Revokohen licencat kompanisë “Fazani” të dyshuar për falsifikim të lejeve për armë

18:54 | 21 Shkurt 2018
Arbresh.info

Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë vendim për revokimin e të gjitha licencave dhe certifikatave të kompanisë së armëve “Fazani” pas një afere të zbuluar javën e kaluar rreth lejeve për armë.

Dosja e cila ka rezultuar pas një hetimi disamujor pretendon se në të paktën pesë raste, persona të lidhur me kompaninë e tregtisë dhe trajnimit për armë zjarri kanë arritur t’i pajisin me leje të falsifikuara për armë qytetarët.

Arbresh.info nga burimet e saja brenda Ministria e Punëve të Brendshme ka mësuar se licencat e kompanisë janë revokuar.

Sipas MPB-së, armët dhe municionet të cilat i posedon kompania e armëve “Fazani” do të sekuestrohen.

Javën e kaluar pronari i Kompanisë së Armëve “Fazani”, Hashim Rexhepi, dhe djali i tij, Atdhetar Rexhepi, janë arrestuar pasi dyshohen se kanë dhënë leje të falsifikuara për mbajtje të armëve./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme