Reshitaj gjatë vizitës në Drinin e Bardhë, kemi për obligim t’i ruajmë lumenjtë

16:25 | 26 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, bashkë me deputetë të Kuvendit të Kosovës sot ka vizituar lumin Drini i Bardhë, në fshatin Gjonaj të Prizrenit për të parë nga afër gjendjen e lumit, dëmtimet e shtratit të tij si dhe prezantimin e masave që MMPH-ja do t’i ndërmerr për përmirësimin e gjendjes së këtij lumi, shkruan arbresh.info.

Pasi u njoh me gjendjen, Reshitaj u shprehë se lumenjtë janë resurse natyrore dhe si shoqëri, e në veçanti institucionet, kemi  për obligim t’i ruajmë dhe të kujdesemi për to.

“Bazuar në gjendjen e keqe të shtretërve të lumenjve,  kemi ndarë buxhet për sanimin, pastrimin dhe zgjerimin e shtretërve të lumenjve në Kosovë, aty ku kanoset rreziku nga veprimet e dëmshme të ujërave. Së bashku me komunën e Prizrenit, kompaninë rajonale të ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” dhe bankën gjermane për zhvillim (KFW) jemi në fazën e ndërtimit të impiantit të ujërave të zeza në Prizren, një projekt i cili do të përmirësoj gjendjen e ujërave në komunën e Prizrenit”, u shprehë nder të tjerash ministrja Reshitaj.

Ministrja Reshitaj deklaroi se janë duke bashkëpunuar me Malin e Zi, Shqipërinë dhe Maqedoninë në kuadër të projektit: Bashkëpunimi ndërkufitar dhe menaxhimi i integruar i burimeve ujore në Drinin e Bardhë dhe pellgun të zgjeruar të Drinit.

Projekti është 4 vjeçar dhe përfshinë Kosovën, Maqedoninë, Shqipërinë dhe Malin e Zi.

Është projekti i parë në Kosovë që financohet nga Fondi Global për Mjedis GEF. Projekti parasheh edhe demonstrim të praktikave të mira të trajtimit të ujerave të zeza për zonat rurale.

Pjesë e kësaj vizite në lumin Drini i Bardhë ishin edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës  Andin Hoti, Drita Millaku, Luljeta Veselaj- Gutaj, Emila Rexhepi dhe Nezir Çoçaj, të cilat e vlerësuan gatishmërinë e ministres për mbrojtjen e lumit dhe u zotuan që bashkë do të punojnë  në mbrojtjen e bukurive dhe resurseve natyrore që ka Kosova./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme