Revoltohen veteranët e vërtetë, gati ta padisin prokurorinë

18:59 | 18 Shtator 2018
Arbresh.info

Publikimi i listave të veteranëve të rrejshëm, ka nxjerrë edhe shumë ish-ushtarë të cilët kontribuuan gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Shumë prej tyre janë shprehur sa të zhgënjyer aq edhe të mllefosur, derisa emrat e tyre i gjetën në listat e atyre personave që provuan të mashtrojnë institucionet e vendit, sa për të marrë pensionin e veteranit.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi thotë se vazhdon të ketë biseda të ndryshme me ish-ushtarë, kjo për t’iu ndihmuar sado pak të kalojnë gjendjen e tyre emocionale.

Sipas tij, kjo situatë e krijuar është shqetësuese dhe e bërë me qëllim sa për të krijuar mjegull të madhe.

“Po gjatë ditës të djeshme edhe gjatë ditës të sotme kam qenë në komunikim të vazhdueshëm, me shumë veteran luftëtar të UÇK-së, të cilët janë nxjerr në lista të personave të rrejshëm, nga ana e prokurorisë të shtetit. Është shqetësuese kjo që ka ndodhë dyshoj se kjo është e qëllimshme sa për të krijuar një mjegull më të madhe”, ka thënë ai në një bisedë për Indeksonline.

Qeriqi thotë se veteranëve të cilëve u është keqpërdorur identiteti i tyre, vërehet se janë të revoltuar në masën më të madhe.

Ai thotë se tanimë shumë veteran janë në përgatitje të padisë kundër prokurorisë.

“Edhe në këtë moment derisa ju përgjigjem juve jam duke komunikuar me dhjetëra veteran të cilëve u është keqpërdorur identiteti i tyre, vërehet se janë të revoltuar në masën më të madhe, ndjehen të fyer me këto veprime që janë bërë nga ana e institucioneve, një pjesë e tyre sot gjatë ditës kanë përgaditur dhe janë duke i përgaditur padi kundër institucionit të prokurorisë, për publikimin e të dhënave të tyre në rrjetet sociale. Shihet një qëllim dhe tendencë që sa më shumë të degradohet lufta e UÇK-së dhe të dëmtohet identiteti i luftarëve të vërtet të UÇK-së”, ka theksuar tutje ai.

Derisa bënë me dije se veteranët e vërtetë janë lënduar dhe janë ndier të fyer, Qeriqi thotë se kjo dukshëm ka ndikuar edhe në psikikën e tyre.

“Janë reagime emocionale ndihen të thyer por ka reagime edhe nga më të ashprat ndaj prokurorisë me fyerje sepse po e shohin veten shumë të lënduar pra ka edhe fyerje nga më të rëndat sepse kjo ka ndiku edhe në psikikën e tyre po e shohin veten keq edhe para familjes rrethit të tyre dhe të shoqërisë, kur e dinë se çfarë sakrifice kanë bërë për vendin e sot të qarkullojnë emrat e tyre në këto lista si të rrejshëm është shumë e rënd për ta mos te harroj se në këto lista që po qarkullojnë ka edhe emra të invalidëve të cilët i kanë humbur gjymtyrët e tyre nëpër beteja”, vlerëson ai.

Qeriqi konsideron se institucionet e drejtësisë nuk duhet të bëjnë lojëra të tilla me veteranët e vërtetë, dhe se veprimet e tilla janë të papranueshme.

“Institucionet e drejtësisë e në këtë rast të prokurorisë të shtetit nuk duhet të bëjn lojra të tilla me luftëtaret e vërtet, veprimet e tilla janë të pa pranueshme. Se sa do të ecën puna dhe sa presim që e vërteta të del në shesh, sinqerisht ju them se nuk pres asgjë nga ana e kësaj prokurorie, e cila shihet se është e ndikuar nga politika dhe nuk është e aftë ti luftoj ata keqpërdoruesit të cilët pa merit e kanë përfituar statusin e veteranit dhe po e dëmtojnë shtetin duke gëzuar pensionin e luftës.”, ka shtuar tutje ai.

Ndryshe, Prokuroria e Kosovës ditë më parë ka ngritur aktakuzë kundër veteranëve të cilët në mënyrë të paligjshëm kanë përfituar pensione nga shteti.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme