Rexhep Hoti kundërshton Vulinin: Ushtria e Kosovës do të bëhet

20:42 | 16 Shtator 2017
Trina Galanxhi

Nënkryetari i PDK-së, Rexhep Hoti ka reaguar në lidhje me deklaratat e Ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Aleksander Vulin, i cili ka thënë që me ministrat serbë në qeverinë e Kosovës është i pamundur formimi i ushtrisë.

Hoti ka thënë se asnjë faktor politik në Kosovë nuk ka të drejtën e vetos ndaj kësaj çështje dhe se ushtria e Kosovës do të behet.

“Serbia po vazhdon të ngecë në drejtim të integrimeve drejt BE-së, drejt bashkëpunimit rajonal e fqinjësor kur është në pyetje çështja e Republikës së Kosovës dhe kur është në pyetje orientimi i saj nga Rusia apo Perëndimi.
Ndonëse jashtë këtyre dy pikave, ajo, e veçmas Presidenti Vuçiq, prezantohen euro-perëndimor të moderuar.
Ministri i Mbrojtjes i Serbisë nuk besoj se nuk e dinë se as ai e as Serbia nuk është pyetur kur është shpallur Republika e Kosovës.
Po ashtu ai duhet të ketë lexuar diku qëndrimin e Ambasadorit të SHBA-s në Kosovë, Greg Delawie, se ushtria e Republikës së Kosovës do të bëhet, mbase brenda këtij viti (2017) dhe se askush, asnjë faktor politik, nuk e ka të drejtën e vetos në Kosovë ndaj kësaj çështjeje.
Kjo, zoti Ministër i Mbrojtjes i Serbisë, kujtoj se duhet të merrte në konsideratë. Mos e bartni më në shpirt e mbi supet e Serbisë të kaluarën mitologjike mbi gjashtëqindvjeçare me identitet të rrejshëm” ka shkruar Rexhep Hoti.

Tutje ai ka thënë që Serbia dhe Kosova duhet të bashkëpunojnë si fqinj dhe se kanë shumëçka për të ndrequr e biseduar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme