMF-të përfshijnë të gjitha grupet terapeutike, si barnat analgjetike, ato për sëmundje kardiovaskulare, terapinë orale për diabet, antibiotikët, trajtim të sëmundjeve të traktit respirator etj.
4. Kemi bërë një analizë të të gjitha pikave kryesore të sistemit të kujdesit shëndetësor, përmes intervistave me aktorë të ndryshëm, një anketë me shkrim të drejtuesve kryesorë klinikë dhe një rishikim të të gjithë pacientëve të trajtuar jashtë sistemit të kujdesit shëndetësor publik, duke përfshirë numrin, diagnozën, arsyet e trajtimit dhe koston jashtë vendit Kosovës (2019-gusht 2022) ose në spitalet private; rishikimi i (shumë) raporteve të konsulentëve ndërkombëtar mbi infrastrukturën spitalore; opinione dhe materiale të tjera në dispozicion të Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës për infrastrukturën, zënien e shtretërve spitalorë dhe kapacitetet njerëzore që kemi dhe që na duhen, dhe përgjithësisht efikasitetin apo mos efikasitetin e kujdesit shëndetësor. Kështu, kemi identifikuar të gjitha pikat neuralgjike të mungesës së shërbimeve te avancuara, për të cilat kërkohen trajnime jashtë vendit.
5. Përdorimi i diplomacisë mjekësore. Ngase, ne nuk mund ta bëjmë transformim e madh të sistemit shëndetësor të Kosovës, pa partneritet me miq tanë të mëdhenj dhe vende partnere anembanë botës, ne kemi filluar të përdorim diplomacinë mjekësore si platformë. Do të jetë një partneritet i vërtetë i ndërtuar përmes diplomacisë mjekësore dhe miqësisë, me qëllim që Kosova të bëhet pjesë e fshatit mjekësor global. Me këtë diplomaci shëndetësore, kemi shpëtuar largimin e sigurt të LuxDev-it nga fusha e shëndetësisë. Kemi iniciuar bashkëpunimin me shumë shtete dhe institucione në SHBA, Austri, Zvicër, Turqi, Greqi, Indi, Norvegji, Slloveni, Kroaci, Shqipëri, Izrael, e vende të tjera.
6. Kemi arritur të sensibilizojmë diasporën tonë për ta ndihmuar shëndetësinë e Kosovës me programe involvuese, sikurse është bashkëpunimi i diasporës me Kolegjin e Kirurgëve të Kosovës dhe organizatat e ndryshme profesionale të mjekëve jashtë vendit.
7. Kemi bashkuar klinikat e Kardiologjisë invazive dhe jo-invazive në një klinikë, sipas standardeve ndërkombëtare, si dhe kemi filluar procesin e krijimit të Qendrës së Zemrës, dhe
8. Kemi krijuar platformën prej 7 shtyllash për hartimin e strategjisë afatmesme dhe afatgjate të zhvillimit dhe transformimit të shëndetësisë së Kosovës.
Shtatë Shtyllat Kryesore të zhvillimit të shëndetësisë së Kosovës
9. Digjitalizimi i shërbimeve të kujdesit shëndetësor, përfshirë sigurimin shëndetësor;
10. Kthimi i trurit dhe reduktimi i ikjes së trurit (jemi duke punuar në politikat për përfshirjen e ekspertëve nga diaspora në pozita klinike, menaxheriale dhe drejtuese, në të gjithë sistemin shëndetësor; Duhet shqyrtuar krijimin e pakos kthyese për ekspertët tanë, ashtu siç e kanë bërë Izraeli dhe Kroacia;
11. Avancimi i programeve klinike dhe qendrave të ekselencës, nëpërmjet analizave të projektuara dhe të bazuara në të dhëna të programit për trajtim jashtë vendit dhe spitaleve dhe institucioneve private;
12. Reformimi i programeve të specializimeve dhe trajnimit, duke shtuar sub-specializimet dhe akreditimin ndërkombëtar; (Analiza e përfunduar nga eksperti Amerikan, dhe UA për shkollim post-diplomik është në përfundim);
13. Avancimi i kapaciteteve kërkimore dhe përfshirja e personelit kërkimor dhe studentëve të mjekësisë, specializantëve në studime kërkimore në shumicën e disiplinave kryesore klinike;
14. Modernizimi i infrastrukturës spitalore dhe institucioneve të tjera shëndetësore (shih projektet kapitale) dhe rritja e cilësisë së shërbimeve shëndetësore duke përfshirë akreditimin ndërkombëtar, të spitaleve dhe institucioneve të tjera.
15. Decentralizimi i sistemit spitalor dhe riorganizimi i QKUK-së, me fuqizimin e sistemit shëndetësor rajonal dhe lokal (Dy UA ne proces).
16. QENDRAT EKSLENTE DHE PROGRAMET E AVANSUARA KLNIKE
Për të realizuar shtyllën e 3-të Avancimi i Programeve Klinike dhe Qendrave të Ekselencës, kemi krijuar planin e detajuar për 12 qendrave që përfshin:
7. Qendrën e Emergjencës, Traumës, dhe Djegieve se bashku gjithë sistemin e emergjencave dhe traumës;
(Një vlerësim preliminar është bërë nga një ekspert i huaj (Ruben Peralta), në pjesën e tretë të Nëntorit edhe një ekspert nga Izraeli do të bëjë vlerësimin për të krijuar sistemin e integruar të traumës dhe emergjencave (para spitalor, spitalor, dhe post spitalor). Për të funksionalizuar ndërtesën e Qendrës së Emergjencave dhe Traumës është duke u bërë një vlerësim që do të përfundojë më 15 Nëntor 2022. Kjo do të krijojë një objekt modern spitalor për trajtimin e të gjitha gjendjeve akute, sikurse janë traumat, emergjencat dhe sëmundjet e tjera. Gjithashtu, sub-specializime për traumë dhe kujdes intenziv janë në proces të planifikimit paralelisht me këtë); Është buxhetuar.
8. Qendra Klinike Onkologjike e Kosovës (QKOK) me 10 (dhjetë) departamente dhe 11(njëmbëdhjetë) programe klinike. Në proces të finalizimit të projektit dhe strategjisë se implementimit dhe kërkimet e fondeve nga donatoret e mëdhenj, përmes diplomacisë mjekësore);
9. Instituti Bio Mjekësor dhe Hulumtimeve Shkencore (Fondet fillestare janë siguruar nga Lux-Dev) qe përfshinë departamentet e Hulumtimeve shkencore, Simulimit Mjekësor dhe Edukimit Teknologjik, Laboratorin e Kirurgjisë Laparoskopike Minimale, dhe Udhërrëfyesve dhe Protokolleve Klinike (Fondet fillestare janë siguruar nga Lux-Dev);
10. Qendra për Fëmijët dhe të Rriturit me Aftësi të Kufizuara (Autizmi, Sindromi Doën dhe Sëmundje të tjera të Rralla – kemi një filantropist i gatshëm ta ndërtojë- Halil Kastrati);
11. Qendra për rehabilitimin nga varësia (Filantropist i gatshëm ta ndërtojë- Halil Kastrati);
12. Qendra Rajonale për Trajnim dhe Menaxhim të Katastrofave dhe Traumës e Emergjencës (Projekti është shkruar dhe do t’i prezantohet donatorëve, si projekt ndërshtetëror );
13. Zgjerimi i programit te Telemjekësisë në të gjithë Spitalet Rajonale të vendit dhe Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare (Në finalizim të projektit; mjetet e siguruara);
14. Konsolidimi i Qendrës se Neuroshkencave (Është buxhetuar për vitin 2023);
15. Konsolidimi i Qendrës se Zemrës (Çështje vetëm organizative);
16. Programi Kirurgjisë Laparoskopike Minimale Invazive në Kirurgjinë e Përgjithshme, Urologjinë, Gjinekologjike, Pediatrike dhe Kirurgjia Torakale;
17. Programi i Kirurgjisë Endovaskulare (Është buxhetuar për vitin 2023);
18. Programi për transplantim të veshkave dhe indeve (Është siguruar vend trajnimi në Universitetin e Selanikut, Greqi; Opsioni i dytë Grac, Austria);
Për të menaxhuar qendrat dhe programet e sipërpërmendura, dhe pas analizës së thellë bërë të gjithë sistemit edukativ post-diplomik dhe nevojave klinike, kemi krijuar platformën për sub-specializime klinike të avancuara.
Për këtë, ne projektuam sub-specializime në 22 disiplina klinike (me 2-12 persona në fusha të ndryshme), ku do të trajnohen gjatë viteve 2022-2024, rreth 100 mjekë dhe kirurgë në qendrat ndërkombëtare më të njohura të botës.
Projektet kapitale në buxhet për 2022-2025:
Gjatë këtyre 10 muajve kemi funksionalizuar ose kemi filluar punët në disa prej projekteve kapitale si në vijim:
10. Inaugurimi klinik i Spitalit të fëmijëve në QKUK (Është bërë me 28 Mars 2022);
11. Depoja e re e vaksinave: Inaugurimi bëhet së shpejti
12. Qendrën e Emergjencës dhe Traumës, dhe Qendrën për Djegieve dhe plagëve së bashku gjithë sistemin e traumës; Në proces të vlerësimit të gjendjes fizike, projektimit, përcaktimit të kostos reale. Studimet e fizibilitetit në proces. Është buxhetuar pjesërisht për tre vjetët e ardhshme. Nevojitet një donator i jashtëm.
13. Qendra Klinike Onkologjike e Kosovës (QKOK) me 10 (dhjetë) departamente dhe 11 (njëmbëdhjetë) programe klinike. Në proces të finalizimit të projektit dhe strategjisë së implementimit dhe kërkimet e fondeve nga donatoret e mëdhenj, përmes diplomacisë mjekësore);
14. Rivlerësimi i gjendjes aktuale të ndërtesës së repartin e pediatrisë në Spitalin e Mitrovicës për të hapur rrugë fillimit të punëve për të funksionalizuar atë; (Është bërë edhe një vlerësim i gjendjes aktuale, Buxhetimi në proces)
15. Vlerësimi i infrastrukturës fizike të Klinikës së Neuropsikiatrisë që do të ketë kosto prej 3 milionë euro; (Nuk është buxhetuar ende)
16. Inicimi i punëve për të funksionalizuar ndërtesën boshe të Qendrës së Traumës dhe Emergjencës; (Në proces të rivlerësimit dhe buxhetimit)
Projekt-propozimi për modernizimin e Kirurgjisë Vaskulare dhe Neurokirugjisë; (Buxhetuar për 2023)
17. Analiza për kompletimin e Spitalit të Ferizajt; (Në pritje të vlerësimit të ndërtesës nga ana e Fakultetit te Ndërtimtarisë);
18. Përgatitja për hapjen e Spitalit Podujevë (Inaugurimi do të bëhet këtë vit);
19. Fillimi i punëve përgatitore për Spitalin e Prishtinës në bashkëpunim me komunën e Prishtinës; (Në diskutime ne Komisionin Ekzekutiv)
20. Rivlerësimi dhe përditësimi i projektit të ËBIF për gjithë infrastrukturën spitalore (Në proces të përditësimit);
21. Projekt-propozimi për zgjerimin e Telemjekësisë në të gjithë Spitalet Rajonale të vendit dhe Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare (Në finalizim të projektit;
22. Projekt-propozimi për Institutin Bio Mjekësor (Fondet fillestare janë siguruar);
23. Projekt-propozimi për Qendrën e Autizmit, Sindromi Down dhe Sëmundjeve të rralla (Projekti në përfundim e sipër)
24. Projektet e Mëdha qe kërkojnë të vlerësohen dhe buxhetohen:
1. Klinika e Pulmologjisë
2. Ndërtesa e Barnatores Qendrore /arbresh.info/
Deliu- Kodra thotë se ushtarët e FSK-së kanë mbetur pa rrymë
Rezultatet e para përfundimtare nga Regjistrimi i Popullsisë...
Kastrati prezanton të dhënat finale të regjistrimit të popul...
Signo kërkon falje publike ndaj Donnarummas, thotë se nuk is...
Aksident trafiku mes dy kamionëve në autostradën Veternik-Br...
Zyrtare: Kosova ka 1,586,659 banorë rezidentë