Revista e njohur gjermane konsideron se Kurti e Osmani do të ndërtojnë shtet ligjor

16:38 | 9 Shkurt 2020
Arbresh.info

Në një analizë të botuar të dielën revista “Der Spiegel” e Hamburgut shkruan se Kosova pa ndihma ndërkombëtare vështirë do të mbijetonte. Edhe sistemi i sundimit të ligjit ekziston vetëm sipërfaqësisht – dhe arsyeja për këtë, sipas “Der Spiegel”, është kjo: deri më tani kanë qeverisur ish-komandantët e korruptuar dhe klanet e tyre.

“Tani kjo mund të ndryshojë: në fillim të javës postin e kryeministrit në Prishtinë e mori Albin Kurti. Qeveria e tij është e para që nga fundi i luftës më 1999 që gëzon legjitimitet të plotë demokratik, ajo nuk u krijua nga pazaret e bodrumeve apo nën përkrahjen e shteteve që mbrojnë Kosovën”, shkruan “Der Spiegel”. Ky është një sinjal që nuk duhet nënvlerësuar në një rajon që pothuaj gjithkund sundojnë autokratë. BE duhet ta shohë këtë sinjal dhe në të ardhmen të marrë më seriozisht vullnetin e qytetarëve në Ballkanin perëndimor, transmeton Koha.net.

“Der Spiegel” kujton biografinë politike të Kurtit si lider studentor, i burgosur politik në Serbi dhe si aktivist i majtë kundër establishmentit politik në Kosovë. VV dhe LDK në zgjedhjet e tetorit kanë fituar një shumicë të dukshme. Kurti, sipas “Der Spiegel”, konsiderohet i pakorruptuar.

Edhe Vjosa Osmani paralajmëron një kthesë radikale. Ajo është kryetare e parlamentit dhe pas kryetarit të shtetit përfaqësuesja e dytë më e lartë e vendit. “Kosova është një demokraci fragjile. Nuk kemi drejtësi të pavarur”, i tha ajo revistës gjermane. osmani kritikon korrupsionin e elitave dhe ngjashëm si Kurti edhe ajo dëshiron që në Kosovë të ndërtohet një shtet ku sundon ligji. “Vendi ynë tani e tutje do të drejtohet prej njerëzve që nuk kanë probleme me ligjin”, deklaroi Vjosa Osmani.

Në aspektin e brendshëm qeveria duhet të luftojë korrupsionin dhe nepotizmin, të pastrojë sistemin nga gjykatësit dhe prokurorët e padenjë për postet e tyre. BE duhet të mësohet me një qeveri që do të ketë vetëbesim, shkruan “Der Spiegel”. Revista nuk pret normalizim të shpejtë me Serbinë. Kurti hedh poshtë shkëmbimin e territoreve, Osmani thotë se parakusht për dialog është njohja e Kosovës nga Serbia dhe trajtimi juridik i krimeve serbe të luftës. “Nuk do të ketë paqe me Serbinë pa drejtësi për dhjetëra-mijëra viktima shqiptare të luftës”, tha kryetarja e Kuvendit të Kosovës. “BE duhet ta ketë parasysh se presidenti serb Aleksandar Vuçiq mohon gjenocidin dhe të tërheq konsekuencat e duhura”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme