Kuvendi i ri i Kosovës do të konstituohet të enjten. 18 vjet pas luftës dhe ndarjes nga Serbia, kjo ditë do të jetë një ngjarje historike për një deputete të re, që është përballur me sfida të rënda në jetën e saj.
Saranda Bogujenvci i kishte mbijetuar 16 plumbave dhe ka humbur 14 anëtarë të familjes së saj, përfshirë nënën dhe dy vëllezërit, gjatë luftës në vitet 1998-99.
Katër vjet më vonë, Bogujevci, në atë kohë 18-vjeçare, dhe tre kushërinj të saj u bënë viktimat e para shqiptare që dëshmuan para një gjykate serbe rreth mizorive të kryera nga forcat ushtarake të udhëhequra prej Slobodan Millosheviqit.
“Është e vështirë të kalosh në këto eksperienca dhe të shohësh qeveritë e Kosovës që nuk punojnë dhe që nuk bëjnë gjënë e duhur për popullin është ajo që më shtyu të futem në politikë”, ka thënë Bogujevci në një intervistë për Reutersin, gjatë një vizite në varrezat e familjes së saj në Podujevë.
“Gjithmonë e kam imagjinuar se si do të jetë Kosova pas 20 vjetësh. Nuk e kam menduar kurrë si të tillë”, ka shtuar më tej ajo, transmeton Koha.net.
Familja e Bogujevcit ishte vrarë në Podujevë më 28 mars të vitit 1999, nga anëtarë të njësive paramilitare serbe të njohur si “Skorpionët”. Më i riu që vdiq ishte një fëmijë 2-vjeçar. Pesë burra ishin burgosur për vrasjet dhe më 2013 Bogujevci u kthye në Beograd, ku dëshmoi sërish kundër tyre.
Masakra ndodhi vetëm katër ditë pas ndërhyrjes së NATO-s. Pas përfundimit të luftës, Bogujevci dhe katër kushërinj të saj u evakuuan në qytetin e Manchesterit në Angli, ku ajo më pas mori edhe rastin për të studiuar në arte interaktive.
Ajo u kthye në vendlindje më 2014 si drejtoreshë e Kulturës në Komunën e Prishtinës.
32-vjeçarja kujton tankun e parë të NATO-s që e kishte parë në ditëlindjen e 14-të të saj, më 12 qershor, 1999, nga dritarja e spitalit në Prishtinë. “Për ne gjithçka nënkuptonte liri. Nuk do të harroj kurrë atë moment”.
“Tani Bogujevci përballet me një ‘betejë’ të re, në një shtet të njohur nga më shumë se gjysma e shteteve në botë, por që i mohohet një vend në Kombet e Bashkuara nga Serbia dhe aleati, Rusia”, shkruan Reuters.
“Përballja me luftën ishte shumë më e lehtë sepse e dinim se çfarë do të ndodhte, ndërsa sot është e vështirë të pranosh dhe të gjesh arsye për atë që po ndodh. E dua jetën, por në të njëjtën kohë ndjej obligim moral për Kosovën, Anglinë dhe njerëzit që të bëj diçka bazuar në eksperiencën time”, ka shtuar në fund Bogujevci.
Kurti: Synim i Serbisë mbetet hakmarrja, Kosova duhet të jet...
Kancelari gjerman Scholz do të kandidojë për një mandat të d...
Vrau Martin Canin gjatë një sherri dhe plagosi shokun e tij,...
Rama uron ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Analistët: Përdorimi i raketave të shpejta nga Rusia, sinjal...
Ndodh edhe puthja e shumëpritur mes Lelës dhe Leos