REL: Edhe Scholz e Macron po angazhohen për gjetjen e një zgjidhje, i kanë kontaktuar Kurtin e Vuçiqin

20:16 | 18 Gusht 2022
K.B

Radio Evropa e Lirë ka raportuar duke u thirrur në burime diplomatike në Bruksel se edhe Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Presidenti i Francës, Emanuel Macron, janë duke u angazhuar për arritjen e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe evitimin e përshkallëzimit të situatës.

Sipas këtyre burimeve, Scholz dhe Macron i kanë kontaktuar Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, para takimit që u mbajt sot në Bruksel, për t’i inkurajuar në arritjen e një marrëveshjeje.

“Shumë liderë ndërkombëtarë kanë shprehur pritjet e tyre nga takimet e këtyre dy liderëve. Këtë e kanë kuptuar edhe vetë liderët. Edhe pse nuk patëm marrëveshje për rrugën finale sesi të adresohet çështja, procesi po vazhdon”, citohet të kenë thënë burimet brenda BE-së.

Kujtojmë se disa orë më parë Qeveria e Kosovës doli me një komunikatë për takimin e sotëm të Kryeministrit Albin Kurti me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me ndërmjetësimin e Shefit të Diplomacisë së BE’së, Josep Borrell dhe të dërguarit të BE’s për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Sot kishte dy tema në agjendë. E para ishte diskutimi për Kornizën e Përgjithshme të Marrëveshjes. Kryeministri Kurti theksoi që kjo marrëveshje duhet të jetë ligjërisht e obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër. Ai prezantoi disa kapituj me elemente përkatëse që duhet t’i përmbajë kjo kornizë. Tema e dytë ishin çështjet aktuale politike e të sigurisë për të cilat Kryeministri Kurti tregoi për rëndësinë e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vendin tonë si garancione të paqes, sigurisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët pa dallim”, thuhet në komunikatë. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme