Restaurimi i shtëpisë së Xhafer Devës shkakton pakënaqësi

23:46 | 3 Korrik 2024
E.G

Jo vetëm librat, por edhe objektet e trashëgimisë kulturore, janë ato që pasqyrojnë kulturën e një kombi. Në Kosovë ka disa, por shumë prej të tjerave edhe janë dëmtuar në mënyra të ndryshme. Një prej tyre është shtëpia e Xhafer Devës në Mitrovicë, e djegur kohë më parë, por e marrë nën mbrojtjen e Ministrisë së Kulturës, e cila ka vendosur ta restaurojë, por me rezultatin, nuk duket se janë të kënaqur të gjithë.

Punimet në këtë ndërtesë të trashëgimisë kulturore po vazhdojnë, por pamja e re që po merr objekti i ndërtuar në vitet e 30-ta të shekullit të kaluar, ka ngjallur reagim publik.

Të zhgënjyer me rezultatin e renovimit, janë edhe familjarët e Xhafer Devës.

“Shëmtimi dhe shkatërrimi i dukjes së kësaj shtëpie është shkatërrim i kulturës që ne mundohemi sot me thanë që edhe në vitin 1930 edhe te ne ka pasur një shtëpi të tillë. Kjo shtëpi ka qenë mburrje për ne, për gjithë qytetin e gjithë Kosovën e tash e kanë shëmtuar në këtë mënyrë”, tha Valdet Deva, stërnipi i Xhafer Devës.

Për historianin nga Mitrovica, Enis Kelmendi ky objekt është tjetërsuar.

“Kjo vetëm renovim mund të quhet e jo restaurim, sepse me restaurim kuptojmë kthimin e një objekti në gjendjen përafërsisht siç ka qenë më parë. Këtu është një objekt që është tjetërsuar, nuk i ngjanë aspak. Është objekt i ngjashëm më objektet përreth. Ngjyra është jashtëzakonisht e papërshtatshme, mënyra e punimit është e thjeshtë dhe shumë joprofesionale. Forma e kulmit është ndryshuar, dritaret krejt këto janë bërë në mënyrë shumë artificiale. Ashtu kështu qytetit të Mitrovicës i kanë mbet shumë pak objekte të trashëgimisë, edhe ato që i kanë mbet po dëmtohen keq”, ka theksuar Kelmendi për RTK-në.

Në njoftimin e fundit të Ministrisë së Kulturës thuhet se janë siguruar që punimet të zhvillohen në përputhje me projektin e miratuar, duke ruajtur origjinalitetin.

“Përzgjedhja e ngjyrës së fasadës, është bërë në bashkëpunim me hartuesit e projektit nga OJQ ‘Trashëgimia Kulturore pa Kufij’ dhe përgjegjësit e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë, në cilësinë e organit mbikëqyrës, duke u bazuar në fotografitë e vjetra dhe analogjinë me ngjyrën e cila është përdorur në ndërtesat me po atë stil të ndërtimit gjatë periudhës së njëjtë të viteve 1930”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.

Për restaurimin e plotë të kësaj shtëpie, Ministria e Kulturës ka ndarë buxhet në vlerë rreth 500 mijë euro dhe e ka përfshirë atë në programin e investimeve restauruese, me qëllim të mënjanimit të rrezikut të mëtejmë për shkatërrim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme