Për herë të tretë, Arben Vitia është rikthyer ministër i shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të hënën e ka emëruar Arben Vitin në postin e ministrit të shëndetësisë.
Rizgjedhja e Vitisë ka ngjallur reagime në vend ku thuhet se është e jashtëligjshme.
Njohësi i çështjeve juridike, Ehat Miftaraj vlerëson se nuk ka asnjë dispozitë ligjore që e kufizon të drejtën e Vitisë të caktohet në pozitën e ministrit të shëndetësisë.
“Në bazë të ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e Funksionit Publik, nuk ka ndonjë dispozitë ligjore që kufizon të drejtën e Arben Vitisë të caktohet në pozitën e Ministrit të Shëndetësisë Sidoqoftë, kontestuese ka qenë marrja e pozitave nga ana e Arben Vitisë, në sektorin privat ku ndërlidhen me shëndetësinë pas përfundimit të mandatit të tij si ministër i Shëndetësisë ”, shprehet ai.
Sipas tij, Vitia me marrjen e detyrës dhe gjatë ushtrimit të saj, ka për detyrë të parandalojë dhe të zgjidhë vetë në mënyrën më efektive të mundshme, ndërmjet interesave të tij publike dhe private që ka mbajtur deri më tani.
“Sidoqoftë, lidhur me dyshimet apo perceptimet lidhur me këtë situatë, është Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit autoritet kompetent për të informuar publikun nëse është filluar ndonjëherë ndonjë procedurë nga ana e tyre sipas detyrës zyrtare apo në bazë të ndonjë inicimi të jashtëm për situatën potenciale të konfliktit të interesit. Në këtë fazë çka është me interes është fakti se Arben Vitia me marrjen e detyrës dhe gjatë ushtrimit të saj, ka për detyrë të parandalojë dhe të zgjidhë vetë në mënyrën më efektive të mundshme, çdo situatë të konfliktit ndërmjet interesave të tij publike si ministër i Shëndetësisë dhe interesave të tij private me pozitat që ka mbajtur deri tani në institucionet private të shëndetësisë”, thotë Miftaraj.
PDK: Me riemërimin e Arben Vitisë, LVV vazhdoi degradimin e shëndetësisë
Por, ndryshe mendon deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili është edhe anëtar i Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë në Kuvendin e Kosovës.
Ai thotë se ky emërim e ka degraduar shëndetësinë e vendit, duke e vendosur pozitën e ministrit të shëndetësisë në pazar.
“Me riemërimin e Arben Vitisë, LVV vazhdoi degradimin e shëndetësisë duke e vendosur pozitën e ministrit të shëndetësisë në pazar dhe interes të sektorit privat. Pyetja që duhet bërë sot Albin Kurtit është se, a ka dhënë ende dorëheqje nga Komision Ekzekutiv për Shëndetësi, a është më mirë pa ministër apo me një ministër të dështuar me konflikt të supozuar të interesit? Albin Kurti duhet të jap përgjegjësi dhe të tregoj se përse që tre muaj nuk është emëruar Ministri i Shëndetësisë, apo ka pritur derisa Arben Vitia të përfundoj barazimet me sektorin privat”, thotë Haxhiu.
Megjithatë, sipas deputetit të PDK-së, riemërimi i Arben Vitisë është lajm i keq për shëndetësinë tonë.
“Duke ditur se Arben Vitia nga pozita e ministrit të shëndetësisë, shkoj menaxher në laboratorin Olive e tani sërish është rikthyer në ministër, dyshohet për konflikt të interesit. Pas Raportit të Auditorit për vitin 2021 ku ishin gjetur afro 12 milion euro keqpërdorime në shëndetësi në kohen sa ky dikaster udhëhiqej nga Arben Vitia, riemërimi i Arben Vitisë është lajm i keq për shëndetësinë tonë”, thekson Haxhiu.
Ndryshe, derisa vendi ishte pa ministër të shëndetësisë shumë ngjarje në shëndetësi e tronditën vendin. Rasti i fundit ishte në Pejë ku një bebe lindi e vdekur, e nga papërgjegjësia e stafit u fut në lavatriçe.
Po ashtu ngjarje e rëndë ndodhi edhe në oborrin e QKUK-së ku nga ish-bashkëshorti u vra një grua shtatzënë e cila ishte e shtrirë në klinikën e Gjinekologjisë ku kishte dal për shëtitje. Por, ajo përfundoi para syve të mjekëve e vdekur, ku askush nuk ndërhyri për ta shpëtuar foshnjën e saj.
Rasti që bëri bujë në vend dhe më gjerë ishte edhe keqtrajtimi i të moshuarës në shtëpinë e të moshuarve në Pejë si dhe rasti në Gjilan ku një logoped shkaktoi dhunë psikike ndaj një pesë vjeçare me autizëm.
Kujtojmë se Arben Vitia, më 1 tetor 2021 pati dhënë dorëheqje nga posti i ministrit të Shëndetësisë, për t’iu futur garës për të parin e Prishtinës.
“Unë sot po e përmbyllë këtë detyrë që ma besuan. Unë nga tani e tutje do të jem pjesë e një ekipi tjetër që ka në fokus kryeqytetin tonë”, kishte thënë Vitia.
Por në këtë garë, ai u mposht nga kundër kandidati i tij nga radhët e LDK-së, Përparim Rama.
Në vendin e Vitisë ishe emëruar ushtruese e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku.
Më pas në këtë pozitë erdhi Rifat Latifi, por i njëjti dha dorëheqje me 6 tetor të këtij viti, ndërsa në vendin e tij u rikthye sërish Dafina Gexha-Bunjaku si ushtruese e detyrës për gati tre muaj. /arbresh.info/ Vjollca Gajraku/
30 ditë paraburgim për Marko Daniqin, i akuzuar për sulmet n...
Haradinaj premton lehtësira tatimore për prodhuesit vendorë ...
Policia e Kosovës pajiset me automjete të reja për nevoja op...
G7 konfirmon zotimin për të vendosur masa të ashpra ndaj Rus...
“24 orë i ki me Xheneten, se tani dal une!”, Driloni ngacmon...
Spiropali në Azerbajxhan: Jo më qëndrime asimetrike në përba...