Shkalla e lindshmërisë në Kosovë në vitet e pasluftës ka pësuar rënie drastike. Kështu të paktën thonë shifrat zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë.
Sipas këtyre shifrave, në vitin e parë të pas luftës, që i bie viti 2000, numri i lindjeve në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës ishte 39 mijë e 91 lindje ndërkaq 16 vite pas, në Kosovë brenda një viti kanë lindur vetëm 23 mijë e 261 foshnje që i bie se nataliteti ka rënë pothuajse përgjysmë, shkruan arbresh.info.
Kjo rënie sipas statistikave të MSH-së ka vazhduar në secilin vit vijues nga viti 2000 e deri në vitin 2016. Ngritje të lindshmërisë ka pasur me një përqindje të ulët vetëm në vitin 2008 dhe në vitin 2012.
Sociologët shpjegojnë se ekzistojnë disa arsye pse në Kosovë ka pasur rënie të natalitetit ndër vite që nga paslufta.
Sociologia Sibel Halimi ka thënë për Arbresh.info se gjendja e rënduar ekonomike dhe planifikimi familjar janë dy prej arsyeve kryesore pse nuk ka nivel të lindjeve në Kosovë siç kishte para luftës.
“E pritshme të ketë rënie të natalitetit, sepse në një masë të madhe, natalitetit përcaktohet edhe prej gjendjes ekonomike. Ka njëfarë interaksioni ndërmjet gjendjes sociale dhe shkallës së lindshmërisë. Kjo është e lidhur edhe me planifikimin familjar. Pra, intenca e familjeve kosovare tashmë nuk është të kenë familje të zgjeruara me shumë fëmijë, por me numër simbolik fëmijësh, të cilëve mbase mund t`u ofrohen kushte më të mira jetësore”, ka thënë Halimi.
Sipas saj, një prej arsyeve të tjera është edhe rreziku i humbjes së punës nga femrat që nisin shtatzëni kur bëhet fjalë për të punësuarat në sektorin privat.
“Të punësuarat në sektorin privat në njëfarë mënyrë privohen nga ideja e shumë fëmijëve, sepse rrezikohen nga humbja e vendeve të punës sapo të mbeten shtatzëna. Megjithatë, duke u bazuar edhe në konditat sociale, planifikimi familjar duhet të jetë një prioritet i rëndësishëm i politikave të shtetit, rrjedhimisht në një shoqëri ku niveli i lartë i punësimit dhe emancipimi i gruas është i lartë, atëherë gjithsesi edhe planifikimi familjar është në nivel”, ka vazhduar ajo.
E pyetur se çfarë duhet të bëjnë institucionet e vendit për të stimuluar natalitetin, sociologia Halimi thotë se nuk është prioritet i politikës kosovare trajtimi i çështjeve që lidhen me familjen.
“Kosova me politikat e saj ndaj familjes nuk e ka të përcaktuar ende nëse lindshmëria është prioritet nacional. Ende po flasim në trajtimin e fenomenit në nivel bazik, gjë e cila nuk duket në sipërfaqe. Nuk mund të kërkohet apriori shtim i natalitetit pa pasur një studim të mirëfilltë për kahet dhe trendet në të cilat po shkon familja kosovare. Nuk mund të trajtohet fenomeni i natalitetit në nivel të politikave ditore. Është çështje më e ndjeshme që kërkon hulumtim më kompleks, për ta ardhur pastaj në një përfundim të qartë në atë se çfarë synon familja kosovare. Ne nuk mund të prejudikojmë se intenca e shoqërisë kosovare është ta rrisë natalitetin. Prandaj, kjo varet edhe nga infrastruktura ligjore e mangët. Aktualisht, politika kosovare duhet ta përcaktojë ligjërisht qasjen e saj ndaj familjes dhe nga ky prizëm të qartësojë nëse është interes nacional i Kosovës rritja e shkallës së natalitetit”, ka përfunduar ajo./Arbresh.info.
Bill Clintoni shtrohet në spital
Federata e Futbollit në Gjermani nderon legjendën Franz Beck...
Përgjuesi i Vullnetit po “çmend” banorët
Xuxi aludon se Gresa ka pëlqim për të, tregon momentet kur i...
NASA: Anija kozmike Parker Solar Probe i afrohet Diellit
Pesë lojtarë të kombëtares shqiptare nuk e kanë humbur asnjë...