Dëshmitari i 13-të, Rrustem Mustafa, i njohur si komandant Remi, ish-komandant i UÇK-së në Zonën Operative të Llapit, duke dhënë dëshminë e tij në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve në Dhomat e Specializuara të Kosovës, ka thënë se në këtë zonë kanë qenë tri brigada të cilat janë krijuar në vitin 1998.
‘‘Njëra e para ishte gjatë muajit korrik apo gusht, e dyta gjatë muajit shtator e nga fundi i vitit edhe e treta’’, tha ai.
Dëshmitari tha se këto kishin emrat Brigada 151 që kishte komandat Idriz Shabanin, Brigada 152 që kishte fillimisht komandant Nuredin Ibishn pastaj Arif Muqollin dhe Brigada 152 që kishte komandant Sejdi Veselin e pastaj Adem Shehun.
Ai tha se komandantët e brigadës i kishte caktuar vet ai dhe vendndodhja e tyre ndryshonte shpesh.
‘‘Nuk kanë qenë shumë të qarta, vijën frontale që folëm ishe ndarë mes 151 dhe 152, Llapashtica ishte ku bashkoheshin dy zonat, e anën lindore në Zllazh Brigada 153’’, tha ai kur u pyet përafërsisht për zonat gjeografike të këtyre brigadave.
I njëjti tha se këta komandantë i raportonin shtabit të zonës dhe se kishin njësit e veta por që nuk ishin të përmbushura.
Ai u pyet edhe çfarë kuptonte kur përmendet emrin ‘Bashuta’ e që Mustafa tha se ishte zëvendës në Brigadën 151.
Dëshmitari u pyet edhe për policinë ushtarake (PU) të zonës e që tha se ata i raportonin komandantit të brigadës dhe subordinoheshin me njësinë policore të zonës.
Mustafa tha emrin e Nazif Mehmetit si përgjegjës për ruajtjen dhe kujdesjen e objekteve të UÇK-së, i cili tha se u emëruar nga ai dhe i raportonte sikur të tjerëve, atij, zëvendësit dhe shefit të shtabit.
Ai tha se në përgjegjësi të tyre bëhej fjalë edhe për ruajte të objekteve të ndalimit të UÇK-së.
Tutje tha se PU në këtë zonë është krijuar krahas njësive tjera, nga mesi i vitit 98-të dhe ekzistonte kur ata ishin të bazuar në Bajgorë.
Kur u pyet nëse kanë pasur ndonjë udhëzim për themelim të njësit të PU-së, ish-komandant Remi u përgjigj ‘‘nuk më kujtohen udhëzimet por me ardhjen e Nuredin Ibishit që kishte njohje pedagogjike mirë dhe kontaktet që kishte ai, kemi vendosur me marr një numër të konsiderueshëm të policëve të larguar nga puna me forcë dhe punët e rëndësishme të policitë të i kryenin ata’’.
Por që prokurorja speciale Clare Lawson ia lexoi një pjesë të deklaratës së tij para ZPS-së, se kur ishte pyetur se a ishte udhëzim i shtabit të përgjithshëm për tu themeluar njësia e PU-së, dëshmitari kishte thënë ‘po’, e që pas kësaj dëshmitari Mustafa tha se kanë pasur udhëzime pasi që kishin vu në funksion PU-në.
‘‘Pavarësisht udhëzimeve ne kemi filluar krijimin e policisë më herët’’, tha ai.
Lidhur me uniformat e tyre, ai tha se vishnin çfarë kishin mundësi por orientoheshin nga ngjyra e zezë.
Tutje, ai pohoi se ka pasur njësi speciale që vepronin në zonën operative të Llapit, dhe atë njësia speciale pranë zonës dhe pranë brigadave.
Kurse lidhur me njësinë e njohur BIA tha se ky emër kishte përmbledhje të tri emrave të dëshmorëve Bahtri, Ilir dhe Agron.
Ai tha se ky njësit ishte themeluar më herët por që me marrëveshjen me LKQK-në, ishte pranuar si njësit i veçantë në atë zonë.
‘‘Kanë mujt me i raportu edhe zonës operative por natyra e punës kanë qenë mes nesh dhe LKQK-së, kanë pasur raporte edhe me brigadën 153’’, tha Mustafa lidhur me raportimin e këtij njësiti.
Ai tha se baza e këtij njësiti nuk ka qenë një vend specifik, por kanë qëndruar në Prishtinë dhe në fshatrat e Gollakut dhe se komandant i këtij njësiti ishte Salih Mustafa.
Paraprakisht, dëshmitari Mustafa tha se Valon Murati ka qenë i caktuar si kryetar i sektorit për moral dhe publik, kurse se Sejdi Rama punonte në sektorin për informim.
Në lidhje me sektorin për informim, Mustafa tha se kanë pasur punë lidhur me media dhe televizion dhe se me miratimin e tij, ata kanë qenë të autorizuar të nxjerrin deklarata në emër të zonës.
Mustafa tha se me media kanë punuar në përgjithësi eprorët e zonës, e që sipas tij ata e kanë pasur qendrën afër në Prishtinë dhe kanë punuar me media publike të asaj kohe dhe me ato të huaja.
Kurse, për sektorin e financave, Mustafa tha se ka qenë i caktuar Avdi Kemeri dhe se i ka raportuar shtabit të zonës, njësoj si tjerët.
Ndërkaq, për Muhamet Latifin, dëshmitari Mustafa tha se ka qenë i caktuar për sektorin e mbrojtjes civile.
Sipas tij, ky sektor kishte përgjegjësi organizimin e njerëzve dhe njësive jashtë vijës frontale.
Ndërkaq, i pyetur për Naser Ramadanin lidhur me cilin sektor ishte përgjegjës dhe nofkën e tij, përgjigja e dëshmitarit nuk është dëgjuar.
Tutje, Mustafa ka mohuar që të ketë pasur sektor operacionesh kurse tha se për çështje operative ishte përgjegjës ai, zëvendësi dhe shefi i shtabit.
Më pas, dëshmitari Mustafa ka deklaruar se nënshkrimi në faqen e fundit të një dokumenti të shfaqur nga prokurorja Lawson, është i tij.
Sipas tij, qëllimi i atij dokumenti kishte qenë që të ju kujtonte detyrat dhe obligimet njerëzve të vendosur në sektorë.
Në lidhje me atë se nga kanë dal ato rregulla, dëshmitari Mustafa tha se shefi i shtabit bashkë me zëvendësin dhe eprorët tjerë kishin një literaturë ushtarake nga shteti shqiptar dhe ish – Jugosllavia.
“Dhe i kishin përmbledh, dhe janë miratuar nga ana ime, i kemi shpërnda edhe njerëzve për me u dok ma të besueshëm, mund me ndodh që ju ka dhënë edhe mediave. Kemi pas nevojë me paraqit UÇK-në sa më të rregullt”, ka shtuar tutje Mustafa.
Po ashtu, ai tha se e pranon si dokument të tij dhe stafit të tij, të cilat sipas tij kanë mundur të bëhen si rregulla nga cilat do burime që kanë mundur t’i zënë.
Në këto rrethana, prokuroja i lexoi një pjesë të deklaratës së tij të dhënë ZPS-së, që përfshinte se ‘‘…këto rregulla vijnë nga shtabi i përgjithshëm i UÇK-së dhe u përshtatën për zonën..’’, e që sipas dëshmitarit Mustafa, ‘‘s’ka mospërputhje, kanë mujt nga gjitha burimet me u marr këto rregulla’’.
‘‘Si dokument kanë mund me u bazu nga shtabi i përgjithshëm, ushtrisë shqiptare dhe ish-Jugosllavisë dhe unë e kam miratu, munen me ardh edhe nga shtabi i përgjithshëm i UÇK-së’’, tha më tej dëshmitari Mustafa.
Duke qenë se ka përfunduar orari i punës së gjykatës, gjykimi në këtë çështje do vazhdojë nesër, sërish me dëgjimin e dëshmitarit Rrustem Mustafa, i njohur si ‘‘Remi’’.
Pranohet si provë materiale harta me shënime gjatë seancës nga ish-komandant Remi
(Përditësuar, 17:20)-Në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, është vendosur që si provë materiale të pranohet harta me shënimet e dëshmitarit Rrustem Mustafa, ish-komandant i UÇK-së në Zonën Operative të Llapit.
Dëshmitari Mustafa, i njohur me nofkën komandant Remi, ka shënjuar mbi një hartë vijën e parë të frontit të UÇK-së në zonën e Llapit, nga nëntori i 1998-ës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Për neve ishte vijë e luftës nga Majaci, vija përreth Podujevës deri te fshatrat Dobratin, përfshirë Llapashticën”, shtoi dëshmitari Mustafa.
Sipas tij, kjo vijë e mbrojtjes së kësaj zone ka zgjatur deri pas përfshirjes së forcave të NATO-së.
Në këtë hartë ai ka shënuar Majacin dhe ka treguar vijën mbrojtëse deri në Dobratin, duke shtuar se kanë qenë prezent në pjesën perëndimore të saj.
Tutje, dëshmitari Mustafa ka deklaruar se Kadri Kastrati ka qenë zëvendës komandant në atë zonë.
Për të njëjtin, Mustafa tha se e ka caktuar vetë ai, mirëpo se shtabi i përgjithshëm e ka miratuar, e që sipas tij, edhe shumë pjesëtar tjerë janë miratuar më vonë nga shtabi i përgjithshëm.
Prokurorja, Clare Lawson e ka pyetur dëshmitarin Mustafa edhe se kush e kishte emëruar Nuredin Ibishin si shef të shtabit.
Në lidhje me këtë, ai tha se emërimet kanë mundur të bëhen edhe nga shtabi i përgjithshëm por se ky vetë kishte vendosur se kush do ishte në këto pozita.
Gjithashtu, dëshmitari Mustafa është pyetur dhe në lidhje me sektorët që ka pasur zona operative e Llapit.
Sipas tij, Hamit Hamiti drejtonte sektorin e logjistikës, e që sipas tij, ky sektor kishte të bënte me grumbullimin e të mirave logjistike për luftën në përgjithësi, të bartjes dhe shpërndarjes.
“Po këto që kishin të bënin edhe me ushqimin tonë, derivatet dhe gjithçka tjetër”, ka shtuar më tej Mustafa.
Ndërsa për sektorin “civil”, dëshmitari Mustafa tha se përgjegjës ishte Fatmir Humolli, e për të cilin tha se ka pasur nofkën “Baci”.
Në lidhje me atë se kujt i raportonte Humolli, dëshmitari Mustafa tha se ishin tre eprorë të shtabit të zonës.
“Unë isha komandanti, Nuredin Ibishi, shef shtabi dhe Kadri Kastratit zëvendës”, shtoi ai.
Kurse, për Latif Gashin, dëshmitari Mustafa tha se ka qenë në sektorin për informim, për të cilin tha se e kishte caktuar vetë ai dhe se edhe ai i raportonte shtabit të zonës.
“Ka qenë anëtar i komandës qysh herët dhe mik i imi, mundet me kanë në fund të 98-ës mendoj”, tha ai, në lidhje me atë se kur kishte filluar Latif Gashi detyrat si pjesë e shërbimit për informim.
Dëshmitari Mustafa tha se Gashi ka pasur bashkëpunëtor Hyzri Tallën, i cili sipas tij ka luajtur rolin si mbështetës.
“Hyzri Talla ka lujt rolin si mbështetës, merreni si të doni, por kemi qenë duke u përgatit dhe kemi pas mendimin me avancu në atë zonë por ai u vra në një prit dhe ra dëshmor”, shtoi tutje ai.
Von der Leyen: Putin shantazhon Austrinë dhe Evropën duke sh...
Ligji për Çmimet Tavan në Kushtetuese, LVV: Po të mos e bllo...
Abazoviq: Roli i Shqipërisë, i rëndësishëm për stabilitetin ...
Kosova U19 shënon fitore të madhe ndaj Spanjës në kualifikim...
Shqipëria U19 mposhtet nga Danimarka në kualifikimet për Eur...
Xheneta refuzon ndarjen e përgjegjësive nga Arioni