Google ADS

Rënia e qeverisë Haradinaj, godet ekonominë kosovare

14:06 | 29 Korrik 2019
Arbresh.info

Një javë më parë kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj bëri të ditur se do të lëshoj pozitën e kryeministrit për shkak të ftesës që kishte marrë nga Gjykata Speciale nën cilësinë e të dyshuarit.

Nga dita e largimit të kryeministrit e deri në krijimin e qeverisë së re, probleme nuk do ketë vetëm në aspektin politik, pasi ky largim do sjellë pasoja edhe në fushën e ekonomisë.

Sipas njohësve të çështjeve ekonomike, lënja pezull e shumë vendimeve kapitale, vonesat në realizimin e punëve dhe rreziku i largimit të investitorëve nga jashtë, vë Kosovën në situatë të vështirë, pasi kjo situatë do ngadalësojë të gjitha proceset.

Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu për “Syri.net Kosova” thotë se as skeptikët më të medhenjë nuk e kanë besuar që Kosova, do të jetë në këtë pozitë dhe beson që është koha kur duhet të kuptohet që mbi shtetin nuk mund të jenë interesat e partive politike dhe grupeve të caktuara.

Për fat të keq jemi në një situatë, ku në Kosovë shumë ma tepër bëhet garë si të dëmtohet shteti, se sa të forcohet ai. E tëra kjo i shkon më së shumti për shtat armiqve të shtetësisë dhe është koha kur duhet të kuptohet që vendi dhe gjaku i derdhun nuk e meriton një situatë të tillë.

Sipas Gërxhaliut, nuk është patriotizëm sot nëse e shkatërron ekonominë, shëndëtësinë e edukiminin  e një shteti e nëse një shoqërie arrin të ja shkatërrosh këto shtylla kryesore, atëherë çfarë do të jetë ardhmëria.

Një moment me këto ekzibicione me dorëheqje pa dorëheqje dhe duke humbur kohë duke u arsyetuar  për dështimet se sa të dalin nga dështimi, vërtet po e ngulfat ardhmerinë. Nuk duhet të na habitë fakti që sot sëmundja në Kosovë, nuk është shpresë, por është ankthi se ku si dhe çfarë të bëjmë nesër, dhe për këtë arsye sot Kosova është shëndërruar në një shtet për të ikur. Ata që po qëndrojnë në Kosovë për fat të keq janë militiante, grupe të caktuara të interesit por vlera dhe intelekutaliteti janë cdo ditë e më tepër duke u larguar dhe kjo do të ketë pasoja në aspektin ekonomik.

Sipas tij, është topike të gjindet hapësirë dhe të diskutohet për procese ekonomike, pasi  agjenda politike është e qoroditur, ku politikisht Kosova është e izoluar qoftë nga aspekti europian qoftë ndërkombëtar.

“Në këtë drejtim nuk i bëhet nder Kosovës, pasi gjithmonë vë pritoritete aty ku fitohet më tepër, p.sh. autostradat e kërkush nuk e qanë hallin e papunësisë, ndërrmarjeve të vogla e të mesme e kërkush nuk e qanë hallin se çka do të bëhet me Telekomin, nuk diskutohet për pasojat e privatizimit të IPKO-s, qoftë në aspektin ekonomik, politik e psikologjik”.

Sipas Gërxhaliut, pasqyra reale që është momenti që të ulemi në tokë dhe ta shohim vendin me një sy tjetër, është fakti që kemi një ‘gheto’ ku asnjëri nga burrështetasit evropian dhe botërore nuk e vizitojnë Kosovën.

“Sot je në një situatë, ku më shumë pritoritet dhe më i pranuar je nëse je kriminel, sesa ta luftosh krimin dhe kuptohet deri sa ta kemi këtë shtresë politike dhe këtë nivel të mos-sundimit të rendit dhe ligjit , ne do flasim për investitorë por ata do shkojnë në vendet e rajonit, por nuk e kam brengën vetëm te investitorët e huaj por edhe ata që kane qenë po ikin, ndërsa diaspora është duke bartë kapitalin dikund tjetër.

Analisti Agon Nixha për “Syri.net Kosova”, thotë se jetëgjatësia gjithnjë e më e shkurtër e qeverive në Kosovë dhe hapja e temave të ndjeshme politike si ajo për ridefinim të kufijve parimisht nuk dërgojnë sinjale pozitive tek investitorët e huaj.

“Në literaturën ekonomike (mos)stabiliteti politik është njëri nga përcaktuesit kryesor për nivelin e investimeve të huaja. Të dhënat e fundit tregojnë se investimet e huaja në vitin 2018 në Kosovë kanë shënuar një rënie prej 16% krahasuar me vitin kaluar. Një pjesë e kësaj rënie do duhej t’i atribuohej pasigurisë politike në vend. Gjasat janë që kjo rënie të vazhdojë edhe këtë vit”

Sipas Nixhës, për ndryshim nga vitet e kaluara, firmat e huaja, duke parë situatën në vend, e kanë riinvestuar më pak profitin e tyre në Kosovë, duke shfaqur tendenca për largim.

“Parimisht, ciklet e shpeshta zgjedhore bëjnë që qeveritë në pushtet të fokusohen më shumë në intervenime afatshkurta kozmetike, të cilat nuk janë detyrimisht në funksion të krijimit të një baze të qëndrueshme për zhvillim ekonomik. Vlen të theksohet se çdo situatë pa qeveri pa shmangshëm do të ndikojë në ngadalësimin e reformave ekonomike, kryesisht të iniciuara përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.”

Në anën tjetër, sipas Nixhës kjo situatë gjithashtu mund të prodhojë edhe ndonjë kombinim të ri politik me më pak afera korruptive dhe me më shume profesionalizëm e dinamizëm, parakushte shumtë të rëndësishme shikuar prej një perspektivë më afatgjate.

Sipas tij, zhvillimet e fundit mund të ndikojnë negativisht në klimën ekonomike të vendit, sidomos në periudhë afatshkurtër, pasi ato njëkohësisht mund të krijojnë impluse dhe mundësi të reja ekonomike, varësisht prej konstalacioneve të reja.

Kryetari i Odës Ekonomike Berat Rukiqi, ka bërë të ditur se zgjedhjet e reja do të pauzojnë të gjitha ligjet që janë në procedure, poashtu rënia e Qeverisë largon investimet e huaja direkte.

“Kanë qenë ligjet më të rëndësishme tatimore në procedurë, kanë qenë shumë projekte apo propozime të rëndësishme sidomos ato për nxitjen e investimeve të huaja direkte, ka pas shumë aktivitetet sa i përket rregullimeve të sektorë të ndryshëm për shembull në sektorin e energjisë apo ndërtimit. Të gjitha analizat tona në situata të ngjashme, kanë ndikuar në konfidencën e biznesit, profitabilitetin e biznesit dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte.

Sipas Rukiqit, të gjitha këto zhvillime kanë pas përmasa jashtëzakonisht negative dhe kësaj here nuk beson se do të jetë ndryshe.

Njohësi i ekonomisë, Jakup Bellaqa për “Syri.net Kosova”, thotë se zgjedhjet e jashtëzakonshme do të ndikojnë në proceset ekonomike dhe kjo gjendje politike do të largoj investitorët e huaj.

“Zgjedhjet e parakohshme, zgjedhjet e shpeshta do te ndikojnë qoftë në mënyrë direkte si dhe indirekte, në proceset ekonomike dhe në largimin e investimeve të jashtme, sepse e përkeqëson edhe ambientin e të bërit biznes”.

Bellaqa, ka shtuar poashtu se  stabiliteti ekonomik varet edhe nga stabiliteti politik.

“Stabiliteti politik e përcakton edhe stabilitetin ekonomik, investimet e jashtme vinë në vendin tonë, vetëm nëse ka stabilitet te qëndrueshëm politik, dhe ka ligje të mira dhe të favorshme për të bëre biznes, duke përfshirë politikën fiskale të favorshme, nderimet e shpeshta ndikojnë në mënyrë direkte edhe në largimin e investitorëve të jashtëm për te investuar në aspektin afatmesëm dhe afatgjatë, në fushën e ekonomisë sidomos në sektorët strategjik të ekonomisë.

Sipas Bellaqës gjithashtu është një kosto e lartë për shtetin që çdo dy vite të organizohen zgjedhje.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pasditen e së premtes së 19 korrikut ka dhënë dorëheqje nga pozita e të parit të Qeverisë pas ftesës nga Specialja. Qeverisja e tij u kritikua për mungesë vizioni në zhvillimin ekonomik.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme