Kosova pret që javën e ardhshme, Komisioni Evropian të dalë me rekomandime pozitive në lidhje me liberalizim të vizave, ndërkaq deri në dhjetor pret që të përmbyllet i gjithë procesi. Sipas këtyre pritjeve, qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm, pa viza në zonën Shengen, nga janari, përkatësisht shkurti i vitit 2019.
Në rekomandimin e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave, thuhet se do të kërkohet një monitorim i vazhdueshëm i Kosovës në angazhimin dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, në veçanti të rasteve të vendosura në kuadër të kritereve.
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha e cila ka zhvilluar takime në Bruksel në kohën kur po pritet të publikohet raporti me rekomandimet, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë tha se është momenti kur Bashkimi Evropian duhet të njohë përparimin në Kosovë dhe përmbushjen e kritereve.
“Nga vizita ime në Bruksel, mund të them se nuk pres befasi dhe pres rekomandimin pozitiv nga Komisioni Evropian, dhe sigurisht se ky rekomandim do të jetë rezultat i përmbushjes së të gjitha kritereve të dala nga udhërrëfyesi. Pres nga institucionet e BE-së që të përmbushin premtimet e tyre, pasi që Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave”, tha Hoxha.
Ajo beson se procedurat rreth çështjes së liberalizimit do të përmbyllen brenda këtij viti.
“Konsideroj se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret nga udhërrëfyesi i marrë në vitin 2012, andaj bazuar në përmbushjen e kushteve pres rekomandimin pozitiv nga Komisioni Evropian”, thotë Hoxha.
Ajo shton se nuk ka ndonjë datë të saktë se kur pritet të publikohet raporti me rekomandimet për vizat, por mund të ndodhë që të publikohet në fillim të muajit korrik, 2018.
Në anën tjetër, Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik të Politikave thotë se opinioni i Komisionit Evropian është dashur të publikohet këtë javë ose më herët, por siç thotë ai, janë frikësuar nga reagimet e Këshillit dhe është lënë që pas Këshillit të Evropës në ditët e para të javës së ardhshme, të dilet me opinionin i cili rikonfirmon qëndrimin pozitiv të Komisionit për përmbushjen e kritereve.
“Në maj 2016, rekomandimi është bërë zyrtarisht dhe kërkohet zbatimi i dy kritereve, në ndërkohë meqë ka kaluar gjatë kohë dhe votimi i Demarkacionit ishte vonuar, BE-ja kishte dërguar një mision tjetër vlerësues i cili tanimë ka përgatitur raportin dhe Komisioni është unanim si Komision për të rikonfirmuar qëndrimin pozitiv për Kosovën për përmbushjen e kritereve”, tha Rashiti.
Natyrisht, shton Rashiti, do të jetë një gjuhë e tillë për shkak të vendeve anëtare të Këshillit që do të kërkohet një monitorim i vazhdueshëm i Kosovës në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, në veçanti rasteve të vendosur në kriter.
E gjithë kjo shton Rashiti i hapë rrugë procedurës tjetër të vendimmarrjes të diskutimeve politike në Këshill.
“E para e punës është që Këshilli më në fund ka vendosur pozitivisht për Shqipërinë dhe Maqedoninë dhe besoj që në këtë frymë do të vazhdojë puna e ardhshme sepse këto ishin vendime më të vështira sesa liberalizimi i vizave dhe ishin vendime inkurajuese dhe shpëtuan agjendën e zgjerimit. E dyta, proceduralisht në këtë vit takimi i fundit i Këshillit të ministrave të Drejtësisë dhe atyre të Brendshme është më 4 dhjetor dhe realisht deri më 4 dhjetor do të duhej të përfundojë puna kryesore”, shton Rashiti.
Vendimi pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën nuk merret pa Gjermaninë dhe Francën, thekson Rashiti dhe sipas tij, nëse këto vende kanë opinione pozitive besohet se edhe vendet tjera, që janë skeptike si Holanda, Belgjika e Danimarka, nuk do të bënin telashe të mëdha.
“Besoj që deri në fund të vitit të ketë vendim, pastaj është çështje procedurale 20 ditësh pas hyrjes në fuqi të vendimit. Ideja është të mos ketë zvarritje të proceseve të vendimmarrjes politike”, thotë Rashiti.
“Ka një vetëdije në kuadër të BE-së se ky proces duhet të kryhet para janarit apo shkurtit sepse në mars e tutje fillojnë përgatitjet për zgjedhje në nivel evropian për Parlamentin e ri të Evropës dhe mund të ketë pastaj telashe dhe Parlamenti Evropian, sipas gjitha analizave do të duket ndryshe nga ajo që është nga ky Parlament, i cili ka një qasje pozitive në raport me liberalizimin e vizave për Kosovën dhe besoj më së largu janari – shkurti do të jetë në fuqi”, thotë Rashiti.
Krerët e institucioneve të Kosovës, qytetarëve të tyre iu kanë premtuar liberalizim të vizave që nga viti 2010.
Për premtime dhe dhënie të afateve për plotësimin e kritereve të Komisionit Evropian, krerët e institucioneve në Prishtinë ishin kritikuar disa herë nga mekanizmat ndërkombëtarë.
Marotta: Jemi skuadra e vetme në Milano me dy yje në fanellë
Vullneti: Xheneta rrezikon të eliminohet këtë javë
Shpërthim në Prishtinë, lëndohen dy persona
Federata e Bodybuildingut zgjedhë më të mirët e vitit 2024
“Je xheloz ti?”, Sara dhe Driloni ngacmojnë njëri-tjetrin
Netanyahu në gjykatë për të dëshmuar mbi akuzat për korrupsi...