Reuters raporton për largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës

16:40 | 5 Nëntor 2022
E.H

Lista Serbe sot ka njoftuar për largimin nga të gjitha institucionet e Kosovës si shenjë proteste pas shkarkimit të një zyrtari policor i cili nuk zbatoi vendimin e Qeverisë për targat e automjeteve.

Për këtë zhvillim ka raportuar agjencitë ndërkombëtare e lajmeve “Reuters”.

“Reuters”-i shkruan se si autoritetet e Kosovës gjatë kësaj jave shkarkuan nga detyra një zyrtar të lartë policor në veri, atje ku jeton një pjesë e madhe e qytetarëve serbë, e të cilët po refuzojnë të respektojnë vendimin për ndryshim të targave nga ato të lëshuara nga Serbia, në RKS. Ndryshimi ka ndezur çështje shpërthyese rreth sovranitetit të Kosovës, veçanërisht në mesin e pakicës së saj serbe, shumë prej të cilëve ende dëshirojnë që ish-krahina serbe të jetë pjesë e Serbisë dhe jo e pavarur.

Në artikull sqarohet dhe procedura rreth kalimit nga targat ilegale të lëshuara nga Serbia me akronime të qyteteve të Kosovës, në ato legale të Republikës së Kosovës.

Serbët kanë një ministër qeveritar, 10 deputetë dhe poste tjera të larta në komuna, polici e gjyqësor.

Të gjithë dhanë dorëheqje dhe zyrtarët policorë simbolikisht zhveshën uniformat e tyre pas një takimi të shtunën.

Efekti i dorëheqjes masive mbetet i paqartë, transmeton arbresh.info.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme