Kosova nuk ka kohë për të humbur dhe për eksperimente. Madje, nuk kemi kohë për gabime të mëdha. Ka ardhur koha që të mësojmë nga gabimet e së kaluarës dhe të njëjtat mos t’i përsërisim. Duhet të jemi të përgjegjshëm dhe transparent para qytetarëve të Republikës së Kosovës. Kështu ka thënë në një intervistë për arbresh.info ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Albena Reshitaj, derisa ka shpalosur edhe punën e saj që prej marrjes së detyrës në këtë dikaster.
Ajo ka thënë se si prioritet para vetës si ministre ka vendosur reduktimin e ndotjes së ajrit e për të cilin ka thënë se kanë aprovuar dhe hartuar aktivitete të ndryshme. Sipas saj, vetëm në Komunën e Prishtinës janë vërejtur 100 pika të ndotjes, e për të cilat ka filluar intervenimi me veprime konkrete.
“Në Komunën e Prishtinës janë identifikuar dikund 100 pika të ndotjes me ç’rast ne kemi filluar edhe të intervenojmë me veprime konkrete ku kemi arritur që ta ndërrojmë përdorimin e thëngjillit në disa kopshte fëmijësh të cilët e kanë përdor si lëndë djegëse thëngjillin dhe në disa shkolla ndër to, është edhe shkolla islamike me ç’rast iu kemi dhënë si alternativë drunjtë e konfiskuar të cilët i kemi pasur nga parqet nacionale të cilat i kontrollojmë dhe i monitorojmë ne si ministri. Kjo ka qenë më shumë sikur shembull i cili do të ndikonte në sensibilizim të qytetarëve të Republikës së Kosovës për rëndësinë që ka mos përdorimi i thëngjillit në ekonomi familjare por edhe në biznese të vogla”, ka thënë ajo.
Ministrja Reshitaj ka pohuar se ndotësit më të mëdhenj në vend janë termocentralet, duke përmendur termocentralin ‘Kosova A’ dhe ‘Kosova B’, ku sipas saj me ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’, përpos që do të bie ndotja e ajrit do të shuhet edhe termocentrali “Kosova A”.
“Me ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re do të ulet niveli i ndotjes së ajrit edhe aty si MMPH kemi dhënë kontributin tonë meqë jemi pjesë e ndërtimit të termocentralit Kosova e Re dhe me funksionalizimin e këtij termocentrali do të largohet nga funksioni dhe do të shuhet Termocentrali Kosova A i cili për momentin është ndër ndotësit më të mëdhenj të ajrit”, ka pohuar ajo.
Në këtë intervistë ministrja ka folur edhe për bashkëpunimin me ministritë kompetente sa i përket ndotjes së ajrit duke përmendur Ministrinë e Infrastrukturës dhe atë të Tregtisë dhe Industrisë, duke mos anashkaluar as komunat e vendit.
Reshitaj, ka thënë se ka kërkuar bashkëpunim edhe nga ministri i arsimit sa i përket mjedisit, duke shtuar se janë dikund mbi 200 shkolla në vend që si lëndë djegëse përdorin thëngjillin gjë që sipas saj është e dëmshme.
“Kam kërkuar në dy pika të kemi bashkëpunim dhe veprim konkret që nga 2018 të fillohet të mendohet që në kurrikulat shkollore të rritet informacioni për mjedisin që fëmijët dh nxënësit të kenë më shumë informacion në lidhje me mjedisin dhe mbrojtjen e mjedisit dhe nën anën tjetër kam kërkuar që të marrim një vendim bashkërisht në ndërprerjen e përdorimit të thëngjillit si lëndë djegëse në shkollat e Republikës së Kosovës meqë në bazë të informacioneve që kemi marrë kemi arrit me kuptu që mbi 200 shkolla të Republikës së Kosovës ende përdorin si lëndë djegëse thëngjillin”, ka thënë ajo gjatë intervistës.
Kurse, sa i përket përdorimit të thëngjillit nga ekonomitë familjare ka shtuar se janë në fazën e ndryshimit të ligjit për mbrojtjen e ajrit nga ndotja dhe se nga ky ligj do të dalin udhëzimet administrative. Madje, ajo ka paralajmëruar edhe masa ndaj atyre që tejkalojnë normat e lejuara të ajrit.
“Jo vetëm përdorimi i thëngjillit nga bizneset e vogla dhe nga ekonomitë familjare por në përgjithësi të gjithë ata që tejkalojnë normat e lejuara të ajrit do të marrim masa. Jemi duke punuar dhe do të vijmë me një vendim në momentin kur ne e shohim të arsyeshme dhe e shohim që kemi arrit që qytetarit të Republikës së Kosovës t’i japim alternativë tjetër”, ka shtuar Reshitaj.
Ministrja ka folur edhe për prioritet për vitin 2018 duke përmendur zbatimin e ligjeve dhe rregulloreve për mjedisin, menaxhimin e mbeturinave, ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza, rehabilitimin e shtretërve të lumenjve e prioritete të tjera./J.Zhuniqi/arbresh.info/
Schnetzer: Austria vazhdon të jetë investitori i pestë më i ...
Putin: Jemi gati për “duel” raketor me SHBA
Cana: UEFA nuk duhet të na linte në grup me Serbinë
Kumbaro: Rritëm sipërfaqen e zonave të mbrojtura në 21,5% të...
Xheneta kritikon ashpër Gjestin, ky i fundit fillon të qajë
Zelensky: Macron po na ndihmon në konsultimet lidhur me misi...