Rezultatet e testit PISA nuk do të publikohen këtë vit

23:50 | 17 Tetor 2018
Arbresh.info

Nga 11 deri më 26 prill, nxënësit e 211 shkollave të Kosovës i janë nënshtruar testit ndërkombëtar të PISA-s.

Ishin 5 mijë e 370 nxënës që hodhën në letër njohuritë e tyre në lëndët e caktuara, që i kishin mësuar gjatë viteve të shkollimit, shkruan Indeksonline.

Pasi sipas rezultateve të vitit 2015, Kosova ishte renditur pothuajse në vendin e fundit, ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, drejtorët e drejtorive të arsimit, drejtorët e shkollave dhe mësimdhënësit vazhdimisht punuan që kësaj radhe rezultatet të jenë sa më të mira.

“Rezultatet e testit PISA 2018 pritet të publikohen në dhjetor të vitit 2019. Ne dhe asnjë vend tjetër që i është nënshtruar këtij procesi nuk mund ta dimë rezultatin, për faktin se ato janë të kodifikuara dhe menaxhohen nga komisionet përkatëse që funksionojnë në kuadër të Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të nxënësve”, thuhet në përgjigjen e MASHT për Indeksonline.

Zyrtarët e MASHT-it janë shprehur të bindur se këtë vit rezultatet do të jenë më të mira se në testin e para tri viteve.

“Sigurisht, duke u bazuar në angazhimin e ministrit Bytyqi, komisionit për mbikëqyrjen e testit PISA dhe sigurisht edhe komunave, presim dhe jemi të bindur se Kosova do të ketë rezultate më të mira se sa në PISA 2015”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Kujtojmë se për testin PISA, Ministria e Arsimit pati formuar një komision, i cili me planin dinamik organizoi mbajtjen e dy testeve pilot në të gjitha shkollat e Kosovës. Përgatitjet u bënë me qëllim ngritjen e vetëdijes së nxënësve dhe mësimdhënësve për rëndësinë e testit PISA. Ky test sivjet u organizua në mënyrë digjitale.

Testi PISA 2015 ishte fokusuar në shkencë, me leximin, matematiken dhe zgjidhjen bashkëpunuese të problemeve si fusha minore të vlerësimit. Përafërsisht 540 mijë nxënës kanë marrë pjesë në testim, duke i përfaqësuar rreth 29 milionë nxënës të moshës 15-vjeçare nga shkollat e 72 vendeve pjesëmarrëse.
Sipas rezultateve, Kosova ishte e treta nga fundi për nivelin e keq arsimor, kurse Singapori ishte i pari.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme