Ridvan Muharremi ishte deklaruar i pafajshëm për vjedhje të energjisë elektrike

19:05 | 31 Gusht 2023
Diellza Gashi

Biznesmeni i akuzuar për vjedhje të energjisë elektrike, Ridvan Muharremi nuk e kishte pranuar fajësinë në seancën e mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Ishte deklaruar i pafajshëm se ka dëmtuar KEDS-in 2 mijë e 473 euro.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, nga gjyqtari i kësaj çështje penale jemi informuar se i pandehuri R.M nuk e ka pranuar fajësinë”, thuhet në përgjigjen e Gjykatën Themelore të Prishtinës për “Betimi për Drejtësi”.

“Betimi për Drejtësi” ka raportuar sot se biznesmenit Muharremi, i përfshirë në aferën e rezervave shtetërore, i është ngritur aktakuzë më 2021 për vjedhje të energjisë elektrike.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, Ridan Muharremi po akuzohet se më datë 19 nëntor 2020 në furrën  e tij, me qëllim të përvetësimit të sendeve të huaja të luajtshme, me qëllim që vetit t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme ka shfrytëzuar njësorët e  energjisë elektrike paautorizim të furnizuesit në këtë rast KEDS.

“Betimi për Drejtësi”, ka kontaktuar me avokatin e Muharremit, Mahmut Halimin, i cili ka thënë se nuk e përfaqëson Muharremin në këtë lëndë por vetëm në rastin e rezervave shtetërore

Ridvan Muharremi dhe dy të zyrtarët shtetërorë janë liruar sot nga paraburgimi pasi ishin arrestuar më 19 gusht të këtij viti në një aksion të Prokurorisë Speciale. Muharremi dyshohet se ka ndërmjetësuar kundërligjshëm në blerjen e rezervave shtetërore nga Turqia dhe Polonia. Ai dyshohet se iu ka ndihmuar dy zyrtarëve shtetërorëHafiz Gara, Irfan Lipovica , që të shkelin ligjin kur kanë porositur blerjen e rezervave shtetërore.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme