Rektorët vendosin sot për grevë e protesta, si përgjigje ndaj mos-shkarkimit të KSHC-së

13:24 | 28 Janar 2019
Arbresh.info

Rektorët e universiteteve publike, pritet të mblidhen sot në orën 16:00 në konferencën e rektorëve ku do të vendoset nëse universitetet do të hyjnë në grevë.

Ditë më parë, rektorët përmes një letre drejtuar ministrit të Arsimit Shyqiri Bytyqi, kryeministrit Ramush Haradinaj dhe komisionit parlamentar për arsim kanë kërkuar që deri më 28 janar të shkarkohet Këshilli Shtetëror i Cilësisë (bordi i Agjencisë së Kosovës për Akreditim) si dhe të anulohen vendimet e fundit të bordit për tërheqjen e programeve studimore. Nëse nuk realizohet kërkesa e tyre, ata kanë paralajmëruar grevë dhe protesta.

Rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”, në Pejë njëherësh zëvëndëskryesues i konferencës së rektorëve, Fadil Millaku ka thënë për “Kohën Ditore” se brenda pak orëve do të merret vesh për vendimin e rektorëve pa dhënë më shumë detaje.

“Në ora 16:00 do të mbahet konferenca e rektorëve dhe aty do të merret vendimi përfundimtar. Konferenca do të mbahet në Universitetin e Prishtinës dhe menjëherë pas përfundimit të saj do të dalim me një komunikatë për media”, ka theksuar Millaku.

Rektorët e universiteteve publike po konsiderojnë se Këshilli Shtetëror i Cilësisë në mënyrë arbitrare ka tërhequr akreditimin e programeve studimore të universiteteve publike të cilat kanë pasur akreditim edhe për një periudhë të gjatë kohore.

KSHC më 15 dhe 16 janar ka refuzuar aprovimin për 107 programe të studimit (28 programe në Institucione Publike, dhe 79 programe në Institucione private të Arsimit të Lartë).

Po ashtu, KSHC ka marrë vendim për tërheqjen e akreditimit për 74 programe të studimit (40 programe ne Institucione Publike të Arsimit të Lartë dhe 35 programe të Institucioneve Private të Arsimit të Lartë).

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme